La Egnatian për Kategorinë e Parë, flet Shyti: Ju tregoj pse u ktheva në Pogradec

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2021 | 16:25

La Egnatian për Kategorinë e Parë, flet Shyti: Ju tregoj pse u ktheva në Pogradec

 Pogradeci edhe këtë vit do ta nisë me të njëjtin objektiv. Çdo sezon i janë afruar ngjitjes, megjithatë klubi nuk ka në plan të dorëzohet. Në të njëjtën linjë është edhe Ildian Shyti, mesfushori që vendosi të rikthehej në shtëpi.

shyti

Pasi ndihmoi Egnatian të kapte elitën, zotohet që do të japë maksimumin edhe për ekipin e zemrës. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai tregon arsyet që e detyruan të ikte nga Rrogozhina dhe shpalos synimet me liqenorët.

Nga Egnatia te Pogradeci, cilat ishin arsyet që ju çuan te ky vendim?

U ktheva për arsye familjare. Duhet të isha në Pogradec, ndaj e mora këtë vendim. E megjithatë, nuk dhemb. Në fund të fundit unë rikthehem tek ekipi i zemrës.

Pse zgjodhët të mos e shijonit Superioren te rrogozhinasit, patët probleme financiare apo diçka tjetër?

Unë mendoj se dhashë më të mirën atje dhe u shpërbleva, duke qenë pjesë e rëndësishme e formacionit. Probleme nuk ka pasur. Në përgjithësi shkoi mirë. Kisha shumë dëshirë të luaja në Superiore, por e theksoj edhe një herë, familja mbi të gjitha. Gjej rastin t’i uroj suksese ekipit të Egnatias në Superiore.

Si e gjetët Pogradecin dhe a mendoni që me këtë grup mund të bëni befasinë?

Vërtet janë larguar shumë lojtarë të rëndësishëm, por në Pogradec gjithmonë ka futboll dhe akademia prodhon lojtarë që janë të denjë për ekipin e parë. Pastaj, është edhe merita e stafit që me pasionin dhe dëshirë të madhe gjithmonë kanë bërë të pamundurën për ta bërë sa më të mirë këtë ekip. Dua të theksoj se sërish Pogradeci do të jetë ekipi për t’u mundur. Trajneri ndihet shumë i kënaqur me afrimin tuaj.

A mund të jeni ju lideri i ardhshëm i Pogradecit?

Jam i lumtur që do të punoj sërish me profesorin dhe shpresoj që besimin e dhënë t’ia shpërblej në fushë, me lojë dhe rezultate të mira. Sa për liderin, mendoj se Pogradeci nuk ka nevojë për një të tillë, pasi motoja jonë jozyrtare, por nisur nga ajo që japim në fushë, them se është “Një për të gjithë e të gjithë për një”.

Duke qenë periudhë merkatoje, a patët oferta para se të ktheheshit te Pogradeci?

Për të qenë i sinqertë, kam pasur shumë oferta nga klubet që synojnë ngjitjen në elitë këtë sezon, por edhe nga disa ekipe kosovare. Për momentin është e rëndësishme dhe më duhet të qëndroj pranë familjes.

Pasi ngjitët Egnatian, mund t’ia dilni edhe me Pogradecin?

Ju siguroj dhe e them me bindje të plotë: Pogradeci ashtu si çdo vit, do të jetë ekipi për t’u mundur këtë vit.

REDI DANDALLAKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"