“Ky Liverpul, më i fortë se në 2018-ën”, Kros s’kursen lavdet për trajnerin Ançeloti: Mjeshtër!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 13:18


“Ky Liverpul, më i fortë se në 2018-ën”, Kros s’kursen lavdet për trajnerin Ançeloti: Mjeshtër!

Mesfushori i Realit të Madridit, Toni Kros, ka dhënë një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”, duke u ndalur te finalja e Ligës së Kampioneve kundër Liverpulit nesër në mbrëmje. Ai ka analizuar edhe ADN-në fituese të “Los Blancos”, ndërsa ka prekur edhe aktualitetin te Madridi. Finalja e madhe mund të jetë historike për gjermanin në rast fitoreje. Ai mund të bëhet i pari lojtar gjerman që fiton 5 herë Ligën e Kampioneve dhe dëshira është vërtet e madhe.

KROS

CHAMPIONS I PESTË – “Ky është objektivi ynë i madh. Kemi bërë një sezon të madh, por kjo finale mund t’i vërë kapakun, do të ishte vërtet qershia mbi tortë”.

ULJE-NGRITJET – “Është shumë e vështirë të mbash të njëjtin ritëm përgjatë vazhdimësisë së sezonit. Por e rëndësishme është se sa zgjasin momentet delikate. Të shumtë kanë qenë ata që kanë menduar se do të rrëshqisnim. Por ne kemi treguar një stabilitet të jashtëzakonshëm. Pastaj në Ligën e Kampioneve historitë kanë qenë edhe më të ndërlikuara e më të bukura. Kemi kaluar mes vështirësish të mëdha Parisin, Çelsin e Sitin. Shumë pak skuadra mund ta kishin bërë atë që kemi realizuar ne. Dhe ne ia kemi dalë sepse kemi besuar gjithnjë”.

GENI I FITUESIT – “Ne kemi një përvojë, sigurisht, por në fund është përzierja brenda skuadrës. Sidomos kualifikimet treguan se edhe lojtarët tanë më të rinj na dhanë vrull. Përzierja është ajo që e bën suksesin”.

ANÇELOTI – “Është e dyta herë që e kam trajner. Ai e di mjaft mirë si t’i trajtojë lojtarët, si të sillet me grupin e me individët dhe kjo ka rëndësi për një klub si Reali. Po ashtu ka edhe një plan të qartë se si do të luajë. Çelësi i tij është se na ka dhënë liri absolute në lojë dhe çdo lojtar e di se çfarë duhet të bëjë”.

FINALJA E VITIT 2018 – “Nëse i kthehem pas dhe e mendoj, deri në gabimin e portierit të Liverpulit gjithçka ishte e barabartë në lojë. Liverpuli barazoi shpejt, por më pas gol me roveshatë nga Bejli… Si shpesh ndodh nëpër finale detajet e vogla, gabimet dhe momentet e veçanta janë përcaktuese”.

LIVERPULI SOT – “Të dyja skuadrat kanë bërë përpara që nga ajo finale e 4 viteve më parë. Ata janë shumë më të fortë se në vitin 2018. Ata janë forcuar në shumë drejtime, duke nisur nga cilësia në portë. Tani janë më me shumë përvojë, fituan Ligën e Kampioneve kundër Totenhemit një vit pas humbjes ndaj nesh. Të luash në finale të tilla dhe t’i fitosh ato, sigurisht që ndihmon. Në këtë kuptim, mendoj Liverpuli është pa dyshim më i fortë se në 2018″.

BENZEMA – “Luaj prej tetë sezonesh me Benzemanë në Madrid dhe nuk habitem me atë që shoh prej tij. Ai ka qenë gjithmonë kështu, ka shënuar gola, por ndoshta roli i tij ka ndryshuar pak tani dhe është më në qendër të vëmendjes”, ka thënë Kros.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI