“Ky është vetëm fillimi”, Gjyla “skanon” Lushnjën: E nisim keq lojën, kemi hope

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 23:35

“Ky është vetëm fillimi”, Gjyla “skanon” Lushnjën: E nisim keq lojën, kemi hope

Ilir Gjyla “skanon” Lushnjën. Trajneri është i kënaqur me 4 pikët e koleksionuara në 180 minutat e para, por hapur e thotë që skuadra ka bërë vetëm detyrën.

gjyla

“Ky është vetëm fillimi, kampionati është i gjatë përpara. Nuk kemi bërë asgjë, përveç detyrës, në fakt. Ajo që më ngroh nuk janë thjesht pikët, por skuadra që po konsolidohet. Po mësohen futbollistët me njëri-tjetrin. Edhe pse kemi marrë katër pikë, mendoj që ende kemi probleme. Nuk kemi humbur në këto dy javë, por lojën e fillojmë shumë keq.

Kështu filluam me Besën, por edhe me Egnatian. Futbollistët e fillojnë me frikë përballjen, edhe pse po mundohemi t’ua shpjegojmë që ekipet këto janë. Edhe më parë e kam thënë për gazetën tuaj, kam futbollistë në ekip që luajnë për herë të parë në Kategorinë e Parë dhe duan kohë të përshtaten. Ndërkohë që, disa të tjerë kanë luajtur me hope. Herë kanë luajtur dhe herë jo ose kanë qenë zëvendësues. Nuk është e lehtë. Nuk është e njëjta gjë të mbash mbi shpinë ndeshjen, si ta nisësh nga stoli. Mendoj se pikët që kemi si kuotë janë pozitive. Nga ana profesionale, unë si trajner duhet të kap ato gabime që kemi bërë në ndeshjet që kemi luajtur”, u shpreh fillimisht tekniku për “Panorama Sport”. Këtë javë kampionati do të ndalet dhe Lushnjës do t’i vlejë për të rikuperuar disa titullarë.

“Unë e kam thënë, që ne trajnerëve ndonjëherë nuk na gjendet dermani. Deri tani po ankoheshim pse nuk fillon kampionati. Tani që u ndërpre për shkak të dëmtimeve që kemi, unë them se do të na vlejë për mirë. Kjo sa i takon rikuperimit të ndonjë futbollisti, si Xeka, Mone, Basha apo Luis da Silva. Brazilianit akoma nuk i kemi bërë rezonancën, të shikojmë çfarë ka në gju. Megjithatë, Xeka, Mone dhe Basha janë më pranë rikuperimit. Mendoj që do të bëhen gati për javën e ardhshme. Ndoshta 100% jo, por të paktën për të luajtur një pjesë mund të jenë të gatshëm”, përfundoi Ilir Gjyla. Pas dy javësh, Lushnja ndan kreun me Egnatian, ndërsa përballja e radhës do të jetë me Tomorin.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"