“Ky është një nga momentet më të mira të ekipit tonë”, Shqiprim Taipi: Hallaçi ndryshoi Kukësin, duam të kapim Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 19:10

“Ky është një nga momentet më të mira të ekipit tonë”, Shqiprim Taipi: Hallaçi ndryshoi Kukësin, duam të kapim Europën

Me një Kukës që këto ndeshjet e fundit ka nxjerrë në pah forcën e tij reale, në skuadër kanë besim se do të vijojnë me ecurinë e rezultateve pozitive në kampionat.

329597327_468994545289783_2584679950805720087_n

Të paktën kështu shprehet në një prononcim për “Panorama Sport” mesfushori Shqiprim Taipi. Ai sheh si çelës të suksesit uljen në pankinë të Hallaçit dhe përkushtimin nga ana e lojtarëve. Gjithsesi, sipas tij, duhet kujdes, sepse vijojnë të jenë mes dy zjarresh, rënies dhe Europës, ndaj duhet dhënë maksimumi deri në fund. “Është një nga momentet më të mira të ekipit tonë që nga fillimi i kampionatit. Kanë ndryshuar shumë gjëra, ardhja e trajnerit Hallaçi që i dha një freski ekipit, duke e njohur mirë edhe ambientin. Futbollistët gjithashtu kanë filluar të marrin edhe më tepër përgjegjësi dhe detyrat që po jepen nga trajneri po i bëjmë me përkushtimin më të madh. Megjithatë, kampionati është shumë i ngjeshur, një humbje të zbret poshtë dhe një fitore të ngjit në garë për Europën”, u shpreh fillimisht mesfushori i bluve.

EGNATIA – Ndeshja e radhës është me të vërtetë një provë force për Kukësin, sepse përballë do të kenë një ekip që gjithashtu po bën mirë dhe ka synim Europën. Megjithatë edhe ndaj rrogozhinasve verilindorët do të kërkojnë maksimumin, për më tepër që në Kukës janë kthyer në një ekip që dominon ndaj kundërshtarëve, duke pasur suportin e tifozëve. “Ndeshja me Egnatian do të jetë shumë e vështirë, pasi kundërshtari ka një skuadër shumë të mirë dhe cilësore. Duhet të bëjmë shumë kujdes. Luajmë në Kukës dhe normalisht do të jetë në favorin tonë, pasi kemi kohë që nuk kemi humbur në shtëpi. Gjithashtu dhe mbështetja e tifozëve po na bëjnë që të ndihemi edhe më mirë gjatë 90 minutave”, vijoi më tej Shqiprim Taipi, i cili ka besim te forca e skuadrës në “Kukës Arena”.

KONTRATA – Pas dy sezonesh me blutë, kontrata e mesfushorit përfundon në fund të këtij sezoni. Gjithsesi, sipas tij, për momentin është i fokusuar të arrijë objektivat me Kukësin dhe të sigurojnë pjesëmarrjen në Europë, pasi e sheh pozitive edhe në aspektin personal. Më pas do të shihet për të ardhmen. “Është e vërtetë që kontrata më skadon në fund të kampionatit. Të them të drejtën jam i fokusuar që të arrijmë objektivin e klubit, pasi do të jetë mirë dhe për mua personalisht. Të arrijmë një objektiv siç janë kupat e Europës, pastaj do t’ia lëmë kohës”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën një nga titullarët fiks të ekipit të Kukësit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"