Kuzmanoviç dhe Skeloto në kor: Ëndrra u realizua!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2013 | 11:35

Kuzmanoviç dhe Skeloto në kor: Ëndrra u realizua!

SkelotoNë prag të takimit ndaj Sienës, tekniku zikaltër Andrea Stramaçoni nuk do të dalë para mediave në konferencën tradicionale për shtyp. Mungesa e tij ka bërë që e gjithë vëmendja të përqendrohet te dy lojtarët e rinj, Zdravko Kuzmanoviç dhe Ezekiel Skeloto, të cilët janë prezantuar zyrtarisht si dy futbollistë të Interit. Fjalët e Skelotos – Mesfushori argjentinas është prezantuar me këto fjalë: “Dua t’i falënderoj të gjithë, sepse të luash me Interin është diçka fantastike. Zgjodha fanellën numër 7, pasi ky është numri im me fat në Itali. Kam shumë pak që ndodhem këtu, por ndihem si i familjes, sikur kam vite që luaj me këtë klub të shkëlqyer. Shokët e ekipit dhe trajneri më kanë ndenjur shumë pranë, prandaj jam ambientuar menjëherë”. Raportet mes Skelotos dhe tifozërisë së Atalantës në periudhën e fundit pësuan një krisje: “Në Bergamo jam ndier mirë, por një ‘tren’ si Interi të kalon vetëm një herë në jetë dhe duhet të jesh shumë idiot që ta humbësh. Tifozëve të Atalantës u them faleminderit, por dhe unë kam djersitur shumë për atë fanellë. Stramaçoni? E kam kuptuar se çfarë kërkon nga unë dhe jam në dispozicion të plotë. Tek Interi mund të luaj lehtësisht si mesfushor krahu”, – shtoi argjentinasi.
Fjalët e Kuzmanoviç – I emocionuar dhe me dëshirën e madhe për të luajtur, mesfushori serb Zdravko Kuzmanoviç është shprehur: “Kur u largova nga Fiorentina, zgjodha të luaja në Bundesligë, pasi ishte një eksperiencë e re. Ishte një periudhë e rëndësishme, por tani jam shumë i lumtur që u riktheva në Itali. Këtu futbolli është më teknik dhe më i bukur”. Lojtari ishte i bindur se do të firmoste për Interin vetëm në fund të sezonit. “Po i humbja shpresat në fakt se do vija në janar, por për fatin tim të mirë gjithçka shkoi siç dëshiroja dhe tani ndihem tepër i lumtur që jam tek Interi”. Ish-lojtari i Fiorentinës ndihet i kompletuar pas eksperiencës në kampionatin gjerman: “Jam përmirësuar si nga ana fizike dhe ajo teknike. Ndihem më i kompletuar dhe mund të luaj në disa zona të mesfushës. Stankoviç? Ishte një ëndërr të luaja me të. Është një fenomen, ka fituar gjithçka në karrierën e tij dhe është kapiteni i përfaqësueses. Më motivon shumë, aq sa dua të bëj karrierën e tij. ‘San Siro’? Nuk e ndiej presionin”, – përfundoi Kuzmanoviç.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"