Kushti i Ze Marias, ja si mund ta bindë presidentin Halili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2018 | 15:24

Kushti i Ze Marias, ja si mund ta bindë presidentin Halili

Ze Maria është gati të qëndrojë te Tirana, por që të shkojë deri te firma, ka vendosur kushte. Ai do titullin dhe rrjedhimisht presidenti Refik Halili duhet që ndërtojë një grup që mund të masë forcat me Skënderbeun, Kukësin, Partizanin apo edhe Flamurtarin. Dhe po t’i hedhësh një sy organikës së bardhebluve, mund ta kuptosh fare mirë se ku duhet të ndërhyhet. Ndaj le t’i marrim repartet me radhë.

ze maria

PORTA

Gjithçka nis me portën, ku Ilion Lika jep pa dyshim garanci. Megjithatë, mosha e bën klubin që të mendojë edhe për pasuesin e tij. Ka dy elementë realisht premtues si Abibi apo Çali, gjithsesi për Kategorinë Superiore duhet një ekspert, që të ketë deri diku përvojën e Likës.

ilion lika

MBROJTJA

Në krahun e djathtë të mbrojtjes janë më shumë se të qetë, me Kërçikun dhe Dokën. Përveç se të talentuar, kanë edhe përvojë. Qendra e mbrojtjes ka vend për diskutim. Mjafton të shohësh “rrotacionet” e vazhdueshme në 22 javë për ta kuptuar që Ze Maria nuk ka gjetur rehat. Larguan Uellisonin pasi nuk jepte siguri dhe morën Musën, por ky i fundit rezultoi një zhgënjim.

tirana bylis

Edhe pse kanë marrë ndeshje dhe minuta mjaftueshëm në këmbë, as Turtulli, as Cake dhe Bishaj nuk kanë qenë stabël në 11- she. Sigurisht që me 8 gola të  pësuar deri në këtë fazë në inferiore kanë treguar që janë në rrugën e duhur dhe minimalisht duhet të afrojnë një qendërmbrojtës për të kompletuar pritshmëritë. Emrat e përmendur më lart janë të rinj për të mbajtur peshën një sezoni të tërë dhe për të përballuar ca “mostra” të tipit Soue, Çani, Sukaj, Bushiç.

tirana bylis

Ndoshta ky është një sektor që ka nevojë për rishikime. Krahu i majtë gjithashtu është një çështje. Kanë një lojtar të afirmuar si Hoxhallari, i cili ka dhënë fakte që mund ta përballojë edhe elitën, por veç faktit që mund të shitet, është i paduruar. Dhe jo vetëm për të kompensuar mungesën e tij pas një pezullimi apo dëmtimi, por pse jo edhe për ta vënë disi nën presion, pasi momentalisht ai ndihet “pasha” në rolin e tij.

MESFUSHA

Mesfusha është ndoshta reparti më i kompletuar, me Dajën e Karabecin që janë një garanci më vete. Maveje pastaj është një lojtar me shumë potencial, megjithatë Muguna si alternativë ka dështuar. Kanë Vrapin e Qilimin, por dashur pa dashur u duhen më shumë rezerva për situatat e paparashikuara. Një numër “10” nuk do u bënde keq. Nëse dikur e bënte Merveili, Binguila e Muguna dolën “fiasko”.

Tirana2

SULMI

Ngoo-Sentamu japin komoditet në sulm dhe golat janë dëshmia më e mirë. Por nëse u përsëritet historia e këtij fundsezoni, kur i pari u operua dhe i dyti është “arratisur”, ndoshta duhet të mendojnë për një tjetër “bomber” alternativë.

tirana

Megjithatë, nuk duhet harruar se edhe Greca, Muçi, Halili, Çelhaka apo edhe Bardhi, kanë treguar se mund të mbajnë peshën e sulmit të kryeqytetasve, madje edhe në ndeshje të rëndësishme.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"