Kushte skandaloze për t’u bërë gati për Superioren, Lushnja stërvitet në… rërë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2017 | 18:52

Kushte skandaloze për t’u bërë gati për Superioren, Lushnja stërvitet në… rërë

Pas rikthimit nga Leçe, lushnjarët i janë rikthyer përgatitjeve. Duke qenë se tapeti i vjetër i stadiumit “Roza Haxhiu” është hequr plotësisht, skuadra verdhejeshile ka zbritur në fushën stërvitore pranë tij. Një ambient krejtësisht i papërshtatshëm, për arsyen e thjeshtë se në këtë fushë mungon bari. Gjithashtu, përmasat e fushës janë të minimizuara, pasi muri rrethues i gjimnazit “Vath Korreshi” ndodhet pranë njërës prej portave të fushës stërvitore.

lushnja

Sipas informacioneve që jep klubi lushnjar nëpërmjet sekretarit Irakli Zaka, skuadra do të stërvitet në këto kushte deri në fund të javës. Më pas, do të vijojë me përgatitjet në qytetin e Pogradecit. Në kushte grumbullimi, verdhëjeshilët do të kenë mundësinë edhe për të luajtur të tjera takime miqësore.

Duke iu referuar punimeve në stadium, pritet që në mes të gushtit, gjithçka të jetë gati për vendosjen e tapetit të ri. Mendohet që Lushnja mund të emigrojë vetëm për dy ndeshjet e para shtëpiake, me Vllazninë dhe me Kamzën.

Deklarata

Kryetari i shoqatës “Lushnja”, Durim Meta, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, shprehet se Bashkia e Lushnjës duhet t’u japë zgjidhje problemeve që ka futbolli lushnjar me anë të sponsorit zyrtar.

“Është e padrejtë që taksat e qytetarëve, lekët që ua merr njerëzve, Bashkia t’i përdorë për futbollin. 300 deri në 400 milionë lekë në vit janë shifra tepër të larta, në një kohë që qytetarët kanë nevojë për shërbime dhe investime. Pavarësisht shpenzimeve, ekipi i futbollit nuk ka as kushtet për t’u përgatitur sepse mungon infrastruktura futbollistike.

Ekipi i futbollit duhet të ketë sponsorin zyrtar, presidentin, si e vetmja mundësi për të liruar Bashkinë nga një shpenzim shumë i madh dhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve që ka futbolli lushnjar”, është shprehur Meta.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"