Kushta i del në krah Duros: Flamurtari s’është han pa porta, Alveshin ta çojnë tek të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2017 | 15:30

Kushta i del në krah Duros: Flamurtari s’është han pa porta, Alveshin ta çojnë tek të rinjtë

Sokol Kushta i del në krahë Shpëtim Duros. Legjenda e futbollit vlonjat, teksa komenton debatin më të fundit mes sulmuesit Alvesh dhe trajnerit Duro, i jep të drejtë këtij të fundit. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i shquar Sokol Kushta, thotë se trajneri duhet të vendosë veton me qëllim që ekipi të mos jetë “han pa porta”.

sokol kushta

Kushta thekson se Alvesh është ndër lojtarët më të paguar dhe duhet t’i lërë kapriçot e tij. Sipas Kushtës, Alveshit i duhet si mësim që të stërvitet me ekipin e të rinjve pas kësaj që ka ndodhur, me qëllim që të reflektojnë ndaj fjalëve që ka thënë Duro në adresë të tij.

“Për sa u përket dhomave të zhveshjes, këtu një ekip ose bëhet ekip ose bëhet një han pa porta. Prandaj trajneri duhet të vendosë “veton” dhe të ndërhyjë shpejt. Nuk e di me atë brazilianin si qëndron e vërteta.

Flamurtari

Por Danilo Alvesh duhet ta dijë që, në momentin që është nga më të paguarit, duhet t’i lërë tangërllëqet në media. Nuk ka parë si të stërvitet me të rinjtë ai dhe të reflektojë çfarë thotë trajneri. Me punë të gjithë lojtarët e mëdhenj bëjnë rezultate, pastaj tangërllëqe. Unë kaq vjet nuk kam parë ndonjë gjë të veçantë që ai të preket nga një kritikë e trajnerit”, tha fillimisht Kushta.

ECURIA- Legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, komenton edhe ecurinë e Flamurtarit në këto katër javë të para të kampionatit kombëtar të futbollit. Sipas Kushtës, ekipi ka pasur uljengritje, të cilat kanë qenë të dukshme. Kushta thotë se kuqezinjtë dy ndeshje i kanë luajtur shumë të mira dhe dy ndeshje shumë të dobëta.

Danilo-Alvesh-Duro

“Nuk gjykoj dot se çfarë nuk shkon aktualisht te Flamurtari, apo cilat reparte të këtij ekipi janë më mirë dhe cilat kanë probleme. Unë nuk jap dot një mendim për këtë pikë, pasi e di trajneri për repartet. Unë nuk bëj dot ndarje specifike, sepse nuk është etike. Oshilacionet ishin të dukshme. Dy ndeshje janë të dobëta dhe dy shumë të mira. Atë e panë të gjithë njerëzit”, u shpreh legjenda e futbollit.

EUROPA– Sokol Kushta është i bindur se ky Flamurtar do të jetë konkurrues. Ishfutbollisti i shquar mendon se, nëse futbollistët luajnë si në ndeshjen me Teutën, do të jenë në Kupat e Europës. “Unë me Teutën e Durrësit vura re një ekip që po të vazhdojë me atë temp dhe ritëm do të jetë një ekip konkurrues.

flamurtari bicaj

Kam dëgjuar që ekipi nuk ka probleme financiare. Kjo është një gjë e mirë, pasi ekipi ka nevojë për qetësinë ekonomike. Nëse do të luajnë si me Teutën në të gjitha ndeshjet që do të kenë në vijim, sigurisht që do të jenë në Kupat e Europës”, përfundon Kushta.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"