“Kush ka luajtur futboll e di që…”, Nojer: Shpresoj që kjo gjendje të vazhdojë sa më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 3, 2021 | 18:00

“Kush ka luajtur futboll e di që…”, Nojer: Shpresoj që kjo gjendje të vazhdojë sa më shumë

Manuel Nojer foli për revistën bavareze “51” në lidhje me objektivin e radhës të skuadrës së Bajernit. Në fillim Nojer uroi stafin e revistës dhe lexuesit e rregullt duke thënë. “Dua t’ju uroj festa të mbara dhe sa më shumë shëndet në vitin e ri, – tha numri një i portës së Bajernit. – Jemi optimist për atë çfarë na pret në 2021-shin. Bajerni dëshiron që të gjithë së bashku ta kalojmë këtë moment jo të mirë. Jam i sigurt që do t’ia arrijmë”.

Nojer dhe Levandovski

Nojer pranon se mungesa e tifozëve është ndier jo pak te lojtarët në fushën e lojës: “Kush ka luajtur futboll, e di se sa të rëndësishëm janë njerëzit në stadium dhe jo vetëm. Ndeshja ka një impuls më shumë dhe emocionet janë më të mëdha. Ju (tifozët) jeni ata që na ndihmoni për të hedhur hapin shtesë dhe për të dhënë gjithçka në sekondat e fundit”.

NJË FAMILJE

Manuel tregon se së fundmi kishte biseduar gjatë me Joshua Kimishin dhe ishin në një mendje: “Kush na ka ndjekur me vëmendje, ka parë që tani jemi më shumë se një skuadër në fushën e lojës. Jemi një familje që ndihmon njëri-tjetrin. Dikush bën një pritje dhe tjetri një gol, gëzimi është i madh për këdo. Konkurrenca nuk ka munguar dhe mendoj që të gjithë e kanë kuptuar se ajo është e rëndësishme për rritjen e skuadrës”. Nojer është i lumtur që është pjesë e Bajernit, një nga skuadrat më të mira në botë. “Gjerat kanë ecur mirë për ne në këtë vit. Djemtë kanë bërë një punë të madhe dhe jemi duke marrë frytet e një viti të vështirë. Trajneri ka ditur se të na motivojë. Shpresoj që kjo gjendje të zgjasë sa më shumë”, tha kapiteni bavarez.

Nojer

TROFEU I RADHËS

Hera e fundit që Manuel Nojer kishte fituar Botërorin e Klubeve ishte në vitin 2013 në Marok. Këtë trofe ai kërkon ta fitojë sërish në 2021-shin. “Objektivi ynë madhor në fillim të vitit të ri është Botërori i Klubeve. Në 2013-ën përjetova një emocion të madh. Fitimi i Champions-it na dha sërish mundësinë për të qenë protagonist në këtë kompeticion. Këtë mundësi nuk duam ta shpërdorojmë dhe në Mynih duam të kthehemi me titullin e radhës. Mendoj që edhe tifozët këtë duan. Do të ishte dhurata më e mirë për Vitin e Ri”, tha gardiani i portës gjermane për revistën bavareze. Kujtojmë që Manuel Nojer u shpall portieri më i mirë në botë nga FIFA duke lënë pas emra të mëdhenj si Alison Beker dhe Jan Oblak. Portieri i kombëtares gjermane ka edhe dy vite kontratë me klubin e Bajernit me të cilin luan prej gati 9 vitesh duke fituar shumë tituj, ndër ta 2 herë tripletën. Por, 34- vjeçari nuk kërkon të kënaqet me pak duke i vënë syrin një tjetër trofeu, atë të Botërorit për Klube i cili do të luhet në muajin shkurt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"