Kush e vodhi Kupën e Botës? Historia e pabesueshme e 1966-ës/ Zbulohen detajet e grabitjes spektakolare të “Zhyl Rime”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2022 | 21:52

Kush e vodhi Kupën e Botës? Historia e pabesueshme e 1966-ës/ Zbulohen detajet e grabitjes spektakolare të “Zhyl Rime”

Vjedhja e trofeut të Kupës së Botës “Zhyl Rime”, trofeut të famshëm që u grabit në Londër përpara triumfit të Anglisë në Botërorin 1966, është një nga historitë më spektakolare, e cila ka mbetur në vëmendje edhe 56 vite më pas. Ndërsa Garet Sauthgejt dhe kombëtarja e tij po përpiqen ta sjellin Kupën e Botës sërish në shtëpi.

1532

“The Sun” është përpjekur të hedhë dritë mbi një prej grabitjeve më të pabesueshme të shekullit të shkuar. Ata kanë nxjerrë në skenë detaje të reja se si tregtari i diamanteve në zonën e famshme tregtare “Hatton Garden”, Xherald Satin, dhe shitësi i sendeve me vlerë, Bernard Makovski, i njohur me nofkën “Polaku” ishin të dyshuarit e mëdhenj si arkitektët e planit për të vjedhur trofeun “Zhyl Rime”.

3

Pas hetimit ata shpëtuan pa u dënuar pas një marrëveshjeje me zyrën e kryeministrisë për të rikthyer kupën. Dokumente sekrete të shërbimeve inteligjente, i përmendin dy burrat si bashkëpunëtorë të Eduard Beçlit, të vetmit të dënuar për vjedhjen e kupës nga vitrina e një ekspozite në Londër. Në dosjen hetimore thuhet se një dëshmitar e pa Satinin, atëherë 34 vjeç, në ekspozitën e Uestminsterit “Methodist Central Hall”.

1

Dëshmitari, i cili ishte një avokat i cili kërkoi t’i ruhej anonimati, nxiti policinë për të bërë një hetim të plotë në këtë linjë hetimore, sepse besonte se kjo ishte më shumë se një rastësi. Hajduti profesionist, Beçli, i cili gjithashtu nuk jeton më sot, u arrestua 4 ditë pas grabitjes pas një tentative për të bërë kompromis me para, por fati i kupës vazhdoi të mbetej mister. Ai i tha policisë se kishte vepruar në emër të një personi të cilin e njihte vetëm me nofkën “Polaku”.

2

Pas kontrollit të bazës së të dhënave të nofkave në zyrat e policisë “Scotland Yard”, indeksi u përputh me atë të Makovskit, personit të lindur në Varshavë, atëherë 40 vjeç. Fati i trofeut të Kupës së Botës mbeti mister edhe për një javë, përpara se të gjendej në gardhin e një kopshti në Londrën Jugore nga një qen i quajtur Pikles.

4

Më pas ai do të fitohej nga Anglia në korrik të atij viti. Pikles u shpall hero, por rikthimi i trofeut mësohet se ishte pjesë e një pakti të mbështetur edhe nga kryeministria. “Downing Street” premtoi se akuzat do të binin ndaj Beçlit ndërsa do t’ia hidhnin paq edhe Satin dhe Makovski.

5

Një dokument i pazbuluar më parë në dosjen policore të Beçlit tregon se si Majkëll Holls, sekretari i kryeministrit dhe kryeministri Harold Uillson, kontaktuan me drejtorin e Prokurorisë Publike për këtë çështje. Ishkomandanti i skuadrës kundër krimit të organizuar të “Scotland Yard”-it, Xhon O’Konor, tregoi këtë javë: “Kishte qartazi një marrëveshje mes drejtorit të Prokurorisë Publike, policisë dhe Beçlit për të kthyer kupën.

6

Por ky dokument dëshmon qartazi për herë të parë se ajo u bë me urdhër të Harold Uillsonit. Ai nuk donte t’i ndynte duart, por la sekretarin e tij për ta bërë këtë. Ishte një makinacion, por njëkohësisht dhe në interesin e publikut për të kthyer kupën. Ishte edhe më e rëndësishme për Uillsonin, sepse ishim pak ditë larg zgjedhjeve të përgjithshme. Gjetja e kupës do të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve”.

SI NDODHI – Trofeu 35 cm i gjatë, i larë në ar “Zhyl Rime” me Perëndeshën greke të Fitores, Nikin, mbërriti në Londër nën masa të rrepta sigurie në 5 janar 1966. Ditën pasardhëse ai u shfaq në TV gjatë hedhjes së shortit. Dy zyrtarë të fituesve të mëparshëm të Brazilit, e dorëzuan kupën te presidenti i FIFA-s, Sër Stenli Rus, i cili tha: “Nëse do ta lënë trofeun këtu përgjithmonë apo përkohësisht kjo do të shihet në korrik”.

Këto fjalë e përndoqën kur kupa u grabit në 20 mars. Federata Angleze e dha hua atë te kompania e pullave “Stanley Gibbons” për një ekspozitë. Ekspozita ishte e mbyllur të dielën e vjedhjes, por godina ishte e hapur për shërbimet kishtare. Dy grabitësit hynë nga holli i katit të parë, ku ishte ekspozuar edhe trofeu dhe vjedhja e tij u zbulua vetëm pas mesnate. Ngjarja kishte dy dëshmitarë. Besimtaren Margaret Kombs, e cila pikasi Beçlin në katin e parë rreth orës 11:00 dhe e identifikoi atë pasi iu treguan fotot në polici pas arrestimit.

Një nga rojet, Frenk Hadson, vuri re një person të dytë që endej rreth ekspozitës së trofeut. Në gjurmët e të dyshuarit nuk u mbërrit kurrë, pavarësisht se nga përshkrimi kishte një ngjashmëri të madhe me Makovskin. Një ditë më pas, avokati dëshmitar, doli dhe tha se ai kishte folur me Satinin gjatë ekspozitës. Babai i tre fëmijëve, Satin, u mor në pyetje nga policia dhe pranoi se ishte në ekspozitë. Ai ishte i njohur për jetën e tij të luksit dhe pasionin për gratë dhe botën e krimit. Pesë vite pas vjedhjes së kupës, ai nisi një marrëdhënie për 18 muaj me ish-modelen e faqes 3 të “The Sun”, Maurin Flanagan, e cila sot në moshën 81- vjeçare tregon:

“Nuk ia kisha idenë që ai ishte përfshirë në grabitjen e Kupës së Botës. Ai nuk ishte as tifoz futbolli. Pasi u ndamë ai u burgos për mashtrim dhe kishte qenë në burg përpara se të takoheshim, por ishte diçka për të cilën ai nuk foli kurrë”. Ndërsa policia merrte në pyetje Satinin, ata ishin vënë në lëvizje për Beçlin, një bashkëpunëtorin e tij të njohur, i cili i kishte telefonuar anonimisht presidentit të federatës angleze, Xho Mers, një ditë pas vjedhjes. Ai i premtoi se do t’i dërgonte një pako në këmbim të 15 mijë paundëve (me kursin e sotëm janë 300 mijë paund). Mers i telefonoi policisë dhe inspektori i policisë Xhek Bagi u hoq si asistenti i tij dhe foli dy herë me Beçlin.

Ata lokalizuan telefonatën e tij të dytë, e cila vinte nga një kabinë telefonike pranë shtëpisë së tij. Inspektori u takua me Beçlin dhe i tregoi atij tufa me kartëmonedha kesh në një valixhe, pavarësisht se shumica ishin letra. Beçli, një ish-ushtar dhe punëtor porti, 47 vjeç, hipi në makinën e Bagit dhe i tha të ecte. Por në zonën e Kamberuellit ai u tremb dhe u largua me vrap. Ai u kap menjëherë nga Bagi. Kërkimet në shtëpinë e tij dhe të dy bashkëpunëtorëve të tij, vëllezërve Sidnej dhe Rexhinald Kuguler rezultuan të pasuksesshme.

Të afërm të vëllezërve thanë më pas se ata e kishin fshehur kupën në një oxhak qymyri. Beçli i mohoi akuzat për vjedhjen dhe kërkoi gjithashtu para duke kërcënuar. Ai i tha policisë se i ishin ofruar 500 paund për të vepruar si ndërmjetës nga “Polaku”. Dy ditë pas arrestimit të tij, gjykatësit e liruan me kusht për 5 mijë paund (sot 100 mijë paund).

Një ditë më vonë qeni Pikles zbuloi kupën e mbështjellë me një gazetë në kopshtin e një shtëpie në Londrën Jugore. Më 12 prill, mbi 2 javë pas gjetjes së kupës, akuzat ndaj Beçlit ranë, pavarësisht shumë provave që kishte kundër tij. Po më vonë ai pranoi dy akuzat e kërkimit të parave dhe kërcënimit dhe u dënua me 2 vite burg. Policia e la me kaq.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"