“Kush e ndien veten të aftë, e mirëpresim në ekip”, Pogradeci hap “ankandin” për … golashënues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2020 | 20:47

“Kush e ndien veten të aftë, e mirëpresim në ekip”, Pogradeci hap “ankandin” për … golashënues

Pogradeci nuk ka në plan që ta lëshojë kreun. Janë me meritë të parët, e megjithatë liqenorët e kanë të qartë se pjesa e dytë e sezonit do të jetë një “malore” e vërtetë. Skuadrës nuk i mungoi cilësia, por përforcimet janë të domosdoshme. U bë kohë që trajneri kërkon afrime, por zyrtarisht klubi nuk ka bërë qoftë edhe një lëvizje në këtë merkato. Vështirësitë për të gjetur të duhurit në janar janë të mëdha. 

pogradeci

Brenda vendit alternativa nuk ka, ndaj edhe drejtuesit kanë hedhur vështrimin në Maqedoninë e Veriut. Por edhe atje, s’kanë gjetur derman. Kjo ndoshta e ka detyruar Ardian Abazajn që të dalë me një apel publik. Gjatë një prononcimi të dhënë dje për “Panorama Sport”, numri një i pankinës ka shpallur “ankand” për sulmin.  Ai ka hapur dyert e ekipit të tij, për ftesë për çdo sulmues që e ndien veten cilësor.

Abazaj222

“Jemi totalisht të hapur për këdo që kërkon të vendosë një bashkëpunim me ne. Çdo futbollist i repartit sulmues që e ndien veten se bën diferencë dhe ka aftësi, është i mirëpritur. Ne vërtet kemi një vijë sulmuese të mirë, ku nuk na mungojnë edhe mesfushorët e avancuar, por një golashënues na bën shumë punë”, kështu u shpreh numri një i stolit të liqenorëve. Pra, merkatoja është e hapur vetëm për një “bomber”.

JAHAJ – Pogradeci e nis vitin në transfertë me Shënkollin. Skuadra është thuajse gati, pasi përgatitjet kanë qenë intensive edhe këto ditë. Saimir Jahaj beson te trepikëshi, ndonëse e pranon që e lehtë nuk do të jetë. Frika e vetme e kapitenit është terreni dhe gjykimi, ndaj shpreson që si njëra dhe tjera të mos bëhen problem. “Do të jetë një ndeshje e vështirë. Kundërshtari është për t’u respektuar, por nuk i trembemi askujt.

Kemi në përbërje shumë futbollistë cilësorë që bëjnë diferencën. Frika jonë lidhet me terrenin, që duhet të jetë i përshtatshëm. Nga përvoja e dimë se në këtë periudhë fushat rëndohen. Shpresojmë edhe në një gjykim konkret”, tha mesfushori 34-vjeçar për gazetën. Sakaq, stafi teknik duhet t’i bëjë llogaritë pa Alillarin dhe Peren. Golashënuesi dhe qendërmbrojtësi janë të pezulluar prej kartonëve.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"