EKSKLUZIVE/ “Kurrë s’mund të bëhet trajner menaxheri që sjell lojtarë”, Sokol Kushta: Flamurtari gaboi dy herë me Troisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2023 | 21:48

EKSKLUZIVE/ “Kurrë s’mund të bëhet trajner menaxheri që sjell lojtarë”, Sokol Kushta: Flamurtari gaboi dy herë me Troisin

Sokol Kushta men don se Flamurtarit i ka munguar strategjia. Legjenda vlonjate thotë se buxheti ka qenë si për një ekip elitar, por organizimi ka lënë për të dëshiruar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Kushta thekson se gabimi më i madh ishte afrimi i Marcelo Troisit si trajner.

SOKOL kUSHTA

Por edhe largimin e trajnerit e sheh si një gabim, sepse nga ai moment brazilianët nuk po lëvizin në fushë. Ai e thotë hapur se nëse vlonjatët nuk kanë reflektuar nga tri takimet e luajtura në fund, nuk do të ngjiten dot në elitë. Ndërkohë Kushta tregon edhe strategjinë që duhet ndjekur.

Kushta, Flamurtari do të duhet të kalojë nga “play off”-i për Superioren. Çfarë duhet të bëjnë?

Për të kaluar “play off”- in duhet që ekipi të fitojë. Por jo me fjalë, por me rezultat.

Keni një koment për ecurinë e deritanishme?

Ecuria ka qenë shumë negative. Në fakt, vetëm financat kanë qenë shumë të mira. Buxheti ka qenë si të ishte një skuadër që luante në elitë. Por organizimi si çdo vit lë për të dëshiruar. Ekipi nuk do vetëm financa të shëndosha, por do strategji.

Ngjitet Flamurtari në Superiore?

Në qoftë se skuadra tregon këtë motivim dhe gjendje sportive të momentit, nuk ngjitemi. Po të kenë reflektuar nga tri ndeshjet e fundit, kam besim se po. Vetëm atëherë do të ngjiteshin në Superiore.

Pse kjo situatë, çfarë nuk ka shkuar?

Gabimi i parë ka qenë afrimi i Marcelo Troisit si trajner. Kurrë në botë nuk bën vaki që të jetë menaxheri që sjell lojtarë, trajner ekipi. Ndërsa po gabim është largimi i Troisit nga pankina, pasi të gjithë lojtarët që kishte sjellë ai, për shumë arsye nuk lëviznin fare më në fushë që nga momenti kur trajneri u largua.

Në fakt, Iakoveli akuzoi Troisin për komisione. Keni një koment?

Akuzat vijnë si rezultat i një trajneri që është edhe menaxher, kjo është e palejueshme.

Çfarë nuk ka ndryshuar Longo?

Longo nuk mund të bënte asgjë në ato momente… Pasi të gjithë brazilianët ishin me kurdisje nga Troisi. Trajneri duhet të vijë shpejt dhe të gjejnë strategji çfarë lojtarësh duhen… dhe jo të gjithë nga Brazili. Kampionati ynë dihet që është i fortë, ka kroatë, sllovenë, futbollistë nga shumë shtete, dhe nuk e njohin shumë mentalitetin tonë të futbollit.

Keni një vlerësim për lojtarët brazilianë?

E pamë këtë kampionat. Në ndeshje të forta brazilianët ishin pa forcë dhe me frikë, sidomos në ndeshjen vendimtare me Dinamon në Vlorë.

Çfarë duhet të kenë parasysh për sezonin e ri?

Duhen njerëz që njohin futbollin dhe që bëjnë punën e tyre. Sinani duhet të gjejë njerëz të aftë. Për shembull, për lojtarët duhet një trekëndësh: presidentmenaxher-trajner. Të pyeten ku duhen blerë lojtarët.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"