“Kurrë, si ky kampionat”, Arapi: Nuk kam përjetuar asnjëherë një garë me kaq shumë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 18:37

“Kurrë, si ky kampionat”, Arapi: Nuk kam përjetuar asnjëherë një garë me kaq shumë…

Një jetë në Superiore! Ka luajtur me Dinamon, Besën, Shkumbinin, Partizanin dhe Skënderbeun. Në fund u kthye në shtëpi, me Teutën. Kapiteni Renato Arapi është një nga titullarët e skuadrës durrsake dhe ai ka besim se objektivat do të arrihen. Në një prononcim për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi 34-vjeçar ka konfirmuar se e ka hedhur pas krahëve dëmtimin. Ai analizon edhe situatën në kampionat, ndërsa beson te fitorja kundër Bylisit. Kujtojmë se në ndeshjen e parë të këtij kampionati, durrsakët triumfuan minimalisht 1-0, pikërisht me gol të Arapit.

renato arapi

Si e vlerësuat ekipin kundër Laçit, pasi e rifilluat kampionatin me humbje?

T’ju them të drejtën, ishim përgatitur për diçka ndryshe, por nuk doli ashtu siç e kishim menduar. Jemi të ndërgjegjshëm të gjithë që kjo ka qenë një nga ndeshjet me të dobëta të kampionatit për ne.

Skuadra thuajse nuk e rrezikoi fare portën, mendoni se me afrimet e tre sulmuesve që nuk luajtën të martën do të jetë ndryshe ndaj Bylisit? 

Nuk do të thosha që çaluam vetëm në sulm, por të gjithë si ekip. Nuk arritëm të konkretizonim rastet që u krijuan. Për sa u përket afrimeve të reja, sulmuesi Gomes që nuk pati shansin të luante, shpresoj që të jetë gati bashkë me lojtarët e tjerë dhe ta tregojë veten në fushë. Të gjithë lojtarët e afruar në pjesën e sulmit do na duhen shumë.

renato arapi

Çfarë ka sjellë Edi Martini ndryshe në ekip?

Profesor Martini është munduar ta vendosë theksin te shpejtësia e lojës, pra që të luajmë akoma më shpejt. Përveç kësaj është munduar shumë që t’u japë besim lojtarëve të rinj.

Objektiv mbetet Europa apo keni shpresa edhe për titullin në këtë vit jubilar, meqë klubi feston 100-vjetorin? 

Unë e kam thënë dhe më përpara që titulli është gjithmonë i vështirë. Gjithsesi, nga këto pesë ndeshje, katër i kemi brenda dhe nëse marrim maksimumin, sigurisht që do luftojmë për titull. Tani të shikojmë se si do ecim në vazhdimësi.

Çfarë emri do i vendosnit këtij kampionati, pasi diferencat sikur nuk ekzistojnë…? 

Është një nga kampionatet më të luftuara, kjo për vetë faktin se edhe diferencat mes ekipeve nuk janë të mëdha. Kjo e bën akoma më të luftuar, pasi dhe renditja e tregon. Besoj se deri në fund kështu do jetë, shumë i ashpër.

Teuta Arapi

Mban mend Arapi ndonjë garë të tillë me kaq ngjeshje në renditje dhe gabime? 

Me sa mbaj mend unë, jo, pasi kanë qenë dy ose maksimumi tri ekipe në luftë për titull deri në fund dhe nuk kam përjetuar më parë një kampionat të tillë.

Me afrimet e bëra, e shihni të kompletuar skuadrën?

Duhen gjithmonë lojtarë cilësorë, sepse e rrisin konkurrencën në ekip. Unë mendoj se për momentin jemi të kompletuar në çdo repart. Tani çdo gjë mbetet në dorën tonë. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën dhe ta çojmë ekipin e Teutës aty ku e meriton.

Me Laçin e nisët nga stoli për shkak dëmtimi, a do të jeni në fushë nga minuta e parë ndaj Bylisit? 

Fatmirësisht atë dëmtim që pata e kam hedhur pas krahëve dhe tani jam 100% gati për sfidën me Bylisin.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"