Kuriozitetet e duelit/ Flamurtari është bunker, Skënderbeu s’vdes kurrë. Ja kur shënojnë të dy ekipet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2018 | 17:03

Kuriozitetet e duelit/ Flamurtari është bunker, Skënderbeu s’vdes kurrë. Ja kur shënojnë të dy ekipet

Është apo jo ndeshja mes Skënderbeut dhe Flamurtarit një duel për titullin kampion, këtë do ta tregojë rezultati në fundin e saj, por aktualisht vlonjatët janë pengesa e vetme dhe kryesore e korçarëve në rrugëtimin drejt trofeut.

Sot në Korçë do të luhet një “finale”, të cilën janë të dënuar ta fitojnë kuqezinjtë, nëse duan të ëndërrojnë dhe të luftojnë për të synuar kampionatin.

Flamurati-Skenderbeu

Pavarësisht deklaratave nga kampi i Flamurtarit se objektiv është Europa, një fitore në Korçë do ta shtonte oreksin. Më të qetë janë këta të fundit, që kanë avantazhin e diferencës së pikëve dhe shumë arsye të tjera pse të besojnë që edhe ky do të jetë viti i tyre.

Skenderbeu-Flamurtari

“LUFTË” NUMRASH – Në këtë ndeshje do të përballen sulmi më i mirë dhe mbrojtja më e mirë e kampionatit. Deri tani, Skënderbeu ka arritur të shënojë 35 gola, 15 më shumë sesa Flamurtari. Por, nga ana tjetër, vlonjatët mund të krenohen me mbrojtjen më të mirë të Superiores. Formacioni i Duros është një ekip solid dhe nuk pëson shumë gola.

Skenderbeu

Deri tani ka pësuar 11 të tillë, ndërsa Skënderbeu 14. Interesant është fakti që të dyja skuadrat kanë nga 2 humbje në këtë kampionat, por bardhekuqtë kanë grumbulluar më shumë pikë sesa kuqezinjtë për faktin se kanë 12 fitore kundrejt 8. Janë barazimet ato që vendosin fatin e klasifikimit deri tani: 4 për Skënderbeun dhe 8 për Flamurtarin.

“ZOT” NË SHTËPI – Skënderbeu do fitoren ndaj Flamurtarit dhe duket se shifrat i ka në favor para këtij 90- minutëshi. Luhet një duel për të thelluar diferencat me vendin e dytë dhe besimi se do t’ia dalin, bazohet tek e shkuara. E fundit herë që janë thyer nga kuqezinjtë në Korçë përkon me 11 prillin e vitit 2010.

Golat

Asokohe ndëshkoheshin në të 58-ën minutë prej golit të Franc Veliut. Por, që pas asaj sfide e deri më sot, kur bardhekuqtë kanë “komanduar” kampionatin, kur janë përballur plot 12 herë në stadiumin “Skënderbeu”, nuk e njohin më disfatën. Sikur të mos mjaftonte kolona e fitoreve, edhe golavarazhin e kanë në “krahë”, pasi e kanë gjetur 24 herë dhe kanë pësuar vetëm 4.

SI SHËNOJNË- Ka një të dhënë interesante që tregon se Skënderbeu luan mirë futboll dhe shënon në mënyrë konstante në të gjithë ndeshjen.  Korçarët thuajse kanë gjetur rrugën e rrjetës në të gjitha minutat e ndeshjes, ndërsa pikën më të lartë të realizueshmërisë së tyre e kanë në minutat e fundit.

skenderbeu-flamurtari-shehi-bushic-ardian-beqiri-470x313

 

Nga minuta e 75- të deri në të 90-tën kanë pikën kulmore të tyre me 40% të golave (14). Ndërsa Flamurtari, momentin më të mirë për të gjetur rrugën e rrjetës, e ka në harkun kohor 30-45 minuta. Vlonjatët kanë një moment pauze 15 minuta në fillimin e pjesës së dytë, pasi nuk kanë shënuar ende asnjë gol në këto minuta. Por, ashtu si Skënderbeu, edhe vlonjatët dinë të zgjohen në fund pasi kanë shënuar 30% të golave nga minuta e 75-të deri në të 90- tën. Kjo do të thotë se ndeshja e sotme do të mbarojë shumë vonë…

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"