Kuriozitete/ Shehi në historinë e Ligës së Europës, klubet shqiptare asnjë fitore ndaj atyre zvicerane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2017 | 12:08

Kuriozitete/ Shehi në historinë e Ligës së Europës, klubet shqiptare asnjë fitore ndaj atyre zvicerane

Faqja zyrtare e UEFA-s i ka bërë një përmbledhje pragndeshjes së fundit në grupin B mes Jang Bojsit dhe Skënderbeut që do të luhet nesër, në orën 19:00. “Panorama Sport” sjell disa nga kuriozitetet e ekipeve që e mbyllin këtu përfaqësimin në Ligën e Europës.

Skenderbeu-Jang Bojs

* As Jang Bojsi dhe as Skënderbeu nuk mund të arrijnë në fazën tjetër, por skuadra zvicerane do të shpresojë t’i japë fund paraqitjes zhgënjyese në grup duke marrë fitoren e parë në ndeshjen e fundit.

* Skënderbeu mposhti udhëheqësit e grupit, Dinamo Kiev, me shifrat 3-2 në shtëpi. Tashmë ka shansin që për herë të parë të përfundojë grupin në vendin e tretë nëse arrin të shmangë humbje në Zvicër. Kjo është performanca më e suksesshme në Europë në historinë e Skënderbeut.

* Dy klubet barazuan në takimin e parë, në “Elbasan Arena”, falë golave të sulmuesit nga Gambia, Ali Soue, si dhe lojtarit nga Bregu i Fildishtë, Roger Asale, shtatë minuta para përfundimit të takimit.

* Klubet shqiptare nuk kanë fituar asnjë takim ndaj atyre zvicerane në historinë e Kupave të Europës.

* Skënderbeu nuk ka marrë ende një pikë jashtë fushës për këtë edicion në grupin B. Nesër është shansi për të thyer këtë statistikë negative.

* Udhëtimi nga Elbasani, ku Skënderbeu luan ndeshjet europiane, deri në qytetin e Bernës është rreth 1200 kilometra.

* Jang Bojsi mburret me talentin shqiptar, Taulant Seferi, që në Zvicër njihet me mbiemrin Sulejmanov. Ai është pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe prej vitesh luan te klubi zviceran.

* Mbrojtësi i Skënderbeut, Fidan Aliti, filloi karrierën e tij në Zvicër duke luajtur për Old Bojs (2011-13) dhe Luzern (2013-15).

* Skënderbeu është një nga tri skuadrat që kanë arritur në fazën e grupeve të Ligës së Europës, të cilat kanë filluar fushatën e tyre nga turi i parë paraeliminator. Si Skënderbeu kanë bërë edhe Makabi Tel-Aviv dhe Crvena Zvezda.

* Portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, është lojtari i nëntë në moshën 40-vjeçare që ka luajtur në historinë e Ligës së Europës. Mirëpo, në garën e këtij sezoni, ai është futbollisti më i vjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"