Kurë me gjakun e tij, Nojer shpëton Botërorin. Dy injeksione në plazmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2018 | 13:55

Kurë me gjakun e tij, Nojer shpëton Botërorin. Dy injeksione në plazmë

Në rrugën e tij të gjatë dhe të vësh tirë për t’u rikthyer mes shtyllave për Botërorin e Rusisë, kapiteni i Bajernit dhe Gjermanisë, Manuel Nojer, nuk ka lënë gur pa lëvizur pas frakturës së tretë të kockës së metatarsalit në këmbë.

Madje, “Bild” zbulon se portieri ka injektuar edhe gjakun e tij për të përshpejtuar riaftësimin. Mjekët kanë kryer dy seanca terapie me plazmë (injeksione) në nëntor dhe dhjetor 2017, në mënyrë që kocka e thyer e metatarsalit të majtë të ngjitet sa më mirë dhe shpejt, dhe kështu pjesëmarrja e 31- vjeçarit në Kupën e Botës në Rusi nuk është më në rrezik.

nojer

Çfarë është ABI – Injeksioni i Plazmës Autologus (ABI) është një procedurë mjekësore e përdorur për herë të parë rreth viteve 2000, ku gjaku i pacientit kalon në centrifugë për të ndarë plazmën dhe injektohet më pas në zonën e trupit për të pasur një efikasitet më të lartë në shërim. Terapia forcon edhe sistemin imunitar dhe përshpejton rehabilitimin.

“Duke qenë se Nojeri e ka vuajtur këtë dëmtim tri herë në vitet e fundit, procesi i riaftësimit është më i ngadaltë”, thotë shkencëtari i sporteve, Ralf Ohrman, për “Bild”. “Unë kam folur me të dhe ai është shumë optimist dhe shpreson të rifillojë së shpejti stërvitjen”, u shpreh për “Sky” pak ditë më parë trajneri i kombëtares, Joakim Lëv.

Rikthehet më 18 shkurt – Aktualisht futbollisti është duke shijuar një pushim të shkurtër në Tajlandë (deri në datë 18) përpara se të rikthehet në Mynih. Sipas “Bild”-it, terapia e ndjekur nga Manu ka qenë plotësisht e suksesshme dhe rikuperimi ka shkuar më së miri. Pas pushimeve ai do vizitohet dhe njëherë te doktori për të vendosur se kur do kthehet në stërvitje. Megjithatë, për asgjë nuk do nxitohet edhe pse ai pritet që të rikthehet në fushë gjatë muajit mars ose prill.

Nojer ka luajtur për herë të fundit në javën e 4-t të Bundesligës (shtator 2017). Menaxheri i tij Tomas Kroth e ka lënë të hapur mundësinë që portieri të luajë përsëri me klubin e tij gjatë këtij sezoni: “Nëse do të duhet të zgjasë një javë më shumë, atëherë do të presim një javë më shumë, nëse do të zgjasë tri javë, atëherë do të presim tri javë. Nuk do të nxitohemi”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"