“Kur VAR të thërret, ke gabuar…”, Benzema flet pas derbit: Ishte penallti, duam titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2021 | 13:14

“Kur VAR të thërret, ke gabuar…”, Benzema flet pas derbit: Ishte penallti, duam titullin kampion

Ndeshja e djeshme ishte historike për Karim Benzemanë. Sulmuesi i Realit të Madridit u bë lojtari i huaj me më shumë sfida të luajtura me skuadrën spanjolle në La Liga.

BENZEMA

Ekzaktësisht ai ka 371 ndeshje në kampionat duke parakaluar Roberto Karlosin. Arriti ta festonte mjaft mirë këtë “rekord” të vogël duke shënuar një gol të rëndësishëm për skuadrën e Realit, i cili shmangu humbjen në derbi. Benzema u rikthye pas një dëmtimi dhe bëri gjithçka për të qenë në fushë në këtë ndeshje. Ai thotë se skuadra do të vazhdojë të luftojë për titullin kampion deri në fund të kampionatit.

NDESHJA – “Mendoj që bëmë një paraqitje shumë të mirë. Ishte e vështirë ndaj Atletikos së Madridit. Ata janë në formë. Mendoj se pjesa e parë ishte për ta, ndërsa e dyta ishte për ne. Është një pikë shumë e rëndësishme për ne”.

GOLI – “Jam pak i zhgënjyer sepse pak përpara se të shënoja mund të kisha gjetur golin. Por, portieri bëri pritje të shkëlqyera dhe u tregua i zoti”.

OBJEKTIVAT- “Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi. Sigurisht që La Liga është në mendjen tonë, por kampionati është i gjatë”.

PENALLTIA – “Unë nuk e kam parë fare si rast. Mendoj se Hermoso e preku me dorë për aq kohë sa arbitri u sinjalizua që ta shihte rastin. Zakonisht kur arbitrat shkojnë që ta shohin gabimin që kanë bërë duhet të japin penallti. Por, ne u treguam të qetë dhe me mendjen të ftohtë duke arritur të gjenim barazimin”.

GOLAT – “Nuk e di nëse mund të them që mungojnë golat, por ne mund të shënojmë më shumë. Kemi raste dhe prodhojmë futboll, por nuk arrijmë që t’i dërgojmë në rrjetë. Duhet të punojmë edhe në këtë aspekt”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"