Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2017 | 20:38

Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

BESNIK DIZDARI

KAPITULLI II

PO M B Ë R R I N T E N O R V E G J I A 2 0 1 3

 

Atë ditë të 22 marsit 2013 mendja më pat çuar te një ditë tjetër. Ajo i përkiste vitit 1984! “Viti oruellian”, siç e kam quajtur te “Libri Besnik-Dizdarii Kombëtares”. Ishte Kupa e Botës 1986. Kjo më dukej dhe pika e krahasimit me Shqipërinë e Oslo 2013. Ky kishte qenë turneu, i cili jo vetëm nuk qëndronte poshtë Norvegjisë 2013, por ndoshta dhe ia kalonte këtij. Një kalim që, mbas gati 30 vjetëve, më nxiste për të ulë euforinë që kishte pushtuar zemrat futbolldashëse të shqiptarëve.

E formuar, e paraprirë prej sensacionit të Shpresës (NËN 21) të Shqipërisë 1983, e cila eliminonte Gjermaninë dhe Austrinë, Kombëtarja e vitit 1984 e Shyqyri Rrelit edhe e të paharrueshmit Medin Zhega, ishte rrjedhë e saj. Dhe, nëse do të krahasonim Renditjen e 2013-ës me atë të turneut kualifikues të Kupës së Botës 1986, diskutimi merrte ndoshta debate të zjarrta… …Shqipëria e kishte nisur aventurën e saj më 17 tetor 1984 me një humbje dramatike të minutave të fundit 1-3 në Bruksel me Belgjikën.

Mbas 14 ditëve, më 31 tetor, ajo barazon bujshëm 2-2 në Mielec me një Poloni të asokohe, e cila qëndronte dukshëm mbi Norvegjinë 2013. Kulmi nuk do të ishte këtu, por në ndeshjen e 22 dhjetorit 1984 në Tiranë, atë Shqipëria–Belgjika 2-0! Edhe ajo ishte një Belgjikë dukshëm mbi Norvegjinë 2013: Nënkampione e Europës 1980, në 8 më të mirat e Kampionatit Europian 1984, teksa mbas dy vjetëve do të ishte e katërta e botës!

Pfaf, Scifo, Culemans, Varcauteren me shokë. Po ajo çka më interesonte në këtë vështrim kritik, ishte pamja që merrte Renditja e Grupit 1 të Europës: Polonia 3 pikë, Shqipëria 3, Belgjika 3, Greqia 1. Kishin qenë Musta, Zmijani, Hodja, Targaj, Ocelli, F.Rragami, Demollari, Muça (Vila 88’), Josa, Minga, A.Kola. Trajnerë: Sh.Rreli, M.Zhega. Një Shqipëri mëtuese ndoshta edhe më fort se rasti “Norvegjia 2013”. Ngjarja kishte marrë përmasa europiane.

de biazi

“Ndeshjet e para eliminatore të Kupës së Botës në futboll 1986, që do të zhvillohen në Meksikë, – shkruante AFP – kanë shkaktuar tashmë disa tronditje. Pasi mori 1 pikë në Poloni (2-2) dhe duke mundur në fushën e saj Belgjikën 2-0, Shqipëria konfirmon kështu progresin e saj të jashtëzakonshëm…”. “Ekipi shqiptar, – shkruante ‘L’EQUIPE’, – arriti të shtunën një fitore sensacionale kundër formacionit belg… Futbolli shqiptar po peshon gjithnjë e më shumë në skenën botërore të futbollit”. “Kombëtarja e Gi Tisit, – thoshte ‘LA GAZZETTA DELLO SPORT’, – u mund dje në mënyrën më të bujshme prej një Shqipërie, e cila demonstroi se barazimi i arritur në fund të tetorit (2-2) në Poloni (pasi ka kryesuar deri 10 minuta para mbarimit), nuk ishte i rastit.

Fitorja i lejon Shqipërisë që të bashkohet në krye të grupit me dy rivalët e mëdhenj, të cilët tashmë shohin tek ajo një rival të tretë të papritur e të rrezikshëm”. Ndërkaq, rikujtoj edhe këtu numrin e 8 janarit 1985, të revistës më autoritare të futbollit, “FRANCE FOOTBALL, i cili ia kushton gjithë mbulesën (kopertinën) e tij vetëm Shqipërisë së fitores me Belgjikën, duke pas në plan të parë portierin Perlat Musta.

Nuk kishte ndodhur asnjëherë dhe nuk do të ndodhte kurrë më! Po për fatalitet, do të mbërrinte Greqia-Shqipëria 2-0 e 27 shkurtit 1985, zhgënjyese edhe për mua si i dërguar i posaçëm i shtypit shqiptar. Humbja e stadiumit olimpik të Athinës para syve të trajnerit të Italisë kampione e botës në fuqi, Enzo Bearzot.

Ndërkaq, më 1 maj 1985, Belgjika triumfon ndaj Polonisë në Bruksel me një 2-0 shembullor dhe kryeson grupin me 7 pikë, në dukje të jashtme duke errësuar çdo mundësi kualifikimi të drejtpërdrejt të tre të tjerëve, të cilët ishin në baraspeshë elokuente me nga 3 pikë. E, mû në këtë çast nis sulmi i papërmbajtshëm polak: 4-1 në Athinë Greqisë dhe ja ndeshja Shqipëria – Polonia e 30 majit 1985 dhe 1-0 për Poloninë me golin e minutës 24 realizuar nga Zbignjew Bonjek, njeriu i cili vetëm 24 orë më parë i kishte dhënë Juventusit Kupën e Kampioneve në mbrëmjen tragjike të “Hejselit” në Bruksel.

Dhe shkarkim i pamëshirshëm i trajnerëve Rreli dhe Zhega! Më 30 tetor 1985, Shqipëria barazonte ndeshjen e fundit 1-1 në Tiranë me Greqinë dhe arrinte renditjen më të lartë dhe më të pasur në histori për një pjesëmarrje të saj në Kupën e Botës. E treta në grup me 4 pikë larg dy të parëve Poloni e Belgjikë, duke lënë mbrapa Greqinë. …

Ishin histori të shkuara. Tash na duheshin vetëm edhe pak ditë për t’u bërë pjesëtarë të mbrëmjes së Oslos të 22 marsit 2013, kur do të mësonim nëse vërtet Shqipëria e këtij Oslo të Norvegjisë 2013 kishte rrënjë dhe bazament, forcë dhe seriozitet, futboll europian dhe që synonte të shndërrohej, të paktën për çastin, në një fitimtare, çka rrallë, tejet rrallë, ajo kishte qenë. …

O S L O 2 0 1 3: N O R V E G J I A – S H Q I P Ë R I A 0-1

Kupa e Botës e Shekullit të Ri, këtij XXI. Saktësisht 22 mars 2013. Dhe dihet, ndërkaq. Shqipëria nuk ka lojtarë të bukur, artistë të topit. Në të vërtetë, futbolli modest shqiptar ka prodhuar pak të tillë. Pa harruar ndërkaq se sot mbi gjithçka zotëron teknika racionale, si të thuash, teknika e arsyes, jo e bukurisë si qëllim në vetvete.

Salihi gol Norvegjise

Befasisht Shqipëria e Oslos ka qenë e tillë. Ndonëse ndaj norvegjezëve ajo nuk ka pasur asnjë mbajtës të topit, disi nuk ka pasur as edhe një përpunues teknik të topit. Ka pas pasimin racional prej këmbëve disi të pagabueshme. Por Shqipëria e Oslos kishte qenë edhe taktike. Taktike më fort se kurrënjëherë. Një lloj “catenaccio”. Dihet se çka është “catenaccio”, siç ka hyrë në historinë e gjuhës së përbotshme të futbollit prej fjalësit italisht: një “dry hekuri” në fund të fundit.

Është “një modul loje që ngre lart cilësinë mbrojtëse, që e shndërron në një modul fitimtar, duke pas si platformë kundërsulmin”. Po Shqipëria, ndërkaq, kishte qenë e disiplinuar edhe taktikisht. Një taktikë e mbrojtjes së përforcuar dhe e daljes së menjëhershme në kundërsulm, i rrallë ky, por efikas. Skuadra nuk kishte pasur një regjisor të mirëfilltë. Kështu as Basha, as Bulku, as Roshi. Gjithçka të dukej si një mister. I vetmi që, herë mbas here, shfaqej si një lider, ndonëse vinte nga mbrojtja, ishte kapiteni Cana. Kështu apo ndryshe, ndodhi që krejt papritmas për norvegjezët, do të mbërrinim te goli.

Flamuri kuqezi ne Norvegji-Shqiperi 0-1

Një gol emblematik mû për kah taktika. Një sulmues i fshehur (Salihi) që përvidhet prej zonës së portës kundërshtare, i cili mandej shfaqet krejt i lirë duke pasur përballë portën dhe rrjetë! Ishte 1-0 dhe vetëm kaq. Nuk mund të themi se qe “catenaccio”. Ndoshta ishte një “catenaccio” jo “konservatore” e shekullit XX, por një moderne 4-4-2 e këtij XXI.

Mbrojtje e përforcuar, me shumë lojtarë me në krye kapitenin Lorik Cana, por dalje e menjëhershme në kundërsulm, çka asnjëherë nuk ishte parë te skuadra shqiptare. Dhe goli i minutës 67 me autor sulmuesin Hamdi Salihi, i cili luante në Kinë.

Ky ishte autori i një goli që erdhi prej një goditjeje nga vendi, një skemë, siç u tha, e përsëritur me dhjetëra herë në stërvitje prej Gianni De Biasit. Edhe sot më 2017, nuk ka marrë përgjigje kjo pyetje: “A shkoi Shqipëria për të fituar në Oslo”? Ajo shkoi për të mos humbur dhe mandej gjatë rrugës së 90 minutave, që na u patën dukur si 90 ditë, ajo filloi të mendonte se mund të fitonte.

Norvegji-Shqiperi 0-1, kuqezinjte gezojne fitoren

Fitoi. Fitoi me një dinakëri dhe pragmatizëm ballkanik që rrallë shfaqet këso ane. Portieri Berisha ishte “ideologu” i ideologjisë në radhë të parë, të moshumbjes. Dhe e të vona, edhe të fitores. Dhe ku? Mbrenda në Olso, ndaj Kombëtares së një shteti, i cili nuk ka të krahasuar me Shqipërinë jo vetëm në futboll, por në të gjitha fushat e jetës: Norvegjia. Fitorja ishte historike.

Jo thjesht sepse ishte fitorja e dytë e jashtëfushës për Shqipërinë në Kupën e Botës (e para ishte Kazakistani–Shqipëria 0-1), por sepse ishte arritur ndaj një rangu të lartë, siç ishte Norvegjia. Ishim në vitin 2013, kur ashtu si më 1984, krejt papritmas për opinionin botëror të futbollit, Shqipëria përfshihej në një “temë” tjetër: te ëndrra e mundësisë së kualifikimit.

M O S I S H T E N J Ë “I T A L I A N I Z I M”?

Kujtoj se ka qenë 17 tetor 2002. Aeroporti i Vollgogradit (Stalingrad), siç kam shkruar, një aeroport i stilit të viteve ’40, që se si të kujtonte vetvetiu një filmim bardhezi të peizazhit të Luftës së Dytë Botërore. Ishte skuadra kombëtare e Shqipërisë që po kthehej për në Tiranë mbas humbjes 4-1 prej Rusisë. Krejt i mërzitur, i fundosur në një nga ndenjëset e vjetra të aeroportit të zymtë në breg të Vollgës, trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, italianit Beppe Dossena, dorëheqja i lexohej në fytyrë. Për pak, portreti i tij më ngjason me atë të një Gianni De Biasi mbas humbjes 1-2 me Luksemburgun para do kohëve të këtij vitit të sotëm 2017.

de biazi

Për fat, të dy janë italianë. Dossena kishte drejtuar vetëm ndeshjen e dytë të Shqipërisë për EURO 2004. Pesë ditë më parë (12 tetor 2002) kishte barazuar 1-1 në Tiranë me Zvicrën e Chapuisat dhe tani ishte shkatërruar 4-1 prej Rusisë, ndonëse mbas një pjese të parë të shkëlqyeshme. Pak ditë më vonë, dorëheqja e tij e parevokueshme përcillej në Shqipëri thuajse me një përçmim. Si gazetar i vjetër, u mundova ta shpëtoja situatën me një intervistë të posaçme (ekskluzive) me Dossena-n, në të cilën papritmas ai do të shfaqej si një xhentëlmen i vërtetë, duke shpjeguar shkaqet personale të dorëheqjes. Gati-gati ashtu si çka tha Gianni De Bisi këto ditë të dorëheqjes së tij datuar 2017, ende krejt të freskëta dhe emocionuese…

Por ishim më 2002 dhe të dukej se këtu do të merrte fund përgjithmonë një Shqipëri e stilit italian… …Kështu kishte filluar aventura e ndërprerë e stilit italian e Kombëtares modeste të Shqipërisë. Si një meteor, Beppe Dossena megjithatë, ka mbetur në histori si trajneri i parë i huaj i Shqipërisë, mbas plot 55 vjetëve.

De Biazi hysaj

I fundit para tij kishte qenë jugosllavi i famshëm Ljubisa Brocic, me të cilin Shqipëria ishte shpallë Kampione e Ballkanit më 1946 deri dhe kundër Jugosllavisë të emrave botërorë: Matosic, Cajkovski, Mitic, Bobek e Vukas – deri në atë vit 2002, i vetmi sukses i madh shqiptar. Dhe me një portier italian: Giacomino Poselli (1922-2007). Suksesi i madh i Tiranës 1946, do të ishte starti i bujshëm profesional i Brocic-it, i cili do të mbërrinte deri te Juventus (Kampion i Italisë më 1958), por dhe te Barcelona. Edhe në rastin e Poselli-t dhe të Brocic vetvetiu mbetet një lidhje jo e drejtpërdrejt italo– shqiptare…

Nuk mund të parashikonim megjithatë se do të mbërrinte një ditë kur pozita historike e një Hans Peter Briegel-i në krye të Shqipërisë të lëkundej deri aty sa të na çonte përsëri te një emër italian. E quanin Gianni De Biasi. E, lidhjet ishin “antike”. Duhet të pranojmë se themelet e sportit e të futbollit modern në Shqipëri datojnë me vitet ’30, kur Mbreti Zog organizoi gjithçka duke u mbështetur tek Italia. Jerarku italian Giovanni Giro, është organizator i rinisë dhe sportit shqiptar.

de biazi

Ndërkohë që emra të tillë si Ratti apo Lissoni, janë gjithçka: organizatorë të sporteve në qytetet e Shqipërisë, trajnerë të skuadrave, arbitra… Mandej, pushtimi fashist dhe tri Kampionate Kombëtare (1939, 1940, 1942). Por dhe një stadium kombëtar i stilit musolinian i ndërtuar më 1943, që, me gjithë historinë e tij të pafund, u shua më 2016. Më 2002, Shqipëria do të kalonte nga italiani Beppe Dossena te gjermani Hans Peter Briegel, i cili në të 31 ndeshjet e tij (11 fitore, 4 barazime, 16 humbje) ndryshoi krejtësisht konceptin e futbollit të Kombëtares së Shqipërisë, duke e modernizuar jo pak lojën e saj me rekordin e 11 fitoreve, çka nuk e kishte arritur asnjë trajner i më- parshëm.

Dhe, me dy kulme të paimagjinueshme: 3-1 Rusisë më 2003 dhe 2-1 Greqisë më 2004 – Kampione e saposhpallur e Europës! E vërteta ishte se pakkush në Shqipëri qe entuziast për ardhjen e një De Biasi, thuajse të panjohur për shqiptarët. Ndoshta vetëm FSHFja dhe kryetari i saj Armand Duka. Na shkonte mendja për një emër më të madh. Na dukej një emër tejet larg me paraardhësit të tij, sidomos me një Hans Peter Briegel apo me një Otto Baric.

de biazi

Po ndërkohë ai mbërriti. Dhe stili italian që do të shpërthente në ndeshjen e madhe me Norvegjinë. Ndodhte për herë të parë në histori që Kombëtarja e Shqipërisë kishte paraqitur në fushën e lojës plot 5 “italianë”: Bogdani (Siena), Cana (Lazio), Basha (Torino), Çani (Catania), Hysaj (Empoli). Ky ka qenë çasti kur guximi i De Bias-it përfshiu në lojë 19- vjeçarin Elseid Hysaj të Empolit – sot lojtari Nr. 1 i Kombëtares së Shqipërisë dhe titullar i rangut më të parë të Napolit – i treti i Serinë A të Italisë 2017; një djalosh, i cili në këtë shterim të sotëm të talenteve të tokës shqiptare, për fat, vjen në futboll prej ekipeve të fëmijëve të Shkodrës.

Guximi ishte cilësia që e portretizonte më qartë trajnerin De Biasi: plot 6 lojtarë të ndeshjes me norvegjezët nuk kishin luajtur më shumë se 8 ndeshje me Shqipërinë: E.Berisha (5), Mavraj (8), Hysaj (1), Basha (0), Çani (9). Natyrisht, debutimi i “torinezit” Migjen Basha ishte spektakolar. Mos i kemi harruar kaq shpejt të gjitha këto, teksa po kërkohet trajneri i ri i Kombëtares, duke e ulur disi “piazza-n”?… E vërteta ishte se ky trajner italian i Shqipërisë mbrenda pak muajve kishte ndërtuar thuajse një Kombëtare “të re” shqiptare.

De Biazi me ekipin

Pata shkruar këto radhë: “Modest, elokuent dhe i matur në deklarata, i pagabueshëm përmes një stili që të dukej më tepër prej gazetari se sa të një tekniku, Gianni De Biasi u pa gjithnjë me një buzagaz të sinqertë, duke u përshkuar sidomos në ekranet e televizioneve shqiptare thuajse si një komentator i futbollit, i cili i di gjërat fort mirë. Ai kishte vendosur t’ua fitonte zemrat shqiptarëve me modestinë, sinqeritetin dhe afërsinë e tij shembullore.

Dhe rezultatet që me ulje e ngritjet e tyre do të mbërrijnë deri te sensacionalja Norvegjia – Shqipëria 0-1 e 22 marsit 2013. Kupa e Botës Brazil 2014. Dhe kujtojmë: Shqipëria – Qipro 3-1, Zvicra – Shqipëria 2-0, Shqipëria – Islanda 1-2, Shqipëria – Sllovenia 1-0, Norvegjia – Shqipëria 0-1. Ishin 5 ndeshje, 3 fitore, 2 humbje, golat 6-5.

Mbas barazimit 1- 1 të Zvicrës në Qipro, për herë të parë në histori në gjysmë të rrugës kualifikuese, Shqipëria ndodhet vetëm 2 pikë larg vendit të parë! Për herë të parë në histori, Shqipëria renditet e treta në merita të barabarta me vendin e dytë dhe me vetëm me 2 pikë larg të parit mbas 5 ndeshjeve. Për herë të parë në histori, Shqipëria arrin 3 fitore në kualifikimet botërore dhe europiane në një grup me 6 skuadra.

de biazi

Për herë të parë, Shqipëria ka një bilanc pozitiv mbas 5 ndeshjeve. Për herë të parë, Shqipëria arrin mesataren më të lartë të pikëve për ndeshje (1.8). Për herë të parë, Shqipëria ka një golaverazh pozitiv (6-5). Ndërkohë që, duke marrë parasysh edhe ndeshjet miqësore, italiani Gianni De Biasi bëhej trajneri i parë i Kombëtares së Shqipërisë me bilanc pozitiv në tanësi: 11 ndeshje, 5 fitore, 2 barazime, 4 humbje, golat 11-10.

Mbasi ka kuptuar edhe ai si të tjerët, nivelin për fat, ende të ultë të kampionatit të Shqipërisë, Gianni De Biasi ndoqi edhe ai rrugën e trajnerëve paraardhës, duke u mbështetur te shqiptarët, të cilët luajnë jashtë. Me një ndryshëm të papërmbajtshëm ai u shndërrua në qytetar i Europës. Ndodhet thuajse gjithnjë në avion dhe mbrenda disa muajve i sjell Kombëtares së Shqipërisë debutues të tillë si Edgar Çani, Armando Sadiku, Mërgim Brahimi, Mërgim Mavraj, Alban Meha, Burim Kukeli, Elsid Hysaj, Migjen Basha, Etrit Berisha! Vetëm njërin e ka formuar futbolli i Shqipërisë: Sadikun.

Që do të thotë plot 9 lojtarë të herës së parë, 7 prej të cilëve shqiptarë të Kosovës. Kështu, ai i jep Kombëtares së Shqipërisë ngjyrat më të fuqishme mbarëkombëtare që ajo ka pasur ndonjëherë. Është edhe kjo dukuri për shembull, që në ndeshjen me norvegjezët, rreth 4000 shikues ishin shqiptarë të Kosovës.

de biazi

Ndërsa në fushën e lojës ishin plot 6 djem shqiptarë të Kosovës: E.Berisha (Kalmar), Dallku (Vroskla P.), Cana (Lazio), Mavraj (Grojther Firth), Basha (Torino), Curri (Genclerbirligi). Duket si një zgjidhje sui generis, madje si një sfidë për kundër ndalimit që i bën ende FIFA pranimit të një Kombëtareje të Kosovës. Ndërkohë që kjo dukuri është një tronditje e fortë kundër talenteve që i lind dhe i formon Shqipëria e ashtuquajtur ‘londineze’ (1913).

Ose Kampionati Kombëtar i Republikës së Shqipërisë”. Ky ka qenë çasti kur shqiptarët në eufori e sipër, po i kërkonin trajnerit Gianni De Biasi një kualifikim për në finalet e Rio de Janieros. Ndërkohë që ai në mënyrën më lakonike do të reagonte me këto fjalë: “Të qëndrojmë me këmbë në tokë”.

Për ne shqiptarët, edhe kjo deklaratë na dukej e stilit italian, madje e stilit elegant të Italisë Veriore, të Venetos, të Trevisos së Gianni De Biasit… Ky na dukej të ishte “italianizimi” i vërtetë i Kombëtares së Shqipërisë. Na duhej të prisnim me qetësi, megjithatë, edhe pse FIFA sapo e kishte ngjitur Shqipërinë në vendin e 48-të midis 207 shteteve anëtare të saj. Më lart se asnjëherë tjetër!…

* Për vazhdimësi shih Kapitullin I në “Panorama Sport” të 27 qershorit 2017

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"