Kur serbët “çmendën” Apoloninë, një ëndërr që u prish në mes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 20:29

Kur serbët “çmendën” Apoloninë, një ëndërr që u prish në mes

Kur një skuadër ka ngërç rezultatesh, atëherë fillon shfletimi i fletëve të zverdhura të së shkuarës. Nostalgji për Apoloninë e kohëve të arta, sigurisht duke filluar nga Apolonia e Majacit, Toles, Kokurit, Bitës, Tegut, Papuçiut me shokë, dhe pastaj te skuadra që fitoi të vetmin trofe (Kupën e Shqipërisë) më 1998. Dhe, së fundi, tek Apolonia e Esad Karishik, trajnerit që u bë aq karizmatik, popullor dhe i dashur në Fier. Këto janë tri momentet kulmore të skuadrës fierake që prej disa sezonesh vuan në Kategorinë e Parë.

Apolonia gezon me trajnerin

SEZONI SURPRIZË

Boshnjaku Karishik e drejtoi skuadrën fierake në periudhën njëvjeçare, 12 nëntor 2008-13 nëntor 2009 dhe ndërtoi në sezonin e dytë një ekip kompakt, simpatik, sfidues dhe fitimtar. Karishik solli në Fier futbollistë cilësorë nga Bosnja e Serbia, shtuar dhe kualitete nga Shqipëria dhe e “printoi” Apoloninë në stadin e pretendentes. Sezonin e parë, 2008-2009, fierakët e siguruan mbijetesën në epilog të kampionatit, ndërsa në sezonin pasardhës, Karishik mori në fazën e parë frytet e punës së tij. Apolonia, në përfundim të fazës së parë të Superligës 2009- 2010, renditej e treta, me pikë të barabarta me Dinamon e vendit të dytë. Në atë kohë, në Fier, luanin në sezonin e parë: Edin Ferizoviç, Aleksandër Sreçkoviç, Pedrag Mirçeta, Semir e Sead Haxhibuliç, Mladen Brkiç, brazilianët Junior e Da Silva, pa harruar emra të tjerë të kampionatit shqiptar, si: portierët Erjon Dine e Alban Hoxha (sot kapiten i Partizanit), Roland Peqini, Shoshi, Spaho, Meto, Hoti, Roshi, K.Asllani, Dhrami etj. Sezonin pasardhës, Apolonia përforcohet edhe me emra të tjerë, si: Grami, Ofoyen, Jevdjeviç, Ragipoviç, Mone, Kaçi etj. Por, çudia do të ndodhte në fund të kampionatit të atij edicioni. Ndonëse të tretët në fazën e parë, Apolonia në fund të kampionatit rrëzohet në kategorinë inferiore, për shkak se iu larguan thuajse të gjithë lojtarët e formacionit bazë gjatë merkatos së dimrit (teksa Karishik qe larguar qysh në nëntor, me justifikimin e lodhjes, për t’u rikthyer sërish në futbollin shqiptar në drejtimin e Elbasanit për 2 muaj, por pa sukses, duke mos bërë kurrë atë që ndërtoi me Apoloninë). Më vonë, gjatë dhe pas këtij sezoni, ata që u larguan nga fierakët, do të linin gjurmët e veta në skuadrat ku do të aktivizoheshin.

LOJTARËT E SUKSESSHËM

Për serbët dhe boshnjakët, Fieri u bë “pedana” e promovimit në futbollin shqiptar. Korrektë dhe profesionistë të vërtetë, Brkiç dhe Sead Haxhibuliç kanë mbajtur dhe shiritin e kapitenit të Apolonisë, madje fituan dhe zemrën e tifozëve fierakë, duke u shndërruar në beniaminë të këtyre të fundit. Brkiç shënoi 27 gola në 60 ndeshje për Apoloninë dhe pastaj luajti për Skënderbeun (16 ndeshje, 11 gola), Dinamon (11 ndeshje, 5 gola), Flamurtarin (9 ndeshje, 1 gol) dhe Laçin (25 ndeshje, 4 gola). Sead Haxhibuliç shënoi 10 gola në 30 përfaqësime me Apoloninë dhe më vonë luajti edhe për Vllazninë (1 gol në 13 ndeshje) dhe Besën e Kavajës (9 ndeshje, 0 gola). Të tjerët: Ferizoviç me Shkumbinin e Besën; Semir Haxhibuliç, pas Apolonisë, mbrojti ngjyrat e Gramozit, Besës dhe Vllaznisë; Kenan Ragipoviç me Kastriotin etj.

PRITET RIKTHIMI

Tifozëria fierake është nostalgjike për atë skuadër, e fundit që ka dhuruar kënaqësi dhe adrenalinë të ndjeshme, emocion maksimal sportiv, kreativitet, spektakël dhe rezultate. Mbase kohët përsëriten edhe me këtë skuadër të re në periudhë të mëvonshme, siç po pretendojnë ta ideojnë drejtuesit e rinj, ndonëse këtë herë priten produkt lojtarësh thuajse totalisht shqiptarë. E vështirë, por jo e pamundur, sepse ekziston gjithmonë një “eppur si muove” edhe në futboll, që në Fier mezi e presin, për një Apoloni që në kohët më të arta ka luajtur 18 sezone radhazi në Kategorinë e Parë (sot Superliga) dhe Kujtim Majaci ka qenë dy herë shënuesi më i mirë i kompeticionit. Sfida mbetet në portat e “Loni Papuçiut”…

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"