“Kur pësojmë, demoralizohemi. Në transferta vuajmë terrenet”, Çako: Apolonia do të ngjitet, marrim edhe… 15 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2022 | 11:44

“Kur pësojmë, demoralizohemi. Në transferta vuajmë terrenet”, Çako: Apolonia do të ngjitet, marrim edhe… 15 pikë

Endrit Çako e sheh Apoloninë në elitë. Edhe pse skuadra vazhdon të ketë luhatje rezultatesh, portieri nuk mendon se do ta diskutojnë fazën “play off” dhe më tej ngjitjen. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, gardiani paralajmëron kthesën e menjëhershme me Pogradecin dhe blindimin e vendit të 4-t.

Endrit Cako

Humbët 2-1 në Cërrik. A do të ndikojë në blindimin e fazës “play off”?

Vërtet humbëm, por Apolonia nuk e diskuton fazën “play off”. Kampionati rezervon edhe pesë javë të tjera dhe i kemi shanset që të ndreqim gabimin e bërë në Cërrik. Ndeshjet e ardhshme janë vendimtare, ndaj duhet të kemi kujdes.

Çfarë ndodhi në Cërrik?

Ishim të vetëdijshëm për vështirësinë e asaj transferte, mirëpo dy golat e pësuar në pjesën e parë ndikuan shumë në lojën tonë. Na mungoi edhe reagimi…

Për të disatën herë kemi pësuar gola shpejt në transfertë që kanë vendosur fatin e të gjithë takimit. Pse hasni vështirësi në transfertë?

Nuk dua të justifikohem, por në ndeshjen e fundit kemi pasur disa mungesa. Madje, të rëndësishme në mbrojtje dhe në mesfushë. Fatkeqësisht, nuk dolëm në lojën tonë, pasi edhe fusha nuk ishte në gjendjen e saj optimale. E kishim të vështirë të prodhonim lojë dhe aksione të shpejta. Ne jemi mësuar të luajmë në terrene të mira. Si në Lezhë ashtu dhe në Cërrik, goli i pësuar shpejt na demoralizon shumë. Nuk gjejmë forcë për të vijuar ndeshjen, sidomos kur luajmë në transfertë. Dy të humburat na kanë ulur me këmbë në tokë dhe na kanë bërë të kuptojmë se ende duhet të përmirësohemi.

Luhen edhe pesë ndeshje deri në fund, tri i luani brenda dhe dy jashtë. Çfarë llogarish po bëni?

Apolonia do të bëjë të pamundurën për të marrë maksimumin e pikëve në të gjitha ndeshjet e mbetura. E dimë që asnjë përballje nuk do të jetë e lehtë, por i kemi cilësitë për t’u ringritur pas humbjeve. Nuk dorëzohemi për objektivin tonë sezonal, pavarësisht kundërshtarëve tanë në ndeshjet e ardhshme. Fillimisht presim Pogradecin në shtëpi dhe më pas përballemi me Korabin në transfertë. Dy ndeshje shumë të rëndësishme. Nga njëra anë, Pogradeci lufton për mbijetesë dhe nga ana tjetër Korabi kërkon blindimin e vendit të tretë. Bashkë me trajnerin Juri Kanarsa kemi analizuar humbjet e mëparshme dhe u premtojmë tifozëve fierakë autokritikën.

E radhës është përballë liqenorëve. Është i mundur reagimi i shpejtë dhe rikthimi te fitorja në kampionat?

Në këtë ndeshje ne do tregojmë se Apolonia nuk është rastësisht në vendin e katërt dhe synojmë rikthimin sa më shpejt te fitorja në kampionat. Ndryshe nga transfertat, në shtëpinë tonë luajmë më me vetëbesim dhe njëkohësisht jemi më të fortë. Nuk duhet të harrojmë se Apolonia në fazën e dytë i ka fituar të gjitha ndeshjet në shtëpi. Me pak fjalë, jemi të pandalshëm. I kemi nisur që të hënën përgatitjet për këtë sfidë dhe kundërshtarit i kemi dhënë rëndësinë e duhur. Pavarësisht gjithçkaje, Apolonia do të synojë vetëm pikët e plota ndaj Pogradecit, në mënyrë që trendi i fitoreve në shtëpi të ruhet deri në fund.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"