Kur gazetarët shndërrohen në takticienë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2021 | 20:03

Kur gazetarët shndërrohen në takticienë…

Nga BESNIK DIZDARI (Anëtar i jurisë së “France Football”)

Besnik-Dizdari

Kësaj radhe “France Football” na shndërroi në anëtarë të jurisë për një referendum që nuk e kishte organizuar asnjëherë. Siç dihet, “France Football” nuk e përcaktoi për vitin 2020 fituesin e “Topit të Artë”. Kjo ndodhi për herë të parë mbas plot 65 vjetëve (1956) kur fitoi legjendari i Anglisë Stanley Mathews (Stenli Metjus), madje kur ishte plot 41 vjeç – sot e kësaj dite rekordmen si fituesi më i vjetër në moshë. Duke qenë tash 35 vjet anëtar i jurisë së “France Football” për “Topin e Artë” – një rekord edhe ky në vazhdimësi për jurinë e “FF”, rekord ky që i takon gazetarisë shqiptare, ndonëse për 30 vjet të periudhës së parë (1956-1986) ajo mungoi – mbeta edhe unë si të gjithë kolegët e tjerë pa votuar në këtë vit. Por “France Football” është “France Football”! Dhe mori iniciativën për të përcaktuar atë që e quajti “Dream Team” – “Skuadra e Ëndrrave”.

Ndryshe 11-shi më i mirë i futbollit botëror i të gjitha kohërave. Po e them që në krye se ky ka qenë votimi më i vështirë që mund të merret me mend. Kësaj radhe anëtarët e jurisë do të bënin një lloj votimi krejt të veçantë: Ata duhet të përcaktonin 11 më të mirët, simbas një vendosjeje taktike për rolet e secilit lojtar. Mjaft e vështirë kjo, sepse nuk ishte e lehtë ta përcaktoje këtë, kur evolucioni taktik i futbollit – madje qysh në vitet ‘20 të shekullit të kaluar dhe deri më sot – dihet se ka pësuar ndryshime të pafund. Ec e gjeje tash një baraspeshë asisoji që mund të vinte pranë njëri-tjetrit futbollistë të cilët kanë luajtur 60 a 70 vjet më parë me këta të sotmit. Dhe këtë ta realizoje duke respektuar një rregullore sa të rreptë po aq të çuditshme, çka “FF” kishte sendërtuar. Filozofia e këtij votimi apo përzgjedhjeje përmblidhej në disa parime që “FF” vetvetiu të urdhëronte që t’i zbatoje. Në letrën përcjellëse që na dërgon kryeredaktori i “FF”, Pascal Ferré, ai shkruante: “…Në këtë periudhë më të pazakontë të viteve, në të cilën ndryshimet në organizimet e ndeshjeve ishin aq të theksuara saqë e bëri të padrejtë të bëjmë dallimin midis pretendimeve të të gjithë kandidatëve për këtë nder suprem individual, ju tashmë e dini që ne vendosëm të mos e akordonim ‘Ballon d’Or’ (Topin e Artë) këtë vit. Sidoqoftë, ju jeni thirrur përsëri, pasi me ju dëshirojmë të realizojmë bashkëpunimin tonë të Ëndrrës. Parimi i tij është i thjeshtë: Qëllimi është të zgjedhësh – me ty – njëmbëdhjetë më të mirët e të gjitha kohërave. Të nominuarit për secilin pozicion u zgjodhën nga ekipi i ‘France Football’ dhe ju do të kaloni në tri faza votimi:

• Për portierët, mbrojtësit qendrorë, mbrojtësit e majtë dhe mbrojtësit e djathtë.

• Për mesfushorë mbrojtës dhe sulmues.

• Për qendërsulmuesit, sulmuesit e majtë dhe të djathtë. Detyra juaj do të jetë të caktoni dhe të renditni lojtarët të cilët, për ju, ishin ose janë pesë më të mirët për çdo rol gjatë të gjithë brezave. Ata do të marrin 6 pikë kur i renditni në vendin e parë, 4 pikë në vendin e 2-të, 3 pikë në vendin e 3-të, 2 pikë në vendin e 4-t, 1 pikë në vendin e 5-të. Unë ju falënderoj paraprakisht për pjesëmarrjen tuaj të çmuar, eksperte dhe besnike në këtë operacion prestigjioz, i cili shpresoj se do ta bëjë kohën të kalojë më shpejt deri në edicionin e ardhshëm të ‘Topit të Artë’, në 2021. Rroftë ‘France Football’ dhe anëtarët e jurisë së saj ndërkombëtare!” Secili anëtar i jurisë duhet të votonte, pra, për 5 futbollistët më të mirë të të gjitha kohëve për secilin rol. Një fjalë goje! Kemi votuar kështu plot tri herë, simbas tri ndarjeve të mësipërme të grupit të roleve: të vijës së mbrojtjes, të vijës së mesfushës dhe të vijës së sulmit. Asnjëherë nuk më kishte ndodhur që të isha përpara një vështirësie të tillë. Megjithatë, e gjitha kjo e kishte një lehtësi. Thjesht ngaqë për çdo rol “FF” kishte zgjedhur kandidatët dhe ti do të votoje pesëshen tënde duke përzgjedhur 5 emra futbollistësh nga ata që kishte parapërzgjedhur “FF”. Le t’i marrim me radhë votimet e mia:

Portieri: 1.YACHINE; 2.ZOFF; 3.MAIER; 4.BANKS; 5.BUFFON.

Mbrojtësi i djathtë: 1.CARLOS ALBERTO; 2.VOGTS; 3.SUURBIER; 4.THURAM; 5.DJALMA SANTOS.

Qendërmbrojtësi: 1.BECKENBAUER; 2.MOOR; 3.SCIREA. 4.DESAILLY; 5.CANNAVARO.

Mbrojtësi i majtë: 1.BREITNER; 2.FACCHETTI; 3.KROL; 4.ROBERTO CARLOS; 5.P.MALDINI.

Mesfushori mbrojtës: 1.MATTHAUS; 2.BOZSIK; 3.NEESKENS; 4.RIJKAARD; 5.TARDELLI.

Mesfushori sulmues: 1.PELE; 2.MARADONA; 3.PUSKAS; 4.DI STEFANO; 5.PLATINI.

Sulmuesi i djathtë: 1.GARRINCHA; 2.MESSI; 3.BEST; 4.KEEGAN; 5.MATTHEWS.

Qendërsulmuesi: 1.CRUYFF; 2.EUSEBIO; 3.VAN BASTEN; 4.G.MULLER; 5.RONALDO.

Sulmuesi i majtë: 1.C.RONALDO; 2.RIVELINO; 3.RUMMENIGGE; 4.DJAZIC; 5.BLOKHINE.

Kështu votova, duke i shkruar emrat e lojtarëve ashtu siç kërkohej, pra, siç ata shkruhen në gjuhët e vendeve të tyre. Natyrisht gjithçka merr diskutim, e pse jo, dhe debate. Për shembull, a mund të themi

sot se Pele, Maradona, Puskas, Di Stefano dh Platini kanë qenë mesfushorë sulmues, kur gjithnjë na dukeshin sulmues mirëfilli? Madje të kudondodhur? Po kështu, a vërtet na dukeshin mirëfilli qendërsulmues Cruyff, Eusebio, Van Basten apo Ronaldo? Pyetje tejet të vështira… Mirëpo, kështu kishte përcaktuar “FF”, e gjendur edhe ajo në vështirësi të mëdha për të njësuar taktikat e gati 100 vjetëve të futbollit botëror. Dhe le të vijmë tash te rezultatet përfundimtare të 11-shit më të mirë të të gjitha kohërave simbas votimit të 190 anëtarëvegazetarë të jurisë së “FF”.

formacioni

Faqe nga “France Football”. Është “Dream Team” – “Skuadra e Ëndrrave” – 11-shi më i mirë i të gjitha kohërave të futbollit botëror.

Fitoi ky 11-sh, çka do të thotë se simbas “France Football”, “Dream Team” i të gjitha kohërave është ky:

Portier: Lev YACHINE

Mbrojtës i djathtë: CAFU

Qendërmbrojtës: Franz BECKENBAUER

Mbrojtës i majtë: Paolo MALDINI

Mesfushor mbrojtës: XAVI dhe Lothar MATTHAUS

Mesfushor sulmues: Diego MARADONA dhe PELE

Sulmues i djathtë: Lionel MESSI

Qendërsulmues: RONALDO

Sulmues i majtë: CRISTIANO RONALDO

Duke e pa 11-shin fitues, kupton se në çfarë vështirësie është ndodhur “FF”. Deri aty, saqë ka devijuar jo pak edhe vetë në përcaktimet e roleve të përzgjedhura të kandidatëve që na ka dërguar paraprakisht për votim. Praktikisht, jashtë këtij 11-shi fitimtar kanë mbetur emra të tillë si R.Carlos, B.Charlton, Breitner, Didi, Falcao, Di Stefano, Puskas, Platini, Garincha, Zidane, Jairzinho, Eusebio, G.Muller, Rumenigge. Sa për të përmendur vetëm disa emra legjendarë të cilët “FF” i kishte vënë si kandidatë për t’u votuar. Mirëpo, dihet ndërkaq, se sa subjektive është të përcaktosh 11-shin e gati 100 vjetëve futboll botëror. Si një nga anëtarët e jurisë, mua më duhet të kënaqem që në 11-sh kanë fituar 7 prej të votuarve të mi, pesë prej të cilëve (Yachine, Beckenbauer, Matthaus, Pele, C.Ronaldo) i kam vënë në vendin e parë, ndërsa dy të vendit të dytë (Maradona e Messi), ngaqë as njërin dhe as tjetrin nuk isha i bindur për t’i votuar para Peles dhe Garincha-s.

* * *

Po e mbyll me një justifikim të nëntitullit të këtij shkrimi që thotë: “Kur gazetarët shndërrohen në takticienë”. Në të vërtetë nuk duhet quajtur justifikim. Them se duhet quajtur “e vërtetë”. E pra, asnjëherë në historinë e Shqipërisë nuk sundojnë më pak gazetarët sa sot në mendimet për ecuritë taktike të futbollit në Shqipëri. Kjo ka kaluar çdo përmasë. Sundojnë ish-futbollistët, ish-trajnerët. Nuk ka asnjë dyshim se duhet të jenë edhe ata. Po ku janë gazetarët? Në fund të fundit, si po i formojmë ne gazetarët si analistë, komentues, si ekspertë të trajtimit të futbollit kombëtar, qoftë edhe nga ana e taktikës, nga ana e ecurisë së mënyrës të të luajturit futboll nga skuadrat shqiptare? Çudia është ndërkaq, se po t’i dëgjosh me vëmendje edhe specialistët e shumtë analistë, sidomos në studiot televizive, as ata nuk arrijnë të sendërtojnë mënyrën se si ecën zhvillimi modern i futbollit në Shqipëri. Bie fjala, shpërthimi befasues i Vllaznisë në këtë kampionat 2020- 2021, sado modest qoftë, mendoj se e ka forcën e tij pikërisht te një lloj përvetësimi taktik, mbas kaq vitesh disi të ndryshëm të një harmonie e kolektiviteti – çka asnjë specialistanalist në televizion a në gazetë nuk ka arritur që të guxojë sadopak që ta zbërthejë.

Mendoj se është vërtet e papranueshme që edhe në bisedat, debatet apo komentimet e pjesës më të madhe të trajnerëve apo atyre ish-futbollistë, më shumë flitet për largime apo ardhje lojtarësh në skuadra, më saktë për atë që e quajnë “mercato” e futbollit, që në shqip duhet t’i thuhet “tregu”. Vite më parë kam organizuar dy referendume. Njërin për futbollistët më të mirë të kampionateve shqiptare dhe tjetrin veçan për ata të kampionateve të viteve ’30, prej ku kanë dalë edhe 11-shet më të mira. Nuk kam bërë ndonjë shpikje, por anëtarët e këtyre jurive shqiptare kanë qenë një mpleksje e baraspeshuar midis gazetarëve dhe specialistëve trajnerë apo ish-futbollistë të shquar. Kësisoji, ndoshta disi pa vonuar, na duhet t’i japim hapësirë formimit të brezit të ri të gazetarëve kompetentë. Ose, më saktë, na duhet të formojmë gazetarët kompetentë për këto punë, të cilët do të shndërroheshin edhe në takticienë, si të thuash, të botës së informimit publik për futbollin, aq sa e pranon profesioni i tyre. Kështu ngjet në gjithë gazetarinë botërore. Kështu ngjet edhe me të famshmen e Parisit që është “France Football”, e cila për referendumet e saj, më shumë se askujt u beson gazetarëve. Përveç të tjerave, ndoshta edhe për faktin se gazetarët janë edhe më të paanshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"