Kur futbolli flet me gjuhën e solidaritetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 17:32

Kur futbolli flet me gjuhën e solidaritetit

YLLI AGA

ylli aga

Kjo mbrëmje do të duhet të jetë speciale për jetën e kryeqytetit tonë. Në stadiumin e ri, komod dhe gjithnjë e më shumë tërheqës, shumë emra që na kanë bërë krenarë ndër vite me bluzën e ekipit kombëtar, si dhe tri ekipe mike dhe që diktojnë gjithmonë nostalgji dhe emocione do të rikthehen në fushën e lojës për një çështje shumë të ndjeshme, siç janë të dëmtuarit nga tërmeti.

Do të mjaftonin vetëm këto për t’u solidarizuar dhe për t’iu bashkuar iniciativës së organizatorëve për të dhënë gjithsecili kontributin sipas mënyrës së tij. Dhe duhet të mbetemi besimplotë se deri në minutat e fundit do të ketë një reflektim për secilin nga të dyzuarit për të lënë mënjanë problematikat dhe për t’iu bashkuar protagonistëve në këtë sipërmarrje speciale.

Gafat me listën dhe mungesa e një standardi 

Historikisht, nuk ka një element të dytë, që të ketë marrë më shumë komente të shumëllojshme sesa zbardhja e listës së grumbullimeve për ekipin kombëtar në çdo ndeshje të saj. Kjo pasi në çdo rast mungon dikush apo është thirrur një tjetër që përcjell më pak besim.

ndeshja e bamiresise (1)

Dhe të gjitha këto për një sezon futbollistik, kur dihet se cilët luajnë, në çfarë skuadre apo kampionati, imagjinoni tani kaosin që do të krijohet në çdo rast kur duhet bërë një listë për të grumbulluar futbollistë që më së paku kanë kontribuuar në dy dekada, ku numri i tyre është maksimalisht i lartë në raport me një aktivitet që mund të zgjasë edhe vetëm 35 minuta të vetme. Gjithsesi, mospërcaktimi i një standardi për mënyrën e përzgjedhjes së lojtarëve duhet të konsiderohet burimi i të gjitha problematikave të shfaqura publikisht nga shumë ish-futbollistë kuqezinj.

 Mungesa e një Kombëtareje veteranësh 

Kjo nuk do të jetë hera e parë që veteranët e Kombëtares do të rikthehen në fushën e lojës. Edhe në ato të kaluarat, problematikat nuk kanë munguar. Dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kohore ideja që qarkullon korridoreve të FSHF-së për ngritjen e një përfaqësueseje veteranësh do të mund të ishte zgjidhja më e mirë. Ashtu siç ndodh me një shumicë vendesh europiane, që kanë një staf teknik të përcaktuar dhe një grup futbollistësh që në kohë të ndryshme zhvillojnë grumbullime, stërvitje dhe ndeshje të ndryshme miqësore.

ndeshja e bamiresise air albania (1)

Një skuadër e tillë do të mbyllte edhe një shumicë debatesh ish-lojtarësh, pasi siç të gjithë e dimë, jo të gjithë yjet e të kaluarës e kanë ruajtur profilin e tyre sportiv dhe kanë ende muskuj dhe energji për aktivitete të tilla. Kjo mbrëmje nuk duhet të ketë vend për të tjera polemika.

Gjithçka për çfarë i kemi adhuruar ish-futbollistët është arkivuar në memorien e gjithsecilit dhe me siguri do të jetë një nga gjërat më të bukura. Por tanimë në apel është thirrur humanizmi, altruizmi dhe solidariteti me të dëmtuarit nga tërmeti për të cilin vijnë të kontribuojnë ish-yjet e kuqezinjve dhe tri ekipet e tjera mike. Në listën e të gjithë atyre që kanë kontribuuar deri më tani, futbolli dhe ngjyrat kuqezi do të gjejnë një vend të lavdërueshëm. Për gjithçka tjetër, me siguri do të gjendet një zgjidhje.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"