“Kur do shënosh ti, çfarë dreqin bën, ç’janë ato raste që humbet?”, Gjici i bën “gjyq” Alijevit në pushim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2017 | 12:34

“Kur do shënosh ti, çfarë dreqin bën, ç’janë ato raste që humbet?”, Gjici i bën “gjyq” Alijevit në pushim

Kukësi ka fituar në transfertën e radhës ndaj Lushnjës në “Roza Haxhiu” me rezultatin 0-2, ku me tri pikët, verilindorët ndjekin hap pas hapi Skënderbeun kryesues. Skuadra e Milinkoviç ka arritur të triumfojë me dy gola të Gurit dhe Rauf Alijev, por, paçka rezultatit të pastër, miqtë e kanë pasur mjaft të vështirë në Lushnjë, pasi vendësit kanë bërë rezistencë, derisa rrjedha e lojës ndryshoi sapo nisi pjesa e dytë kur ata mbetën me 10 lojtarë.

alijev kukesi

GJICI

Pjesa e parë ka qenë mjaft e vështirë, ku kampionët në fuqi nuk dolën në lojën e tyre. Duke parë këtë situatë që skuadra ka pasur në pjesë të parë, presidenti Safet Gjici nuk ka duruar më dhe sapo arbitri Hamiti ka sinjalizuar përfundimin e pjesës së parë, numri një i klubit ka zbritur në dhomat e zhveshje ku ka takuar skuadrën.

Këtë radhë takimi nuk ka qenë i qetë dhe inkurajues si shumë herë të tjera, por mjaft i tensionuar, ku kreu i klubit kuksian e ka kapur me dy sulmuesit Alijev dhe Guri, por sidomos me bomberin azer, i cili kishte shfaqur mjaft vështirësi në 45 minutat e para duke mos shfrytëzuar disa raste siç duheshin. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, presidenti i ka folur më zë të lartë Alijevit, duke i thënë:

“Çfarë po bën, kur do shënosh ti, çfarë dreqin bën, gjuaj në portë më shumë, ç’janë ato raste që humbet?!”. Fraza që sulmuesi azer nuk i ka kuptuar, por që mimika dhe gjestet e presidentit i ka kuptuar shumë mirë që kanë qenë kritika të forta për të dhe që presidenti kërkonte gol nga ai.

Sulmuesi 29-vjeçar nuk i ka kthyer asnjë përgjigje. Mbas kritikave për Alijev, numri një i klubit i kthehet Gurit, të cilit i ka bërë po të njëjtat vërejtje si kolegut të tij, por edhe shkodrani i ka miratuar ato që kreu klubit ka thënë dhe nuk i kthyer përgjigje. Duke parë që presidenti ka qenë i nervozuar, as vetë tekniku Milinkoviç nuk ka tentuar t’i flasë. Gjici ka shfryrë duke i thënë ekipit se nëse nuk do fitonin, ta bënin mirë me mend se ai nuk do falte më askënd.

EFEKTI NË FUSHË

Duket se ekipit i duhej një shkundje e tillë, pasi reagimi erdhi sapo rinisi ndeshja. Terapia e presidentit Gjici dha efekt të menjëhershëm. Ishte Alijev ai që shpërtheu në një aksion, duke dal i vetëm përballë Spahos, të cilin e triblon dhe ky i fundit detyrohet t’i shkaktojë faull dhe të ndëshkohet me karton të kuq. Më pas vijnë edhe golat ku të dy futbollistët e shumëkritikuar përgjigjen në fushë.

Ishte Sindrit Guri ai që kalon në avantazh Kukësin me një super gol dhe vetëm dy minuta më pas realizon azeri Alijev që më në fund zhbllokohet me anë të një goli me kokë. Drejtuesit e Kukësit në delir, pasi duke parë rivalitetin dhe ashpërsinë e ndeshjes u gëzuan golave.

Paçka golave të pësuar dhe qenia në inferioritet numerik në fushë, nuk e penguan Lushnjën që të rrezikonte portën e Koliçit, pasi Papa, Sefa e Meto e shënjestruan disa herë kuadratin, pavarësisht se gardiani i Kombëtares tregon një formë të mirë. Dje skuadra ka qenë pushim dhe sot do të nisë përgatitjet për ndeshjen me Teutën.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"