Kur Apolonia thyente Tiranën dhe dilte kundër… sistemit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2018 | 13:17

Kur Apolonia thyente Tiranën dhe dilte kundër… sistemit

Nostalgji futbolli. Ishte koha e artë e futbollit shqiptar brenda mjeranes që ofronte sistemi. Ishte koha kur futbollistët jepnin shpirtin në fushë dhe fjala “trukim” ishte jo vetëm e huaj, por as që ekzistonte në fjalorin sportiv të asaj kohe. Ishte koha kur publiku shkaktonte “vullkan” në shkallët e stadiumit të mbushur plot e përplot disa orë përpara ndeshjes.

Apolonia-Tirana 0-3. Skuadrat para ndeshjes

Pasion, adrenalinë, korrektesë dhe një tifozëri krejt brenda normave, pa as më të voglën fyerje ndaj kundërshtarit e as ndaj arbitrimit, por vetëm ovacione me besim të verbër te skuadra e tyre e zemrës. Ishte koha kur një ndeshje futbolli kthehej në festë për një qytet të tërë, pa dallim moshe, gjinie apo profesioni.

Kështu ndodhte edhe në Fier, sidomos kur Apolonia u ngjit në Kategorinë e Parë (Kategoria Superiore e ditëve të sotme) dhe kur dita e shtatë e javës fitoi “legjitimitetin” e shprehjes standarde: “E diela e futbollit”.

Atmosfera përfshinte jo vetëm qytetin, por edhe krejt rrethinat kur në “Loni Papuçiu” luanin skuadra me peshë të futbollit shqiptar, si: Partizani, Dinamo, 17 Nëntori, Vllaznia etj. Në almanakun e futbollit fierak ka jo pak momente kulmore të adrenalinës që të dhuron fitorja e një ndeshjeje futbolli. E tillë ka qenë dhe e diela e datuar 30 mars 1986, kur në Fier zbriste për të luajtur 17 Nëntori i famshëm i atyre viteve, skuadra që përbënte gati a më shumë se gjysmën e Kombëtares shqiptare.

Dhe në një stadium të tejmbushur, jo pak, por me 7000 vetë, Apolonia fitonte thellë, me rezultatin 4-1. Edhe pse në 45- minutëshin e parë bardheblutë e drejtuar prej Enver Shehut kishin gjetur avantazhin me golin e Mirel Josës, ndodhi përmbysja e madhe.

Në shkallët e stadiumit ndodheshin dhe funksionarë të lartë të partisë së rrethit (“dhanë urdhër ta fitonim atë ndeshje”, – ka thënë trajneri i paharruar i asaj Apolonie, Vangjel Capo), por fierakët fituan bash nga përkrahja e flaktë e publikut dhe shpirti i garës, asfare nga “urdhrat partiakë”. Dhe në 30 minutat e pjesës së dytë, Apolonia “depoziton” plot 4 gola në portën e Halim Mersinit, portierit të Tiranës dhe i Kombëtares sonë në atë periudhë.

Për të vijuar dhe pas ndeshjes, ku nuk harrohet dialogu antologjik mes Agustin Kolës dhe gjyqtarit kryesor Tef Prela, që përmbyllet me batutën “alla shkodrane” të Prelës adresuar ndaj sulmuesit të mirënjohur bardheblu, Kola: “A, pse edhe ti paske lujt sot, a? S’të kam pa kund…!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"