Kupa objektiv, por zikaltrit e Interit duhet të thyejnë mallkimin e çerekfinaleve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 15:11

Kupa objektiv, por zikaltrit e Interit duhet të thyejnë mallkimin e çerekfinaleve

Kupa e Italisë është objektiv dhe Interi duhet që të bëjë maksimumin mbrëmjen e sotme kundër Fiorentinës për të siguruar gjysmëfinalet e këtij kompeticioni. Aty e pret Napoli i Gatuzos që eliminoi Lacion. Zikaltrit duan që të thyejnë mallkimin, sepse në 3 edicionet e fundit largohen pikërisht në çerekfinale. 

Serie A - Fiorentina v Inter Milan

Me Antonio Konten ekipi është i motivuar dhe trajneri italian pritet që të bëjë pak rrotacion, duke mos prishur balancat. Lautaro Martinez që është i skualifikuar në kampionat do të luajë titullar përkrah Sançezit, ndërsa Romelu Lukaku do të pushojë. Në mbrojtje, De Vraj mund të formojë treshen me Ranokian dhe Bastonin.

* Interi dhe Fiorentina kanë luajtur 11 herë në Kupën e Italisë dhe bilanci është në favor të ekipit violë me 5 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje. Në “Meazza” ekipet kanë luajtur 5 herë me njëri-tjetrin dhe zikaltrit kanë 2 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje.

* Zikaltrit dhe Fiorentina janë përballur dy herë në fazën çerekfinale të Kupës së Italisë (1960 dhe 1967). Të dyja skuadrat kanë arritur nga një kualifikim në gjysmëfinale.

* Në fushën e lojës me shumë mundësi do të jetë sërish Borha Valero, i cili shënoi golin në ndeshjen e vlefshme për kampionatin, e cila përfundoi 1-1 pasi vjollcët barazuan me Vlahoviç. Mesfushori spanjoll (Valero) ka luajtur 212 ndeshje me Fiorentinën dhe ka shënuar 17 gola.

* Zikaltrit duhet të bëjnë kujdes ndaj Dushan Vlahoviçit, i cili shënoi kundër Interit në kampionat duke gjetur golin me goditjen e vetme në portë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"