Kupa e Shqipërisë, “treni i fundit” për Kukësin. Ja prapaskenat në rast dështimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2021 | 9:00

Kupa e Shqipërisë, “treni i fundit” për Kukësin. Ja prapaskenat në rast dështimi

Kukësi po kalon sezonin më të dobët në historinë e tij në Kategorinë Superiore. Verilindorët jemi mësuar t’i shikojmë si një skuadër solide dhe pretendente, duke mos e vënë asnjëherë në pikëpyetje pjesëmarrjen në Kupat e Europës për sa kohë militojnë në elitën e futbollit shqiptar. Aktualisht rëndojnë shumë dilema dhe enigma se si Kukësi mund ta sigurojë biletën për në Europë.

KUKESIIII

Në mënyrë figurative, nga Kukësi kalon rruga e Kombit, e cila të lidh me Kosovën. Aeroporti akoma nuk është gati për të marrë ndonjë avion çarter direkt. Gjithashtu, në qytetin verilindor nuk ka as linjë hekurudhore për të kapur ndonjë tren ekspres për në Europë. Gjithsesi, mundësitë ekzistojnë që skuadra e Kukësit të sigurojë një biletë për në Kupat e Europës. Nga kampionati ky mision duket thuajse i pamundur, pasi pas 24 javëve të besuarit e trajnerit Mirel Josa mbajnë vendin e gjashtë me 32 pikë, 12 më pak se Laçi i vendit të parë dhe 10 më pak se vendi i tretë që është kufiri i sigurt për Europën nga kampionati.

Kur dihet se janë edhe 12 ndeshje për t’u luajtur në kampionat, matematikisht misioni europian mund të arrihet edhe nga ky kompeticion. Ndonëse fizikisht nuk ka linjë hekurudhore në Kukës, Kupa e Shqipërisë mbetet “treni i fundit” për skuadrën e Josës për biletën europiane, gjë të cilën e ka pranuar dje edhe vetë tekniku i këtij ekipi. Fitimi i trofeut të Kupës mbetet shpëtimi i mundshëm për sezonin e skuadrës së presidentit Safet Gjici. Nëse Kukësi mbetet jashtë Europës këtë sezon, revolucioni në kampin verilindor mbetet i pashmangshëm, ku pa dyshim do të nisë operacioni “fshesa”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"