KUPA E SHQIPËRISË/ Ndeshja e parë, Kastrioti shkëmben fushën me skuadrën e Kategorisë së Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 11:44

KUPA E SHQIPËRISË/ Ndeshja e parë, Kastrioti shkëmben fushën me skuadrën e Kategorisë së Dytë

Kastrioti do të luajë kundër Vorës në turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Shorti i paracaktuar nga FSHF-ja kishte vendosur që ndeshja e parë të zhvillohej në fushën e Vorës, që tashmë militon në Kategorinë e Dytë.

KASTRIOTI

Mirëpo, “Panorama Sport” mëson se ka pasur një ndryshim pas dakordësisë së plotë që kanë arritur klubet dhe miratimin që ka dhënë sektori i garave në FSHF. Kësisoj, takimi i parë do të luhet në fushën e Kastriotit, pikërisht më 26 shtator në orën 15:00, ku skuadra e Emiliano Çelës do të jetë pritëse në stadiumin “Redi Maloku” të FushëKrujës.

Vora kërkoi këtë favor pasi nuk e ka ende gati fushën që po rinovohet totalisht dhe kërkon që ta përurojë ndoshta në ndeshjen e kthimit ndaj Kastriotit.

Gjithsesi, në kampin krutan janë të vendosur për të arritur kualifikimin, duke luajtur me grupin e plotë, në mënyrë që të mos përsërisin precedentin e edicionit të kaluar, ku u eliminuan në turin e parë nga Flamurtari që militonte në të Dytën.

Vora po vlerësohet nga Kastrioti edhe për faktin se ka ndërtuar një ekip me emra të njohur, teksa drejtohet nga Artan Mërgjyshi.

B.BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"