Kupa e Shqipërisë/ Elbasani me fat, llogarit kualifikim në… tavolinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2020 | 23:46

Kupa e Shqipërisë/ Elbasani me fat, llogarit kualifikim në… tavolinë

Elbasanit i ka rezervuar kalendari një ndeshje Kupe me Luftëtarin, përballje e cila me shumë gjasa nuk do të zhvillohet për shkak të problemeve të klubit gjirokastrit. Gjithsesi, për aq kohë sa nuk ka asgjë zyrtare sa i përket ekipit kundërshtar, verdheblutë janë të gatshëm për çdo rast.

Elbasani

Për momentin vëmendja maksimale është përqendruar te përballja e parë e kampionatit, ajo me Egnatian, e cila do të luhet në qytetin e Cërrikut. Pritet që në këtë ndeshje të parë tekniku Lleshanaku ta ketë të plotë të gjithë grupin dhe do të ketë mundësi të hedhë në fushë lojtarët që janë më në formë.

Gjatë kësaj merkatoje u bënë disa afrime, të cilat shpresohet ta kenë përforcuar skuadrën. Në takimin miqësor që skuadrat patën këtë periudhë, rrogozhinasit fituan thellësisht 6 me 0. Një rezultat ky që tregoi edhe diferencat që kanë skuadrat, edhe pse në Elbasan e konsideruan thjesht si një aksident të pakëndshëm.

Mirëpo, në kampin elbasanas besojnë se do të jetë një tjetër histori ajo e ndeshjes zyrtare dhe do të jenë elbasanasit ata që do të fitojnë kësaj here. Para kësaj sfide mund të thuhet se verdheblutë do të vijnë më të avantazhuar, duke qenë se do të kenë më shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse do ta nisin ashtu si duhet këtë sezon verdheblutë apo jo.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"