Kupa e Pavarësisë: Tirana luan “poker” ndaj Otrantos, shpërthen edhe Abilaliaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2012 | 14:04

Kupa e Pavarësisë: Tirana luan “poker” ndaj Otrantos, shpërthen edhe Abilaliaj

Kf Otranto – Tirana 0-4
GOLAT: Abilaliaj 12′, 51′, 57′ (11- m), Sina 62′ (11-m)
OTRANTO: Heqikuliq, A.Hoxha (H.Popoviç 60′), M Popoviç (Haxhenoviq 46′), Ranoviq, Aliçkoviq, Gjinoviq, Senika, Pereziq (A.Rudoviq 77′, Alibegu, Koçoviq (Paleviq 80′), Çivlaku (R.Rudoviq 83′); Trajner: S.Kaleziq.
TIRANA: Sejdo, Sina (Shala 65′), Pigoni, Muça, Kalari, Muçollari (Halili 55′), Zec, Hoxha, Ferraj (Tushe 46′), Peposhi (Mezini 61′), Abilaliaj (Vatnikaj 69′); Trajner: A.Tafaj
GJYQTARË: D.Jubica, M.Dervishi, Gj.Bori (Shkodër)

Ndeshja e parë e kupës “Pavarësia” është zhvilluar dje në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, midis Tiranës dhe ulqinakëve të Otrantos. Takimi është dominuar nga bardheblutë, të cilët kanë fituar 4-0, duke siguruar një vend mes katër më të mirave që do të ndeshen me 27 nëntor në Vlorë. Deri më tani janë përcaktuar tri skuadra; Flamurtari mikpritës, Tirana dhe Shkëndija e Tetovës. Ekipi i katërt do të dalë sot pas takimit Prishtina- Trepça 89, sfidë që do të luhet në Kukës.
Ndeshja – Kryeqytetasit nuk e kanë pasur aspak të vështirë që të mposhtin ekipin malazez. Performancë tepër të mirë kanë dhënë Arbër Abilaliaj dhe Elvis Sina, i pari ka shpërthyer duke realizuar një tripletë, ndërsa i dyti jo vetëm që ka dhënë siguri në mbrojtje falë eksperiencës së tij, por ka shënuar edhe golin e katërt. Takimi ka nisur i qetë, me një epërsi të lehtë të Tiranës. Në anën tjetër, Otranto që militon në Kategorinë e Dytë malazeze, nuk mund të përballonte dot ekipin më të titulluar në Shqipëri. Që në minutën e 12-të, Tirana zhbllokon shifrat, teksa Abilaliaj gjen rrugën e rrjetës dhe 0-1. Ndërkohë, Otranto shfaqej i paaftë për të reaguar, e kësisoj pjesa e parë mbyllet me të njëjtin rezultat. Në të dytën, loja ka më shumë ritëm, por edhe më shumë gola. Në të 51-n minutë, Abilaliaj dyfishon rezultatin në 2-0. Vetëm 6 minuta më vonë, nga presioni i kundërshtarit, ulqinakët ndërhyjnë keqas në zonë dhe kryesori Jubica akordon një penallti. Është përsëri Alilaliaj që shënon golin e tretë të sfidës, por edhe personalin. Ndërkohë furia e kryeqytetasve nuk ndalet, teksa pas 5 minutash fitojnë një tjetër penallti, pas një ndërhyrjeje shumë të rëndë në zonë të rreptësisë. Tashmë është mbrojtësi Elvis Sina që merr përsipër ekzekutimin e saj dhe që e shndërron në gol, pa shumë vështirësi dhe 4- 0. Minutat e mbetura kanë shërbyer më shumë për të dyja ekipet si një seancë stërvitore, pasi të dy trajnerët realizuan shumë zëvendësime, duke ndryshuar plotësisht formacionin kryesor.

TAFAJI
Alban Tafaji ka mbetur i kënaqur nga performanca e lojtarëve që aktivizoi, sidomos e të rinjve. “E vlerësuam këtë sfidë, pasi një herë në 100 vite mund ta fitosh këtë kupë. Jam i kënaqur nga lojtarët, duke përfshirë këtu portierin Sejdo dhe të riun Halili. S’mund të mos përmend Abilaliajn, i cili shpërtheu para porte dhe kjo do i ndikojë pozitivisht. Ky duel ishte një shans i mirë për ata lojtarë që nuk kanë pasur shumë hapësirë”, – tha trajneri.

KALEVIÇ
Trajneri i Otrantos, Kaleviç, në fund të ndeshjes tha: “Ne erdhëm në Shqipëri për të festuar 100- vjetorin e Pavarësisë. Jemi shumë të lumtur që u përzgjodhëm të merrnim pjesë në këtë aktivitet. Ashtu si ne, shumë skuadra të tjera dëshironin që të ishin pjesëmarrëse. Për sa i përket ndeshjes, ne e dinim mirë se Tirana ishte shumë më lart se ne, por kjo nuk na pengoi që ne të luanim lojën e ta respektonim këtë kupë”.

I RIU HALILI
Ndeshja e djeshme e luajtur në Shkodër është shfrytëzuar nga trajneri Tafaji për të parë lojtarë nga ekipi i moshave. Një ndër ta ishte edhe Grendi, djali i ish-presidentit Refik Halili. Mesfushori 15-vjeçar, i ardhur nga ekipi U-17, ka luajtur rreth 40 minuta dhe ka bërë një performancë të pëlqyeshme. Shala, Mezini dhe Vatnikaj ishin tre të rinjtë e tjerë që u aktivizuan kundër Otrantos, duke lënë përshtypje pozitive te stafi teknik.
Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"