Kupa e FSHB-së, Tirana dhe Partizani e nisin mbarë me fitore në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2021 | 15:21

Kupa e FSHB-së, Tirana dhe Partizani e nisin mbarë me fitore në derbi

Basketbolli shqiptar ka ngritur siparin e edicionit 2021-2022 me Kupën e Federatës, që është edhe trofeu i parë zyrtar për këtë sezon. Një kompeticion testues, por që sigurisht ekipet pjesëmarrëse kërkojnë ta bëjnë të tyrin. Pasditen e djeshme në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” u zhvilluan edhe sfidat e para në grupe në radhët e meshkujve.

basketboll

Dita e parë u buzëqeshi Tiranës dhe Partizanit, që e nisën mbarë eventin, duke marrë fitore në debutim. Në këto sfida, ra në sy përgatitja e dobët fizike, e cila është deri diku e pritshme në këtë periudhë. Bardheblutë, të cilët falë sponsorit të ri këtë sezon vijnë nën emrin Tirana Neptun, mposhtën Kamzën me rezultatin 86-84. Takimi ishte me shumë rivalitet, teksa të dyja ekipet kanë bërë përforcime dhe futen me pretendime në këtë sezon. Në pjesën e parë Tirana luan më mirë dhe është më e kthjellët në veprimet e saj, duke shkuar në pushimin e madh me 8 pikë epërsi, diferencë e vendosur në periodën e parë. Pas pushimit është fjala e kamzalinjve, të cilët sidomos në periodën e tretë tregohen superiorë. Megjithatë, Tirana arrin ta mbrojë avantazhin dhe del si triumfatore me 2 pikë epërsi.

Te bardheblutë rikthehet me një paraqitje fantastike Endrit Hysenagolli, autor i 23 pikëve dhe 17 ribaundeve. Nuk zhgënjen as Eldi Hysa, protagonist me 23 pikë, i cili është një garanci për skuadrën e Erkand Karajit. Ndeshje shumë e mirë edhe për Hamatin (20 pikë). Në radhët e Kamzës, që në këtë takim paraqitej me 3 amerikanë, më i miri rezultoi Niko Thano. Ish-kapiteni i Gogës koleksionoi 23 pikë.

Ndërkohë, takimi i dytë, ai mes Partizanit dhe Dinamos, i vlefshëm për Grupin B, u fitua nga “demat” në shifrat 79-67. Pavarësisht se rezultati final të jep përshtypjen e një fitoreje të lehtë të të kuqve, dinamovitët rezistuan mjaft mirë, sidomos në tri periodat e para. Por Dinamo “u fik” në 10-minutëshin e fundit, kur Partizani krijoi edhe shkëputjen vendimtare duke hipotekuar fitoren. Njeriu i ndeshjes në suksesin e ekipit të Erdal Borovës ishte kapiteni Mired Jani. Ky i fundit bëri një paraqitje mbresëlënëse me 28 pikë, 8 ribaunde dhe 5 asiste. Sot do të luhen ndeshjet e dyta në grupe. Siç dihet, vendet e para të secilit grup sigurojnë biletën për në finale.

asdasdsdas

ROLAND GJINI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"