Kupa e FSHB-së/ Basketbolli nis sezonin e ri, Partizani dhe Kamza në gjysmëfinale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 11:20

Kupa e FSHB-së/ Basketbolli nis sezonin e ri, Partizani dhe Kamza në gjysmëfinale

Basketbolli ka nisur dje zyrtarisht edicionin 2023-2024 me takimet eliminatore të Kupës së FSHB-së në radhët e meshkujve. Partizani dhe Kamza kanë kaluar me sukses ndeshjet e para, duke fituar përkatësisht përballë Apolonisë dhe Flamurtarit, për t’u bërë pjesë e gjysmëfinaleve.

partizani apolonia basket

Kupa e federatës e mbajtur në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, aty ku prej disa vitesh zhvillohet ky kompeticion, dhuroi menjëherë sfida mjaft interesante që në ditën e parë. Partizani arriti që të merrte kualifikimin pas një ndeshjeje dramatike ndaj Apolonisë.

Të kuqtë e Erdal Borovës triumfuan me përmbysje me rezultatin 79-76. Pas një periode të parë të ekuilibruar, të fituar minimalisht 17-16 nga kryeqytetasit, skuadra fierake bëri më mirë në dy fraksionet e radhës, duke i marrë ato në shifrat 28-23 dhe 18-14.

Apolonia do të prekte avantazhin maksimal prej +11 pikësh (65- 54) në startin e periodës së katërt, por më pas gjithçka foli për “demat”, të cilët arritën të realizonin përmbysjen. I prezantuar 24 orë para ndeshjes, amerikani Mayor ishte shënuesi më i mirë për Partizanin me 23 pikë.

Për të kuqtë shkëlqeu edhe një tjetër blerje e re, Samuel Skëndaj, me 12 pikë e 10 kërcime. Ndërsa kapiteni Abdel Gjyzeli regjistroi 18 pikë e 7 kërcime. Për Apoloninë nuk mjaftuan amerikanët Hamilton dhe Jones, me nga 25 pikë secili.

2121

Në takimin tjetër nuk kishte shumë histori, teksa Kamza u shfaq dominuese ndaj Flamurtarit, duke i mundur vlonjatët me rezultatin e thellë 87-63 (20- 11, 21-13, 28-20, 18-19).

Dominique Keyes me 17 pikë e 10 kërcime si dhe kapiteni Niko Thano me 16 pikë ishin më të mirët në radhët e Kamzës. Për vlonjatët spikati Maki Mohr, autor i 18 pikëve.

12121

Në gjysmëfinale tashmë do të kemi përballjet Besëlidhja-Partizani dhe TiranaKamza, takime që do të luhen nesër. Ndërkohë sot do të jetë radha e gjysmëfinaleve te femrat, Flamurtari-Teuta në orën 16:00 dhe derbi Partizani-Tirana në orën 18:00.

212121

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"