Ndeshjet dhe oraret sot/ Kupa e çudirave, katër skuadra nuk e dinë fatin e tyre në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2021 | 11:24

Ndeshjet dhe oraret sot/ Kupa e çudirave, katër skuadra nuk e dinë fatin e tyre në Europë

Kupa e Shqipërisë është kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në futbollin shqiptar. Pretendentët që nuk arrijnë dot titullin, mund ta shpëtojnë sezonin me Kupën e Shqipërisë. Jo vetëm sepse marrin një trofe prestigjioz, por sepse sigurojnë një vend në Kupat e Europës dhe marrin një bonus prej 50 milionë lekësh nga FSHF. Bukur deri këtu.

Kupa e Shqiperise

FORMULA – Por ja që nuk mbaron me kaq dhe ka disa detaje që Kupën e Shqipërisë e “cenojnë” dhe vit pas viti kanë përdorur një formulë që shpesh herë ka favorizuar të mëdhenjtë, ose ka qenë gjysmë e “pilotuar”. Kjo sepse shmangej shorti në çdo tur dhe u lejonte disa skuadrave që të bënin më tepër llogari, pse jo edhe pazar me Kupën. U desh viti pandemik dhe bojkoti artificial prej dy muajsh që të ndryshonte edhe formati i Kupës duke u përdorur sistemi me eliminim direkt vetëm me një ndeshje, por duke futur edhe shortin në çdo tur. Dhe shikoni çfarë ndodhi: Tirana iku që në nëntor nga Kupa dhe sot kemi dy skuadra nga Kategoria e Parë si Dinamo dhe Korabi që sfidojnë ekipet e kreut të Superiores. Surprizë e bukur pa dyshim, por edhe këtu ka një problem.

LICENCIMI – Megjithatë, problematika e licencimit për skuadrat pjesëmarrëse në Europë është diçka e pazgjidhur ende. Megjithëse, FSHF ka unifikuar rregulloren, pra licenca për Superioren është e njëjtë me atë për në UEFA, ka ende ekipe që nuk e plotësojnë kriterin për të qenë në UEFA. Cilat? Skënderbeu është i dënuar në Europë dhe në rast se do ta fitojë Kupën nuk do të mund të luajë. Do t’u gëzohet vetëm 50 milionë lekëve të vjetra të FSHF-së dhe një kënaqësie shpirtërore për tifozët korçarë. Dinamo dhe Korabi nuk janë deri më tani të licencuara për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Sepse që të luash në Europë duhet të përmbushësh disa kritere dhe dosja duhet të dorëzohet brenda 31 marsit.

Vllaznia gjithashtu, është në proces licencimi për Europën, por me një mijë e një…. kleçka. Çështja e borxheve në tatime, ende nuk është zgjidhur. Prandaj, suksesi sportiv, mund edhe të mos mjaftojë për kuqeblutë nëse nuk zgjidhin gjithçka deri në fund të këtij muaji. Gazeta është interesuar për ekipet që janë ende në “tavë” për Kupën dhe ka mësuar se në çdo rast, UEFA ka lënë një shteg të lirë. Në rastin e ekipeve si Dinamo apo Korabi, sapo ato bëhen pretendente për kupën dhe një biletë në Europë (në katërshe) merr një kërkesë në UEFA, menjëherë mund të bëhen pjesë e procesit të licencimit në mënyrë urgjente. Me afate shumë të shtrënguara dhe procedurë tepër të përshpejtuar, edhe këto skuadra mund të kërkojnë licencën nga institucioni europian i futbollit. A e fitojnë apo jo? Varet nga situata e klubeve, sa në rregull janë me katër kriteret standarde dhe mbi të gjitha me kriterin financiar.

(MOS) VLERËSIMI – Luhet sezoni 2020-2021, por vlerësimi për fituesin e Kupës është njësoj si dy dekada më parë: Vetëm 50 milionë lekë të vjetër dhe disa medalje shpërblyese. Gjithçka evoluon, madje edhe arbitrimi do të ketë sistemin VAR vitin tjetër në Shqipëri. Vetëm shpërblimet mbeten njësoj si në vitet 2000.

NDESHJET E DITËS SË SOTME NË KUPËN E SHQIPËRISË:

kupa 1

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"