Kupa dhe 5 vendet e para, Takaj vendos objektivat për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2021 | 14:43

Kupa dhe 5 vendet e para, Takaj vendos objektivat për Skënderbeun

Skënderbeu do të ketë objektiva të rinj sezonin 2020- 2021, që nis në 11 shtator. Ndryshe nga kampionati i kaluar, kur korçarët u kënaqën me finalen e Kupës dhe luftuan deri në fund për të siguruar mbijetesën, ky vit do të ketë të tjera synime. Afrimet e fundit në ekip duket se kanë krijuar klimën e përshtatshme që skuadra të ketë një sezon me objektiva madhorë për t’u arritur.

Mucollari Skenderbeu

Ka qenë vetë presidenti Ardjan Takaj, ai që i ka komunikuar ekipit pretendimet e tij për sezonin e ri. Të paktën nga sa tregojnë burimet në klub, presidenti i ka kërkuar ekipit që të arrijë minimalisht pesë vendet e para të renditjes për të mos pasur më sikletet e sezonit të kaluar.

Nisur nga fakti që çdo gjë iu besua Migen Memellit për sezonin e ardhshëm, besimi i kreut të klubit është i madh. Prandaj, ai mësohet se ka vënë si objektiv madhor fitimin e Kupës së Shqipërisë. Të gjitha këto Takaj ua ka bërë të qartë jo vetëm lojtarëve, por edhe stafit teknik në momentin e rinovimit të kontratës. Ai mendon se me grupin që ka aktualisht Skënderbeu, me pak fat mund të arrijë synimet që ka klubi.

MERKATO

Nga ana tjetër, duket se gjithçka është mbyllur për sa i përket merkatos. Të njëjtat burime treguan për gazetën se nuk pritet të ketë më lëvizje në hyrje. Dhe këtu bëhet fjalë edhe largimet, pasi vetëm në rast të ndonjë oferte të parefuzueshme, atëherë klubi do të linte të lirë ndonjë prej titullarëve. Në kushte të tilla, duke parë faktin që asnjë tratativë konkrete nuk ka pasur për lojtarët nën kontratë të Skënderbeut dhe gjithçka ka mbetur thjesht në kuadër të interesimeve, duket se në klub nuk është se presin diçka më shumë në javët e mbetura.

Për këtë, skuadra do të jetë kjo, pa asnjë ndryshim në dispozicion të Memellit. Presidenti Takaj ka qenë i qartë kur ka deklaruar të mbyllur merkato, duke thënë se ka bërë zgjedhjet më të mira të mundshme për forcimin e ekipit për sezonin e ri. Tashmë skuadra ka 25 lojtarë me të gjitha pozicionet e dubluara për sa i përket formacionit që do të zgjedhë Memelli për të hedhur në fushë. Në kushte të tilla vetëm ndonjë ndryshim i papritur mund të sjellë pështjellime.

Korçarët mund të rifuten në merkato nëse largohet drejt një destinacioni jashtë ndonjë lojtar cilësor, që do të sillte edhe financa për klubin, që në kushte të tilla janë më se të nevojshme.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"