“Kundërshtari është i vështirë, por e mundim”, Dinamos i mungon kapiteni, Uku: E kalojmë edhe Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2021 | 9:16

“Kundërshtari është i vështirë, por e mundim”, Dinamos i mungon kapiteni, Uku: E kalojmë edhe Vorën

Dinamo as që e mendon blofin përballë Vorës. Nëse në fazën e dytë gabuan përballë këtij kundërshtari, nesër do të zbresin në fushë me një mision: ta mposhtin. Duket një sfidë e lehtë në letër, e megjithatë kryeqytetasit nuk i zënë fort besë. Ata i kanë marrë që të gjitha masat që ta kthejnë në festë në “Selman Stërmasi”. Stafi teknik do t’i bëjë llogaritë pa Miklovan Peren, i cili ka plotësuar numrin 4 të kartonëve. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri e cilëson mungesë të madhe atë të kapitenit, megjithatë mendon se grupi do të dijë ta kalojë këtë 90-munitësh.

olsi uku

Luani me Vorën në “Selman Stërmasi” nesër (sot), çfarë prisni nga ky 90- minutësh?

Vora është një kundërshtar i vështirë për t’u kaluar. Na ka shkaktuar një humbje gjatë fazës së dytë dhe jo më kot është pjesë e zonës së pretendentëve. Jemi më të mobilizuar se kurrë dhe po e trajtojmë si ndeshje radhe. Këtë plan kemi, që të mos shtojmë presionin dhe ruajmë qetësinë. Do t’i marrim takimet një e nga një. Për t’u përshtatur me “Selman Sërmasin” këtë javë jemi stërvitur në fushë me bar natyral, që lojtarët të mos e ndiejnë ndryshimin.

Fitorja është alternativa e vetme, duke parë llogaritë që po bëhen me kreun?

Patjetër që po. Kundërshtari meriton respektin maksimal, por kemi informacion të mjaftueshëm për pikat e dobëta dhe të forta që kanë.

Mungon kapiteni prej kartonëve, sa e vështirë do të jetë pa Peren?

Është një mungesë mjaft e rëndësishme. Pere ka peshë jo vetëm për rolin që ka në lojë, por edhe për udhëzimet që i jep në fushë. Megjithatë, ne jemi të përgatitur edhe për të tilla situata. Kemi gati 20 lojtarë në dispozicion, që janë në të njëjtin nivel.

Korabi-Burreli përballen me njëri-tjetrin, sa shanse keni që të merrni kreun?

Kampionati ka plot ndeshje, për ne e rëndësishme është që të fitojmë tonat. Ne do të kërkojmë nga lojtarët maksimumin dhe garantoj se Dinamo në fund do të jetë e para dhe do të ngjitet në elitë. Ky është objektivi ynë dhe do ta realizojmë doemos.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"