Kumbarçe në “timon”, blindohet edhe porta/ Korabi vendos për stafin teknik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2022 | 21:22

Kumbarçe në “timon”, blindohet edhe porta/ Korabi vendos për stafin teknik

Vendosin te Korabi: Shpendi Kumbarçe do të jetë në “timon” për sezonin 2022-2023. Ishte pjesë e stafit teknik gjatës fazës “play off”, por tani e tutje do të jetë ai trajner. Ka qenë vetë klubi që ka komunikuar ndryshimet, por edhe rinovimet e para. Skuadra nis nga porta, aty ku janë konfirmuar Jurgen Mehidri dhe Avernolt Qyrani.

Kumbarce

“Klubi ka vendosur të rikthehet në fushë më datën 11 korrik. Stërvitja do të nisë në Tiranë dhe më pas do të zhvillojë fazën përgatitore. Në bashkëpunim midis Klubit, Bashkisë Dibër dhe FSHF është planifikuar dhe ndërhyrja në stadiumin ‘Korabi’. Tashmë ka një projekt dhe pritet që të miratohet e zhvillohet për të krijuar kushtet e nevojshme, sipas standardeve të UEFA & FIFA.

Gjatë kësaj periudhe, klubi do të kujdeset për merkaton dhe ndërkohë njoftojmë konfirmimin e trajnerit Shpend Kumbarçe në krye të pankinës që do të vijojë të drejtojë skuadrën së bashku me Donald Mëziun.

Xhuliano Reçi do t’u bashkohet teknikëve si asistent dhe Besnik Beqiri rikonfirmohet si trajner i portierëve. Ditët në vijim pritet që skuadrës t’i bashkohet edhe një tjetër pjesëtar stafi dhe lojtarë, me të cilët klubi është në bisedime për rinovime dhe për t’u afruar sipas kërkesave të stafit. Jurgen Mehidri dhe Avernolt Qyrani janë dy rinovimet e para. Falënderojmë publikisht për kontributin lojtarët, të cilët kanë zgjedhur rrugë tjetër pas përfundimit të kontratës”, shkruante klubi.

MURRJA – Pas Ylber Muçës, Redon Razës dhe Redon Dishës, një tjetër lojtar shpall “divorcin” me Korabin. Bëhet fjalë për Armend Murrjan, që ka njoftuar largimin me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruante: “Aventura ime me Korabin mbyllet sot. Pas 10 vitesh nuk do të jem më pjesë e këtij ekipi.

Dua të falënderoj tifozët, që kanë qenë fantastikë në çdo moment. Falënderoj presidentin, të gjithë trajnerët dhe stafin që kam punuar nga dita e parë deri më sot. Falënderoj të gjithë shokët e ekipit që gjatë këtyre viteve kam kaluar momente fantastike që do të ngelen gjithmonë në memorien time”.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"