Kumbarçe motivon Korabin: Harrojeni buxhetin në fushë, Flamurtari ka emër por do të kemi shanset tona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2023 | 12:22

Kumbarçe motivon Korabin: Harrojeni buxhetin në fushë, Flamurtari ka emër por do të kemi shanset tona

 Korabi e kaloi një pengesë të vështirë pak ditë më parë dhe është ende në garë për misionin “Superiore”. E megjithatë, “malorja” vazhdon. Pasi likuiduan Tomorin në mes të Beratit, tashmë është radha e Flamurtarit. Këtë herë nuk kanë asnjë disavantazh, pasi finalja e “play off”-it luhet në kushte totalisht të barabarta.

Kumbarce

Është “Arena e Demave” që do ta presë këtë ndeshje, e cila zhvillohet të dielën në orën 17:00. Në letër sigurisht është më i fortë, por jo i pakalueshëm. Në fund të fundit është vetëm një takim dhe gjithçka mund të ndodhë. Këtë e saktëson edhe Shpendi Kumbarçe, i cili dukshëm mundohet që t’u japë moral të tijve para kësaj finaleje. Teksa flet për “Panorama Sport”, trajneri thotë se Korabi i tij do të përballet si i barabartë me Flamurtarin.

“Ajo fitore që arritëm me Tomorin në Berat na ka dhënë tjetër moral. Fitorja në atë gjysmëfinale, po ta quajmë kështu, na ka motivuar më shumë për të vazhduar më tej. Jemi më të karikuar dhe më në formë sportivisht. Korabi është një nga skuadrat me më shumë ndeshje në Kategorinë e Parë, por ka forca për të ecur përpara.

Korabi sfidant ndaj Flamurtarit? Nuk mendoj kështu, them se do të jemi të barabartë me kundërshtarin në fushë. Dihet që Flamurtari ka një emër të madh në futbollin shqiptar, ka edhe një skuadër me kualitet, që e mbylli kampionatin në vend të tretë, ndërsa fakti që mund të ketë një buxhet më të madh se ne nuk besoj se do të ndikojë në fushën e blertë. Ne jemi gati për këtë sfidë, besoj i kemi ‘kartat’ në rregull për të shkuar në finalen e madhe. Do të shfrytëzojmë mundësitë dhe shanset tona, pastaj të tjerat le t’ia lëmë fushës”, është shprehur Kumbarçe. Korabi e pret sfidën e së dielës me vlonjatët me një skuadër të plotë. Përveç Dragoit, të gjithë futbollistët e tjerë janë gati për stafin teknik.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"