Kuman kritika të forta: I zhgënjyer nga sulmi, tifozët kanë të drejtë që na fërshëllejnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 9:28

Kuman kritika të forta: I zhgënjyer nga sulmi, tifozët kanë të drejtë që na fërshëllejnë

Trajneri i Barcelonës, Ronald Kuman, është shfaqur para gazetarëve fill pas suksesit në Champions kundër Dinamos së Kievit. Por tekniku holandez nuk ka qenë në humor të mirë. Ai nuk e ka fshehur aspak zhgënjimin për sjelljen e ekipit në fushë dhe rastet e shpërdoruara nga sulmuesit. Ai gjithashtu ka komentuar fare shkurt edhe për Klasiken e së dielës duke deklaruar se ekipi i tij i ka të gjitha kartat në rregull për të fituar.

kuman

NDESHJA – “Kemi krijuar të paktën tri mundësi shumë të mira, por nuk mund të falen kështu rastesh. Ishte një ndeshje për jetë a vdekje dhe mund t’i kishim paguar shtrenjtë gabimet në sulm. Për fat të mirë mbrojtja na nderoi. Duhet ta kishim fituar 2 ose 3-0 ndeshjen”.

KLASIKJA – “Shkojmë për ta fituar, sepse i kemi kapacitetet për ta bërë. Pse jo?”

FËRSHËLLIMAT – “Ne i kuptojmë fare mirë tifozët tanë, edhe ata janë zhgënjyer. Edhe unë mendoj si ata. Barcelona në një ndeshje si kjo, me kaq shumë mundësi për shënim, duhet të shënonte shumë më tepër gola”.

LOJA – “Në përgjithësi jam i kënaqur me lojën e ekipit, por jo me finalizimin dhe efektivitetin. E thashë dhe më lart, kur je shumë superior dhe krijon shumë raste duhet t’i shfrytëzosh. Golat janë përgjegjësi e sulmuesve sepse kemi lojtarë me cilësi përpara”.

ANSU FATI – “Është ende një lojtar shumë i ri dhe ka disa mangësi. Pastaj mos harroni kohën e gjatë pa luajtur si pasojë e dëmtimit. I nevojitet kohë. Po flasim për një lojtar që mbush 19 vjeç pas pak ditësh dhe nuk mund të kërkojmë mrekulli prej tij”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"