“Kullota lopët dhe ushqeva pulat gjatë karantinës”, futbollisti i Dinamos: Në Shqipëri u rilinda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2020 | 21:40


“Kullota lopët dhe ushqeva pulat gjatë karantinës”, futbollisti i Dinamos: Në Shqipëri u rilinda

Dinamo këtë sezon është e gjitha nën markën “Made in Italy”. Në presidencën e Marko Pontrelit dhe drejtimin e Fabricio Kamaratës, në ekip janë edhe 4 futbollistë që kanë ardhur nga vendi fqinj, konkretisht Damiano Pontreli, Antonio Mikoli, Mateo Ortaloni dhe Niko Paterni. Ky i fundit ka hyrë në sezonin e dytë me blutë dhe është bërë më shqiptar se shqiptarët. Mbrojtësi i pagëzuar nga shokët e ekipit me nofkën “Gladiatori” ndihet më shumë se i lumtur me aventurën te kryeqytetasit. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” 25-vjeçari rrëfen se ka rilindur që pas ardhjes në Tiranë dhe periudhën e karantinës ka bërë punë që nuk i kishte menduar kurrë.
niko paterni dinamo
Si ndihet Paterni te Dinamoja?
Jam shumë i lumtur, megjithatë te Dinamoja nuk kënaqemi me pak. Duam të fitojmë gjithçka. Ndihem i ngazëllyer që jam pjesë e një skuadre historike. Edhe pse jam larg familjes sime, këtu ndihem si në shtëpi.

Keni 7 pikë në 3 ndeshje, i kënaqur me startin?
E kemi nisur kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk më pëlqen të flas shumë për veten time, pasi preferoj që t’ia lë fushës. Erdha në janarin e 2020-ës te Dinamoja me një tjetër frymë, pasi kisha dëshirën për të fituar. Faleminderit presidentit Pontreli, i cili së bashku me administratorin Barushi dhe stafin, krijuan një skuadër që mund të luftojë për objektiva madhorë.
Dinamo festa
A jeni gati për t’u ngjitur në elitë?
Mendoj se nuk do të na dalin pengesa për t’u ngjitur në elitë. Gjithsesi, rruga është e gjatë dhe shumë e vështirë. Kampionati është i fortë, por me vullnetin që kemi s’na ndal kush. Në fund, do të kurorëzohemi kampionë të grupit. Shoh që këtu në Shqipëri, analistë, gazetarë, njerëz të sportit apo tifozë e thonë fort se Dinamo i mungon Kategorisë Superiore. Ndaj, do të bëjmë çmos që të ngjitemi.

Çfarë është Shqipëria për Paternin?
Në Shqipëri u rilinda. E dua qytetin e Tiranës dhe gjithë vendin në përgjithësi, njerëzit, kuzhinën e traditat shqiptare. Më pëlqen ta studioj dhe njoh vendin tuaj. Këtu nuk kam luajtur vetëm futboll, kam mësuar të jetoj, sidomos gjatë karantinës kur u bëra kuzhinier, nisa të pastroja, mora lopët për të kullotur e ushqeva pulat. Bëra shumë gjëra që më parë nuk i imagjinoja kurrë. Por, në ditët e sotme nuk ka kohë për të ndaluar dhe për të parë atë që kemi përreth e ta vlerësojmë. Gjërat ecin shumë shpejt dhe nuk e kuptojmë se sa bukuri ka rreth nesh.

Këtë javë luani me Vorën, a është fitorja detyrim?
Është ndeshje e rëndësishme dhe do të luftojmë për fitoren. Jemi të detyruar që të mos falim asnjë pikë. Shokët më quajnë “Gladiator” dhe si i tillë ju them që do të vendosim shpirtin në fushë për ta kthyer Dinamon në Superiore.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/