“Kulisa në KOKSH”, presidenti i mundjes tregon pazaret e bëra me votat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2020 | 23:41

“Kulisa në KOKSH”, presidenti i mundjes tregon pazaret e bëra me votat

Një reagim i ashpër ka ardhur nga Martin Biba për situatën katastrofike që po kalon sporti shqiptar. Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes edhe një herë tjetër drejton gishtin nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, teksa nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale denoncon dallaveret dhe allishverishet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në KOKSH.

MARTIN BIBA

Biba ka shpërndarë një foto nga asambleja e përgjithshme e KOKSH, e mbajtur në vitin 2012, duke bërë një rezyme të pazareve që ndër vite bëhen në institucionin më të lartë sportiv të vendit. Kreu i mundjes bën thirrje për të dalë sa më parë nga kjo situatë, të cilën e quan skandaloze. Ja deklarata e plotë e Martin Bibës në rrjetet sociale:

“Që atëherë, më parë dhe deri më sot vetëm akuza ndërmjet drejtuesve të KOKSH, për hile, shpërdorime, kulisa si këto e më shumë:

‘Unë të kam ndihmuar më ndihmo dhe ti tani, bjeri atij që të fitojë ky e pastaj rregullohemi, shiko mos të vijë ai se na prish punë, ti do jesh anëtar i komitetit ekzekutiv ndërsa atë e rregullojmë ke komisioni teknik, po filani… hë mo se e çojmë shef delegacioni në lojëra se njeh dhe të gjatin, me ndërkombëtarët e kemi mirë dhe nuk e përkrahin atë, po me projektet… federatës X i japim një kurs trajnerësh, federatës së harkut i japim 10 mijë dollarë e di ti… është ai… këtu e kemi dhe na bën punë…., këtyre dy federatave u japim nga dy bursa, sa të dalë donacioni dhe të fillojë kontrata me bankën X diçka u japim dhe këtyre tri federatave dhe ja u rregulluam, prit pak po sa vota u bënë, shiko se ai i federatës Y po na mërzit shumë, s’ka gjë se i themi filanit e t’i thotë ndonjë fjalë’ etj… etj.

Situatë e turpshme, gjuhë rrugaçësh, denoncime në prokurori, tani shokë e më vonë kodoshë, arrogancë e pa shoqe, intimidime direkte dhe indirekte, pak punë e shumë skema ordinere në institucionin më të lartë sportiv në vendin tonë.

biba-martin

Në çdo asamble vjetore apo zgjedhore i kam ngritur këto probleme, por mendoj se nuk mban më, madje shumë ka duruar sporti. Kam vlerësuar dhe vlerësoj çdo kontribut të dhënë ndër vite nga IOC (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) nëpërmjet KOKSH për bursat olimpike të sportistëve elitarë (dhe këtu ka pasur padrejtësi të mëdha) dhe jo vetëm! Por situata është skandaloze.

Pra, duhet vepruar tani:

1 – Ngritja e komisionit prej 5 anëtarësh me përbërje 2 anëtarë nga federatat kombëtare (asambleja e KOKSH); MASR 1 anëtar; IOC 1 anëtar; KOKSH 1 anëtar, siç u vendos me rezolutën e miratuar nga asambleja e fundit e KOKSH.

2 – Të fillojë menjëherë puna për rishikimin e statutit nga ky komision dhe zhvillimi i zgjedhjeve për organet drejtuese të KOKSH, siç u vendos në rezolutën e miratuar në asamblenë e fundit.

3 – MASR (deri tani në gjumë dhe pa asnjë interes të dukshëm për zhvillimin e sportit) të iniciojë takime me KOKSH dhe me FK (federatat kombëtare) planin me afate të përcaktuara për çdo pikë dhe të bëjë transparencë në media për informim e publikut! Çdo ditë vonesë e rrënon sportin tonë.

Organet e reja të KOKSH duhet të marrin denjësisht bashkëpunim dhe përballje me MASR e qeverinë e Shqipërisë për dyfishim të paktën të buxhetit të sportit dhe rishikimin e ligjit të sportit! Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’ mbahen në 2021 dhe kjo kohë është e përshtatshme për punë dhe organizim me themel e të kemi një KOKSH dinjitoz, përfaqësues dhe liderë për sportin tonë!

Shumë sportistë elitarë, siç janë dy prej tyre mundësit Eriglent Prizreni (bursë olimpike) dhe Paris Karepi (pa bursë olimpike) meritojnë të trajtohen fort dhe të jenë olimpistët tanë si prioritet i KOKSH dhe kombit tonë! Jeni të lutur kush e ndien se duhet vepruar të mos vonojë por të veprojë, është e lutur media e shkruar dhe vizive ta marrë në dorë situatën, ndërkombëtarët dhe ju të dashur drejtues të sportit Kombëtar Shqiptarë!!! Koha është tani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"