Kukësit nuk i “del inati” me largimin e Ethemit, ja çfarë kanë vendosur të bëjnë për lojtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2020 | 15:03

Kukësit nuk i “del inati” me largimin e Ethemit, ja çfarë kanë vendosur të bëjnë për lojtarin

Largimi i Valon Ethemit vijon të mbetet një çështje e hapur te Kukësi, me klubin dhe lojtarin që kanë pretendimet e tyre për kontratën, ndërsa fjalën e fundit do ta thotë tashmë Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në FIFA.

valon ethemi

“Panorama Sport” zbuloi në numrin e djeshëm se vetë lojtari ka bërë hapin e parë. Avokatët e mesfushorit kanë ngritur padi në FIFA kundër klubit dhe pritet që të jepet një vendim deri në fund të javës së ardhshme. Kukësi bllokoi transferimin e Ethemit te polakët e Zaglebie Lubin me pretendimin se kontrata e lojtarit skadonte pas mbylljes së angazhimit të klubit në Kupat e Europës.

Përfaqësuesit ligjorë të lojtarit kanë paditur Kukësin në FIFA, duke e cilësuar kontratën abuzive. Padia është bërë për shkak të mosdhënies së lejekalimit, duke qenë se futbollisti pretendon që kontrata i ka skaduar në momentin kur ka përfunduar sezoni 2019-2020 dhe jo kur mbyllet angazhimi i Kukësit në Europë. Gazeta kontaktoi dje zyrën juridike të klubit verilindor, më konkretisht avokatin Arsen Selmanaj, i cili merret prej vitesh me kontratat e lojtarëve të Kukësit.

I pyetur për çështjen e Ethemit dhe hapat që ka ndërmarrë klubi, Selmanaj sqaroi se edhe Kukësi ka gati padinë për lojtarin në FIFA. “Së pari, si jurist më duhet të sqaroj se kontrata e lidhur rregullisht ka forcën e ligjit për palët dhe ajo mund të prishet ose të ndryshohet me pëlqimin e ndërsjellë të palëve ose për shkaqe të parashikuara në ligjet e Kodit Civil. Për çështjen në fjalë, ne si klub kemi filluar përgatitjet e padisë me të gjitha pretendimet tona. Sapo ta përfundojmë, do ta depozitojmë përpara organeve të FIFA-s”, është shprehur fillimisht përfaqësuesi ligjor i klubit kuksian.

4C54E583-59D1-4A5F-8AA5-E516F4B344D5

MASAT PËR LOJTARIN

Pasi bllokoi transferimin e Ethemit në Poloni, klubi i kërkoi zyrtarisht lojtarit të paraqitej në stërvitje për të vazhduar me Kukësin edhe në Ligën e Europës. Mirëpo, diçka e tillë nuk ndodhi. Ethemi nuk pranoi të kthehej në skuadër, duke vazhduar stërvitjen individuale deri në zgjidhjen e çështjes nga FIFA.

“Lojtarit i kemi bërë disa paralajmërime. Pas këtyre paralajmërimeve për t’iu bashkuar ekipit, u detyruam të zbatojmë rregulloren e brendshme dhe kontratën. Pra, duke e penalizuar me gjobë lojtarin për mungesën në stërvitje. Padia në FIFA? Ethemi është në të drejtën e tij ligjore të ndërmarrë të gjithë hapat që i njeh ligji. Ne si klub ndjekim hapat tanë”, deklaroi Selmanaj për “Panorama Sport”.

Ndërkohë, vlen të theksohet se Ethemit iu ofrua rinovimi i kontratës nga Kukësi, por ai refuzoi ofertën dhe vendosi të priste përfundimin e sezonit, në mënyrë që të largohej me parametra zero. Mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet kjo mosmarrëveshje për kontratën që kanë nënshkruar tri vite më parë.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"