Kukësin e ndjek tersi, një tjetër lojtar dëmtohet para Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2020 | 0:23

Kukësin e ndjek tersi, një tjetër lojtar dëmtohet para Skënderbeut

Kukësin po e ndjek fati i keq. Sikur të mos mjaftonin rezultatet negative në 4 ndeshjet e fundit, shkarkimi i trajnerit dhe shkëputja me 9 pikë nga kreu, tashmë verilindorët po vuajnë edhe dëmtimet. Nëse një javë më parë luajtën pa kapitenin Besar Musolli dhe të enjten morën lajmin e dëmtimit të “bomberit” Vasil Shkurtaj, tashmë një tjetër problem i madh i shtohet Orges Shehit.musta kukesi laci

Verilindorët duhet t’i bëjnë llogaritë edhe pa Emiljano Mustën kundër Skënderbeut. Mbrojtësi i linjës së majtë ka pësuar një tërheqje muskulare që më 29 shkurt (në ndeshjen me Teutën). E megjithatë, elbasanasi sakrifikoi me Vllazninë. Pasi kreu terapi intensive, zbriti në fushë dhe përballoi 90 minuta. Dhe pse kjo gjë u mbajt e fshehtë nga klubi, tashmë del në pah problematika. Lojtari 28-vjeçar nuk ia del dot të jetë i gatshëm kundër Skënderbeut dhe do t’i duhen të paktën edhe 7-10 ditë pa luajtur, me qëllim rikuperimin.

Mbrojtësi nuk ka dalë në stërvitje ditën e djeshme dhe konsiderohet si një mungesë mjaft e rëndësishme për takimin e së hënës. As Kristal Abazaj me Besar Musollin nuk janë në 100-përqindëshin e tyre, paçka se të dy priten që të luajnë. Drejtuesit presin fitoren, ndonëse shkalla e vështirësisë është e madhe. Sikundër edhe është thënë, kapiteni pritet të luajë me maskë, pasi kurrsesi nuk mund të rrezikojë pa të. Dhe listës së mungesave u shtohet edhe Olsi Teqja i pezulluar. Edhe pse qendërmbrojtësi u kthye pikërisht ndaj Vllaznisë pasi ezauroi të kuqin, ai kishte edhe 3 kartonë të verdhë të akumuluar, ndaj i 4-ti e lë jashtë për Skënderbeun.Shehi

SHEHI PROVON FORMACIONIN

Duke parë mungesat dhe dilemat, trajnerit Orges Shehi do t’i duhet të konfigurojë 11-shen. Kështu, Abazaj ose Kuper do të luajnë në majë të sulmit në vend të Shkurtajt, ndërsa mungesën e Mustës do ta kompensojë Kotobelli në linjën e majtë të mbrojtjes. Referuar asaj që është provuar në stërvitjet e kësaj jave dhe mbi të gjitha duke parë alternativat që i kanë mbetur, pritet që ekipi të luajë me skemën 4-3-2-1.

Dashamir Xhikës i mbetet porta edhe për këtë javë, ndërsa para tij do të rreshtohet kjo katërshe: MaliqiKrasniqi-Obanor-Kotobelli. Mesfusha do të përbehet prej Ethemit në të djathtë dhe majtas një mes Musollit ose Lulaj, ndërsa më i avancuar është Rroca që rikthehet pas skualifikimit. Limaj e Gavazaj do të jenë në krahë për të mbështetur “pykën”. Dhe në kokë të sulmit pritet të qëndrojë Kristal Abazaj, ndonëse alternativë është edhe Godberg Kuper. Gjithsesi, dilemat për rreshtimin do të marrin ndoshta zgjidhje sot.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"