Kukësi “zbon” Harbën, boshnjaku: Pyesni në klub se çfarë ndodhi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2018 | 21:15

Kukësi “zbon” Harbën, boshnjaku: Pyesni në klub se çfarë ndodhi

Kukësi largon Haris Harbën. Sulmuesi i afruar me shumë bujë në merkaton e verës, zyrtarisht ka mbyllur marrëdhëniet me klubin. Gazeta e ka lajmëruar në numrin e datës 23 tetor se largimi i shtatlartit ishte pranë, por vetëm dje klubi shpalli “divorcin” e parakohshëm me një njoftim në faqen zyrtare:

“Futboll Klub Kukësi zyrtarizon mbylljen e bashkëpunimit me Harbën. Sulmuesi ka ndërprerë me mirëkuptim marrëveshjen me Kukësin. Boshnjaku, i cili u bashkua me ekipin tonë gjatë merkatos së verës, regjistroi 11 aktivizime në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 2 gola. Klubi falënderon Haris Harbën për kontributin e dhënë me fanellën tonë dhe i uron njëkohësisht suksese në karrierë”.

haris harba

REAGIMI – Gazeta kontaktoi me vetë lojtarin, i cili dje ka lënë edhe Shqipërinë. Boshnjaku nuk pranoi ta komentonte këtë situatë, duke ia hedhur “topin” klubit. “Nuk dua të komentoj për këtë situatë, por ju nëse doni, mund të pyesni dikë në klub e ata t’ju thonë gjithçka çfarë ka ndodhur”, u shpreh shkurtimisht ai. Haris Harba ishte zhgënjimi më i madh i Kukësit, e kjo shprehej shpesh prej drejtuesve, edhe pse jo publikisht. Ai u afrua me idenë për zëvendësuar “bomberin” Sindrit Guri, por nuk ndodhi ajo që pritej. Ai ishte një zgjedhje ekskluzive e ish-trajnerit Peter Pakult, që e cilësonte si të duhurin për ofensivën.

MARRËDHËNIET – Armando Cungu i dha disa herë shansin boshnjakut që të tregonte veten, por asnjëherë nuk bindi. Sipas trajnerit, ky sulmues nuk kishte formën fizike, e aq më tepër nuk është lojtari i duhur për skemat e tij dhe, për këto arsye, ai nuk ishte as në 18-she prej kohësh. 30- vjeçari luajti vetëm 190 minuta me Kukësin në kampionat, 2 ndeshje si titullar dhe 2 herë zëvendësues dhe kurrë nuk e gjeti rrjetën. Prej një muaji nuk preferohej fare nga stafi teknik, aq sa 4 ndeshjet e fundit i ka ndjekur nga tribuna.

KONTRATA – Kukësi është një klub që di t’i mbajë lojtarët që vlejnë. Por e kundërta ndodh me ata që nuk i shërbejnë. Haris Harba është rasti konkret. Ai kishte marrëveshje 1-vjeçare dhe një pagë prej 5 mijë eurosh në muaj, megjithatë kontrata ishte hartuar në atë formë, kur i favorizuar ishte vetë klubi si punëdhënës. Edhe pse sulmuesi ka kërkuar tri paga që të largohej i qetë dhe pa mërira, konkretisht tetorin, nëntorin dhe dhjetorin, Kukësi i ka dhënë vetëm tetorin. Pra, vetëm pagën e muajit të fundit, pasi muajt e mëparshëm i kishte marrë normalisht, ndaj nuk kishte mbetje.

KARRIERA – Boshnajku e ka nisur karrierën si profesionist në radhët e Olimpik Sarajevo, ndërsa më pas u ble prej çekëve të Hradec Kralovë. Harba është aktivizuar edhe në Sllovaki me Spartak Trnava, Zlin e Jihlava në Çeki, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë edhe e turqve të Erzumsporit. Pakult ishte i bindur te cilësitë e tij, pasi futbollisti sipas tij plotësonte të gjitha kërkesat, duke pasur të dhëna mjaft të mira, sa i përket shtatlartësinë, pjekurisë dhe eksperiencës. Ish-trajneri besonte se Harba do të bënte diferencën dhe do përmbushte pritshmëritë e klubit, por asgjë nga këto nuk ndodhi.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"