Kukësi “zbarkon” në Vlorë, Gjelbrim Taipi: E përmbysim Egnatian!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 9:39

Kukësi “zbarkon” në Vlorë, Gjelbrim Taipi: E përmbysim Egnatian!

Kapiteni i Kukësit, Gjelbrim Taipi, mendon se skuadra i ka të gjitha mundësitë që të përmbysë disavantazhin e dy golave ndaj Egnatias. Verilindorët e kanë objektiv Kupën, ndaj pritet të bëjnë përpjekjet maksimale për të kaluar në turin tjetër pas humbjes 3-1 në takimin e parë. Për Taipin, nëse skuadra shfaq seriozitetin dhe nivelin që kanë pasur në stërvitje gjatë këtyre ditëve, atëherë nuk e sheh si një problem përmbysjen.

GJELBRIM TAIPI

“Në ndeshjen e parë jemi mundur me rezultatin 3- 1, por Kupa ka edhe një anë pozitive, pasi luhet edhe ndeshja e kthimit, ndaj ne do të futemi në lojë sikur rezultati fillon 0-0 dhe do të japim 100%.

Ekipi është i kompletuar dhe po punojmë shumë mirë. Mendoj se nëse shfaqim edhe këtë nivel të lartë si në stërvitje në këtë ndeshje, do ia ndalim edhe të kualifikohemi”, u shpreh fillimisht kapiteni i verilindorëve për ndeshjen që do të luhet sot në orën 13:30 në stadiumin e Vlorës.

Sakaq, për të mbajtur të gjallë atmosferën, trajneri Longo ka bërë një turne në stërvitje dhe ekipit fitues i ka akorduar një kupë. Për koincidencë ka fituar ekipi i kapitenit, i cili ka ngritur edhe këtë trofe simbolik, por ka besim se një i tillë do të vijë këtë sezon në Kukës, edhe si shpërblim për rikthimin së shpejti në shtëpinë e tyre.

“Në stërvitje këto ditë kemi bërë një turne dhe ekipi im fitoi dhe ngritëm një trofe. Kjo është normalisht ajo që kërkon ekipi dhe në fund të sezonit të dalim me një trofe.

Do të ishte një privilegj i madh për mua, por këtë trofe do t’ia dedikojmë gjithashtu edhe tifozëve të Kukësit, ku pas një pauze trevjeçare do të vijnë ta ndjekin ekipin e tyre të zemrës në stadiumin tonë.

Ndaj, mendojmë që t’ia shpërblejmë me një trofe”, përfundoi kapiteni Gjelbrim Taipi, të cilit nuk i mungon optimizmi se do të kalojnë më tej dhe në fund të sezonit do të sjellin një trofe në Kukës.

STËRVITJA – Kukësi ka kryer seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Flamurtari”, aty ku do të luajë përballë Egnatias.

Pritet që Longo të hedhë në fushë lojtarët më të mirë që ka aktualisht në dispozicion, por sipas të gjitha gjasave do të vuajë mungesën e portierit Tafas dhe titullarëve të mbrojtjes Peposhi e Bytyçi, të cilët janë të grumbulluar respektivisht me Shqipërinë U-21 dhe Kosovën U-21.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"