Kukësi thuajse i dubluar, Gega ka dy formacione/ Merkato e fuqishme, ja si mund të luajnë verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 23:14

Kukësi thuajse i dubluar, Gega ka dy formacione/ Merkato e fuqishme, ja si mund të luajnë verilindorët

Me afrimin e Tiago Ferreirës në mbrojtje dhe pritjen e konfirmimit të Lejtonit në mesin e fushës, si edhe Joviçit në majën e sulmit, Kukësi mund të konsiderohet si i kompletuar. Edhe pse merkatos nuk i dihet asnjëherë dhe deri në fund ajo qëndron e hapur, duket se në Kukës do të mjaftohen me prurjet.

KUKESI

Në njëfarë mënyre, Gega ka luksin që tani të ketë një ekip ku nuk mungojnë cilësitë dhe alternativat, gjë që ka munguar gjatë sezonit të kaluar apo me nisjen e kësaj merkatoje vere. Ajo që i druhet më së shumti trajneri, gjë që e ka pohuar edhe vetë Gega më herët, është harmonizimi i grupit në këto ditë të mbetura.

ALTERNATIVAT – Pa frikë, mund të thuhet tani se Kukësi, të paktën në letër, është mes favoritëve të këtij sezoni. Thuajse çdo rol është i dubluar nga porta në sulm, ku është e vështirë për të zgjedhur një formacion fiks. Në një situatë të tillë, mbetet për t’u parë se cili do të ketë aftësinë për t’u përshtatur më mirë me grupin, në mënyrë që të “gradohet” si titullar.

Porta dhe mbrojtja duken të “fiksuara”, me Tafasin që për momentin nuk i rrezikohet vendi, ndërsa në prapavijë, afrimi i portugezit Ferreira bën që njëri prej Isiç apo Ilieskit të përfundojë në stol. Alternativë në këtë rol mbetet gjithnjë Altin Bytyçi. Nga krahët, Ndreca me Haxhiun duken të avantazhuar në skuadrën aktuale, edhe pse rrezikohen nga Ebert dhe Dragoshi. “Lufta” më e madhe do të jetë në mesin e fushës, aty ku për tri pozicione luftojnë shumë lojtarë.

Momentalisht duken të avantazhuar kapiteni Gj.Taipi, Kote dhe Sh.Taipi, por Lejton, Moraesh dhe Arbër Basha (kur të rikuperohet), do të luftojnë fort për një vend titullari. Sa i përket sulmit, zona më e “nxehtë” është maja e tij, me tre lojtarë që do luftojnë për një vend. Me ardhjen e Joviçit, edhe pse nuk është konfirmuar ende, boshnjaku pritet të jetë lideri në këtë repart, ndërsa Daci me Zivkoviçin janë alternativa të vlefshme dhe që japin garanci.

Sa u përket krahëve, Edi Basha duket i sigurt në të djathtën e sulmit, ndërsa mund të zëvendësojë Peposhi.

KUKESI

Në kahun tjetër, Berisha me Hasajn duken në balotazh për një vend në të majtë, me Gegën që i ka provuar nga një herë të dy në këto role. Megjithatë, deri në nisjen e kampionatit mund të ndryshojnë shumë gjëra, por e rëndësishme është që Kukësi për momentin duket “i blinduar” me futbollistë, pa harruar se ka në organikë edhe lojtarë të tjerë, që kanë ardhur nga moshat.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"