Kukësi s’përmbahet, fut Vllazninë në krizë. Shensoji: Jemi për titull, më kënaqi reagimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2013 | 12:13

Kukësi s’përmbahet, fut Vllazninë në krizë. Shensoji: Jemi për titull, më kënaqi reagimi

Vllaznia-Kukesi 1-2. gol te porta e HalilajtVLLAZNIA-KUKËSI 1-2
GOLAT: Semina 34’/ Shameti 53′, Cikalleshi 75′
VLLAZNIA: Vujdinoviç, Gocaj, Kraja, Sykaj, Boci, Belisha, Tafili (Kruja 74′), Shtubina (Bardulla 74′), Hajdari, Semina (Dibra 81′), Bushiç. Trajner: Agim Canaj
KUKËSI: Halilaj, Brahja, Malakarne, Hallaçi, Malota, Shameti, Hoxha (Bratiç 66′), Allmuça, Dragoi (Popoviç 46′), Cikalleshi (Hysa 88′), Progni. Trajner: Naxhi Shensoji
KARTONË TË VERDHË: Bushiç 39′, Gocaj 49′, Boci 79′
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Lezhë)
GJYQTARET: L.Jemini, G.Qirici, D.Myftari (Tiranë)

MINUTAT
3′ Belisha jep shkëndijën e parë me një goditje të fuqishme me të majtën, por Halilaj pret i sigurt.
20′ Shtubina merr mirë një top nga mesfusha, futet në zonë dhe gjuan fort, por vetëm rrjetë e jashtme.
30′ Allmuça gjuan nga jashtë zone, por pret lehtësisht portieri Vujadinoviç.
34′ Goditje këndi për Vllazninë. Belisha hedh topin në zonë dhe aty mbrojtësi Semina, i ardhur në ndihmë të sulmit, fut bukur këmbën dhe gjuan me kthesë, teksa topi përfundon në rrjetë, 1-0 për Vllazninë.
47′ Kukësi humbet një rast të artë për të barazuar. Pas një sulmi nga e djathta, Progni nxjerr të lirë Hoxhën, i cili me portën e boshatisur bën më të vështirën, duke goditur jashtë.
53′ Goditje nga këndi për Kukësin. Hoxha kroson direkt në zonë dhe aty Shameti i lirë kërcen me kokë, teksa topi përplaset fillimisht në tokë e pastaj shkon në rrjetë, 1-1.
55′ Shtubina kroson në zonë dhe Kraja gjuan me kokë, por jashtë.
59′ Hajdari kërkon të befasojë Halilajn me një goditje fluturimthi, por portieri është i sigurt.
75′ Korne për Kukësin, Progni gjuan direkt në portë dhe topi përplaset në shtyllën e majtë, më pas kthehet në zonë, aty ku Cikalleshi e shtyn, duke e dërguar në rrjetë, pavarësisht përpjekjeve të Bocit për të larguar rrezikun, 1-2 për Kukësin.

Vllaznia nuk ia ka dalë mbanë dje përballë Kukësit, ndonëse kaloi e para në avantazh. Goli i Seminës në të 34′ është zhvlerësuar nga ata të Shametit e Cikalleshit, që u kanë shkaktuar shkodranëve humbjen e tretë radhazi. Me këtë dështim, kuqeblutë rrezikojnë seriozisht pozitat për të ardhmen. Ata kanë zbritur nga vendi i tretë, ku gjendeshin në fund të fazës së parë, në të 7-tin. Ndërsa Kukësi nga ndeshja në ndeshje po tregon rritje, duke ngjitur shkallët në klasifikim.
Pjesa e parë Takimi i djeshëm midis Vllaznisë dhe Kukësit ka pasur dy tablo: një pjesë e parë e dominuar nga vendësit, ndërsa në të dytën miqtë nga Kukësi vënë diktatin, duke përmbysur rezultatin. Loja ka nisur e shpejtë për të besuarit e Canajt, të cilët kanë zotëruar tërësisht mesin e fushës. Që në minutat e para, kuqeblutë rrezikojnë në portën kundërshtare me anë të Belishës. Gjithashtu edhe Shtubina vë në provë serioze portierin mik. Në minutën e 34-t Semina, pas një harkimi nga këndi, ka gjuajtur fort në kthesë e sipër, duke e çuar topin drejt e në rrjetë. Miqtë duhet thënë se në këtë pjesë kanë vizituar vetëm një herë portën e Vujadinoviçit, me anë të Allmuçës. Me avantazhin e një goli, Vllaznia do të shkojë në dhomat e zhveshjes.
Pjesa e dytë Me fillimin e fraksionit të dytë, numri një i pankinës së Kukësit, Naxhi Shensoji, ka hedhur në fushë shtatlartin e sulmit Popoviç, çka bën që loja të ndryshojë në vijën e sulmit. Që në fillim të kësaj pjese, miqtë nga Kukësi kanë humbur një mundësi të mirë për shënim me anë të Hoxhës, i cili i gjendur vetëm pak metra larg portës së boshatisur shkodrane, ka gjuajtur në mënyrën më të keqe të mundshme duket e dërguar topin jashtë. Rastet e verilindorëve janë të njëpasnjëshme. Në të 53-tën ka goditje nga këndi për Kukësin. Hoxha kroson direkt në zonë dhe aty Shameti i lirë kërcen me kokë, topi përplaset fillimisht në tokë e pastaj shkon në rrjetë. Shkodranët kërkojnë të reagojnë pas këtij momenti. Janë Kraja e Hajdari që bëhen protagonistë me gjuajtjet e tyre. Mirëpo, atë që nuk e bëjnë kuqeblutë e bëjnë miqtë. Në të 75′ korne për Kukësin, Progni gjuan direkt në portë dhe topi përplaset në shtyllën e majtë, më pas kthehet në zonë, aty ku Cikalleshi e shtyn, duke dyfishuar rezultatin. Që nga kjo minutë presioni i kuqebluve rritet ndjeshëm. Tekniku Agim Canaj provon të gjithë kartat për të barazuar rezultatin, por kjo pjesë nuk dhuron më gola. Kësisoj, Kukësi vijon me rezultatet pozitive, ndërsa nga ana tjetër për Vllazninë kjo humbje ka ndërlikuar ndjeshëm pozitat e saj në klasifikim.

MË I MIRI
Ylli Shameti i Kukësit dhe Olsi Gocaj i Vllaznisë ishin lojtarët më të mirë në fushë në ndeshjen e luajtur dje. Mbrojtësi gjirokastrit luajti si mesfushor shkatërrues dhe rezultoi pika më e fortë e skuadrës së Shensojit, teksa arriti të shënonte edhe golin e barazimit. Nga ana tjetër, shkodrani Gocaj është rikthyer në formën më të mirë, pasi luajti një ndeshje për t’u admiruar.

MË PAK AKTIVI
Kristian Dragoi i Kukësit dhe Alsid Tafili i Vllaznisë stonuan në takimin e djeshëm në “Loro Boriçi”. Mesfushori rumun ka qenë një nga lojtarët që është parë më pak në fushën e blertë. Paraqitja e tij e dobët e detyroi trajnerin Shensoji ta zëvendësonte në fillim të pjesës së dytë. Larg formës së ndeshjeve të kaluara ka qenë edhe shkodrani i mesfushës, Tafili.

“Nuk kishim fat, gabuam në goditjet standarde”
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit tha: “Unë mendoj se ndeshja ishte për një tjetër rezultat. Ne dominuam në pjesën e parë të takimit, madje dhe shënuam. Po ja që na mungoi fati. Sa i përket pjesës së dytë bëmë dy gabime në goditjet standarde, për rrjedhojë pësuam edhe dy golat që na penalizuan. Megjithatë, ky është futbolli. Ngarkesa psikologjike ishte në anën tonë, nuk arritëm ta kalonim këtë periudhë të keqe. Gjithsesi, kampionati është i gjatë dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën në takimet e ardhshme. Tani do të shikojmë kontingjentin që kemi, që të mund të përballojmë me sukses dy takimet si për kupë me Partizanin dhe me Tiranën. Është shumë herët të flitet për objektivat e kupës që tani. Duhet të shikojmë për kampionatin, duke shpresuar ndërkaq që të kemi edhe më tepër fat. Ne nuk luajtëm dobët, por e ritheksoj që jemi ndëshkuar nga goditje standarde”.

“Jemi për titull, më kënaqi reagimi”
Trajneri i Kukësit, Naxhi Shensoji, pas ndeshjes deklaroi: “Kishim një përparësi në aspektin psikologjik për këtë sfidë, pasi Vllaznia nuk kishte marrë rezultate pozitive në takimet e fundit, ndërsa ne tri të tilla. Shkodranët nuk arritën të shënonin për meritë të tyre, por nga një gabim i yni. Megjithatë, e vlerësoj maksimalisht ekipin tim për mënyrën e reagimit, çka tregon se jemi një grup i mirë. Ka qenë edhe një luftë taktike mes meje dhe kolegut Canaj. Jam tepër i kënaqur për fitoren. Patëm mjaft probleme kur erdha fillimisht, por tani gjithçka ka ndryshuar. Ne kemi objektiva të mëdhenj si Kukës. Mendoj se tani ka ardhur me të vërtetë koha për t’u thënë tifozëve të Kukësit se do të arrij objektivat. Kemi shumë për të bërë para se të themi që do të fitojmë titullin, pasi kampionati është i vështirë. Normalisht Kukësin e shikoj pretendent për titull, gjithashtu edhe për kupë”.

Shameti dhe Cikalleshi: Radhën e ka… Skënderbeu
Ylli Shameti dhe Sokol Cikalleshi ishin heronjtë e Kukësit në fitoren e parë dhe historike që skuadra verilindore arriti ndaj Vllaznisë në Shkodër. Mbrojtësi gjirokastrit shënoi golin e barazimit, ndërsa sulmuesi kavajas i dha triumfin ekipit. Pas ndeshjes lojtarët folën për “Panorama Sport”, teksa theksuan se tashmë radhën për fitoren e pestë rresht të Kukësit e ka Skënderbeu. “Arritëm një fitore të vështirë, por mendoj se e merituam, sepse në 45 minutat e dyta treguam forcë karakteri. Për mua ishte goli i parë me Kukësin dhe ia dedikoj familjes, në veçanti djalit tim. Më bëhet qejfi që arriti të shënonte edhe Cikalleshi. Objektivat tanë janë të qartë. Kam besim se do t’ia dalim, edhe pse përpara kemi ndeshje të vështira me Skënderbeun dhe Teutën. Grupi është i kompletuar, kësisoj do luftojmë për të dy trofetë”, – ka thënë Shameti, i cili në verë u kërkua edhe nga Vllaznia. Ndërsa Cikalleshi është shprehur: “Fitore shumë e rëndësishme për ne, falënderoj Zotin për golin. Komplimente edhe shokut tim, Shameti, që zhvilloi një superndeshje. Tani ecim të qetë drejt titullit kampion. Jam i bindur se do vazhdojmë me fitore”.
ADMIR URUCI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"