“Kukësi, skuadra më e fortë e kampionatit”, Allmuça: Skënderbeun e shikoj në mes të tabelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 22:31

“Kukësi, skuadra më e fortë e kampionatit”, Allmuça: Skënderbeun e shikoj në mes të tabelës

Ditën e shtunë do të përplasin “brirët” dy ekipe që kanë pasur një rivalitet të jashtëzakonshëm në 6-7 vite radhazi. Edhe pse aktualisht Skënderbeu nuk shndrin më si më parë, sërish është “kockë e fortë” dhe pa harruar që ka në krye një trajner si Ilir Daja. Është trajneri i sapolarguar nga Dinamoja, Igli Allmuca, i cili e komenton këtë sfidë.

igli allmuca

Ish-”ylli” i dy kampeve tregon për “Panorama Sport” edhe detaje për mënyrën se si ka kaluar në dy klubet, pishmanet, nostalgjinë, kë shikon si favorit, kush ka më shumë shanse të triumfojë. Ai, gjithashtu, zbulon se për cilin ekip bën tifo.

Allmuça thekson se Kukësi ka shumë potencial aktualisht, sidomos në fazën ofensive, duke mos harruar të jetë krenar për disa lojtarë të afirmuar prej tij te Dinamo, të cilët janë në radhët e Kukësit e Skënderbeut. Nuk preferon të flasë për aventurën e mbyllur te Dinamo dhe për të ardhmen e tij.

Igli, këtë fundjavë ndeshen dy rivalët e disa sezoneve, Kukësi me Skënderbeun në Korçë. Si i shikoni dy ekipet?

Janë dy ekipe, ku Skënderbeu këtë sezon po luan me shumë lojtarë të rinj, ndërsa Kukësi ka një ekip të konsoliduar. Në fakt, më të konsoliduar se çdo ekip tjetër në Shqipëri.

Kë shikoni favorit për ta fituar takimin?

Ndeshjet e tyre këto vitet e fundit kanë qenë si ndeshje klasike dhe asnjëherë nuk mund të parashikosh dot, sepse ka pasur të papritura, si në Korçë ashtu dhe në Kukës. Shpeshherë Kukësi ka fituar në Korçë, por dhe anasjelltas, kështu që është e vështirë ta thuash kush është favorit.

Çfarë ka më shumë Kukësi apo anasjelltas, Skënderbeu?

Kukësi ka ekip më të fortë se Skënderbeu, por po të shikojmë tabelën e pikëve, Kukësi nuk e ka më të mirë se Skënderbeu, pra nuk e ka treguar këtë potencial edhe në renditje. Megjithatë, Kukësi ka ekip shumë të konsoliduar dhe kam përshtypjen që në vijim do të dalë te loja dhe rezultatet që kërkohen prej një ekipi me elementë të tillë si ata të Kukësit. Ndërsa Skënderbeu është i ndërtuar me djem të rinj dhe po bën mirë me marrjen e pikëve deri në këtë kohë.

Qëndrojmë te të rinjtë. Jeni i kënaqur që nga ekipi të cilin ju e drejtonit deri para pak ditësh, Dinamo, u larguan drejt këtyre dy klubeve tre lojtarë, Cema te Kukësi, ndërsa Rei e Marlind Nuriu drejt Skënderbeut, të cilët ishit ju që i konfirmuat?

Janë lojtarë që kanë shumë cilësi si futbollistë. Rriten dita-ditës dhe pas pak kohësh do të jenë lojtarë deçizivë në ekipet e tyre. Jam i bindur që me cilësitë që kanë do të kenë të ardhme të shkëlqyer.

Ku e shikoni në fund të sezonit Kukësin dhe ku Skënderbeun, sa u përket trofeve dhe vendeve në tabelë?

Kukësin e shoh duke luftuar deri në ndeshjen e fundit, duke luftuar për titullin kampion, pasi deri në fund mendoj se do të jetë një garë mjaft e fortë. Skënderbeun në mesin e tabelës, duke pasur parasysh që nuk marrin pjesë dhe në Kupat e Europës. Të paktën duke parë ekipet dhe situatën aktuale sa u përket përbërjeve.

Çfarë kujtoni me nostalgji nga dy ekipet?

Këto dy ekipe janë të vetmet ekipe rrethesh me të cilat unë kam luajtur jashtë kryeqytetit dhe kam përshtypjet më të mira. I kujtoj me mjaft nostalgji, pasi me të dyja kam arritur shumë suksese. Natyrisht që kam kaluar shumë mirë me grupet e futbollistëve përkatës, drejtuesit dhe kam gjetur dy presidentë mjaft korrektë e mjaft sportdashës.

Për çfarë jeni pishman që s’e keni bërë me dy ekipet?

Nuk më ka mbetur pishman ndonjë gjë, sepse kam arritur shumë suksese me të dyja klubet. Me Kukësin do të kishim dëshirë të fitonim titullin, por arritja deri në turin e katërt në Kupat e Europës bëri jehonë e ishte më shumë se titulli. Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme, nuk mund të imagjinohej më parë që një ekip nga një qytet i vogël, por me zemër të madhe, të arrinte në ato nivele, të shkonte deri në tur të katërt e për pak të prekte fazën e grupeve. Theu çdo rekord në Shqipëri deri në atë kohë dhe disa vite më vonë.

Nga Kukësi janë larguar shumë futbollistë, mes tyre dhe senatorë nga sezoni i shkuar. Çfarë përshtypjeje ju kanë lënë këto largime dhe a ju bind ky ekip i ri i drejtuar nga Duro?

Janë gjëra normale që ndodhin në çdo skuadër, largimet dhe afrimet, ajo është punë e drejtuesve të Kukësit, por unë duke njohur presidentin Safet Gjici, sido që të jetë, ai është kampion, pra kërkon me çdo kusht titullin apo trofe çdo vit. Unë e them me bindje që Kukësi ka një ekip mjaft të mirë, me shumë cilësi, por deri tani nuk i janë përgjigjur vetvetes sa i përket tabelës, pikëve. Por, duhet theksuar që Kukësi ka shumë cilësi dhe mjaft potencial në fazën ofensive. Mjafton të shikoni përbërjen.

Për kë do të bëni tifo mes dy ekipeve apo për cilin keni simpati më shumë?

E kam të vështirë për të zgjedhur, por për skuadrën e Kukësit kam njëfarë nostalgjie, pasi kam luajtur më gjatë dhe kam pasur më shumë afrimitet me drejtuesit e Kukësit. Natyrisht për Kukësin do të bëj tifo.

Po garën për titull si e shikoni, kush mendon se është favorit?

Për garën për titull janë favoritë Kukësi, Partizani, Tirana e Teuta, por mund të ndodhë edhe e kundërta, që ndonjë prej këtyre ekipeve të mos e kapë as Europën, pasi skuadra si Bylisi dhe Laçi janë të forta që mund të kapin Kupat e Europës. Në letër flas, pastaj në praktikë mund të ndodhë çdo gjë.

Para pak ditësh jeni larguar nga Dinamo. Pse dhe çfarë projektesh keni për të ardhmen?

Nuk dua të komentoj.

Keni ofertë nga Jordania dhe e shikoni si alternativë të trajnoni jashtë shtetit?

Ia lëmë kohës të gjitha.

Skerdilaid Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"