“Kukësi si familje”, flet drejtori Nexhipi: Derbi del barazim, ja e vërteta me Ferhan Hasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2019 | 22:15

“Kukësi si familje”, flet drejtori Nexhipi: Derbi del barazim, ja e vërteta me Ferhan Hasanin

Mbas rikthimit te fitorja me Tiranën ekipi nënkampion i Kukësit ka gjetur e njohur veten, pasi mjaft elemente të mira, si karakteri apo grinta, i janë rikthyer.

nderim nexhipiii

Është drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” komenton ekipin dhe e analizon atë. Strategu i merkatos së verilindorëve nuk e mohon se ekipi i pëlqeu shumë ndaj Tiranës për vetë karakterin dhe lojën e treguar e pa dyshim për fitoren e tri pikëve ndaj një rivali direkt, por ai kërkon që skuadra të mos ndalet këtu.

Ndeshje mbas ndeshjeje Kukësi po del në lojën e vet, për shkak edhe të lojtarëve si Abazaj apo Gavazaj, të cilët mbas çdo minute të luajtur po kapin formën maksimale dhe do të bëjnë diferencën. Nexhipi, edhe pse pranon se “Bubën” e ka shumë shok dhe është lojtar që bën diferencën, thekson se nuk ka pasur diçka konkrete me të dhe se Kukësi e ka mbyllur merkaton. Sa për derbin e shikon të paparashikueshëm dhe se beson të dalë barazim, pasi fundja ashtu i intereson edhe Kukësit. Sakaq, Teutën e vlerëson, por Kukësi hyn për të marrë tri pikët.

nderim nexhipi

Fituat ndaj Tiranës, çfarë ju pëlqeu dhe çfarë nuk ju pëlqeu te skuadra?

Ajo që më pëlqeu mbas humbjes në Ballsh, ishte reagimi i skuadrës, i cili ishte fantastik. Ekipi tregoi që di t’i korrigjojë gabimet, di të ringrihet e kush mund ta bëjë tjetër këtë përveçse një skuadre me kualitet dhe disa lojtarëve me karakter. E përgëzoj ekipin, por gjithmonë duhet ta bëjnë këtë, të qëndrojnë me këmbë në tokë. Nuk kishte diçka që nuk më pëlqeu, thjesht nëse do të kishim shënuar dhe golin e tretë, do të ishte perfekt.

Mendoni se ajo fitore tregoi se Kukësi është më lart se Tirana dhe do të jetë pretendent kryesor për titull këtë sezon?

Reagimi ishte shumë i mirë yni e meqë po flasim për Tiranën, duke qenë se ajo është rikthyer, ishte një test i mirë për ne, ku treguam veten tonë në fushë, jo në raport me ta, por në raport me atë se çka ne jemi në gjendje të bëjmë. Dihet që Kukësi si çdo vit është konkurrent për titull dhe marrja e tri pikëve ndaj Tiranës ndaj një rivali direkt na gëzon dhe na vlen shumë.

Nexhipi

Si është e vërteta me Ferhan Hasanin? A mund të bëhet pjesë e Kukësit?

Të them të drejtën, Ferhanin e kam shok e flasim herë mbas here. E di që këtë fundjavë ka qenë në Tiranë. Sidoqoftë, nuk është se ka diçka konkrete për të kaluar te Kukësi, pasi ne për këtë sezon deri në janar e kemi mbyllur merkaton, jemi të kompletuar dhe do të vazhdojmë kështu siç jemi.

Kjo është java e derbit, ju e keni shijuar si lojtar i Partizanit. Tirana ka 5 vjet që nuk fiton. Ka një shpjegim nga ju, duke qenë se tashmë nuk përfaqësoni as Partizanin?

Java e derbit Tirana-Partizani është fakt që mbas golit tim në minutë të 93-të në vitin 2014 ku barazuam, Tirana nuk ka mundur të fitojë më duke vazhduar e njëjta gjë për 5 vitesh. Gjithsesi, derbi është i paparashikueshëm dhe të shohim si do të shkojë. Shpresoj që në radhë të parë kjo ndeshje të jetë mjaft e mirë dhe e bukur, me qëllim që të kënaqë sportdashësit dhe opinionin publik. Gjithmonë në gjithë botën derbet janë ndeshje të luftuara e me grintë. Shpresoj që ekipet t’ia dalin për të arritur në këtë pikë që unë po flas.

nderim nexhipi

Si mendoni se do të dalë derbi këtë herë, keni një parashikim?

Unë mendoj që ky derbi do të dalë barazim dhe ky rezultat është i mirë edhe për ne (Kukësin).

Çfarë mangësie apo anësh të forta shikoni te Kukësi?

E vetmja mangësi që mund të themi është se na duhet kohë për lojtarët që kanë ardhur që të futemi në ritmin e duhur, për shembull Abazaj, Gavazaj nuk kanë luajtur nga 90 minuta e do t’u duhet dhe pak kohë të hyjnë në ritmin e duhur e kur të jenë ata me kapacitet të plotë fizik, do të jenë shumë të dobishëm për ekipin dhe do të ndihmojnë shumë. Atë që shoh shumë pozitive është se jemi të gjithë si një familje, punojmë qetë dhe i marrim ndeshjet një e nga një e nga java në javë do të tentojmë të bëjmë maksimumin.

Kemi një grup shumë cilësor, lojtar të rinj me kualitet e nga dita-ditës po rriten shumë. Mbas transferimit të Gurit shpresoj dhe besoj shumë që në fund të sezonit do të bëjmë çmos që të shesim ndonjë lojtar. Ky është synimi ynë dhe strategjia jonë e jam i bindur që do t’ia arrijmë. I kemi të gjitha mundësitë për të ndjekur shembullin e Gurit për të shitur në tregun europian.

Ndeshja me Teutën, çfarë prisni?

Ndeshja me Teutën është përballje derbi, do të kemi sërish një rival që lufton për titull. Do të jetë ndeshje shumë e mirë, shpresoj që fusha të jetë në kushte të mira, pasi i trembemi dëmtimit që mund të ketë pësuar nga ngjarjet e ditëve të fundit. Do të jetë ndeshje e vështirë, stafi po e përgatit ndeshjen si çdo javë. Jemi të mobilizuar e do të bëjmë maksimumin ditën e shtunë për të arritur 3- pikëshin. Do të jetë e vështirë, pasi Teuta ka një ekip shumë të mirë dhe një trajner po shumë të mirë, por ne do të bëjmë maksimumin tonë për ta fituar takimin.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"