Kukësi shpallet kampion i Superiores, arbitri dënon Skënderbeun (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2017 | 17:33

Kukësi shpallet kampion i Superiores, arbitri dënon Skënderbeun (VIDEO)

Kukësi shpallet kampion i Kategorisë Superiore për sezonin 2016-2017 duke fituar titullin e parë kampion në historinë e tyre. Ndeshja “finale” e sezonit ndaj Skënderbeut, e zhvilluar në “Zeqir Ymeri” dhe e vlefshme për javën e 35-të, përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të vendasve.

kukesi skenderbeu

Skënderbeu mbeti me 10 lotjarë që në minutën e 11-të kur Mici u ndëshkua me karton të kuq, por deri në fund të pjesës së parë korçarët luajtën mjaft mirë duke kontrolluar ndeshjen. Në minutën e 47 Emini fitoi një penallti të kontestueshme për Kukësin dhe Pejiç e shndërroi në gol.

Në minutën e 57 Latifi u pengua qartësisht në zonë dhe Jorgji nuk akordoi penallti, duke bërë që të shpërthenin protestat e korçarëve. Osmani u ndëshkua me karton të kuq për protesta, ndërkohë që në minutën e 93-të Pejiç shënoi dhe golin e dytë duke e mbyllur takimin. Që pas rastit të Latifit dhe deri në fund, Jorgji nuk dha dhe dy penallti të tjera, një për Kukësin dhe një për Skënderbeun.

Komenti minutë pas minute

90+6′ Përfundon takimi. Kukësi fiton titullin kampion.

90+3′ Guri kombinon bukur me Pejiçin në zonën e Skënderbeut dhe kroati i vetëm përballë Shehit shënon golin e dytë.

90+2′ Gripshi ekzekuton goditjen e këndit dhe Salihi tenton me kokë, por topi shkon jashtë.

90′ Tension në zonën e Kukësit. Muzaka godet me shpullë Shametin, ky i fundit shtrihet në fushë dhe kërkon ndihmën e mjekut.

88′ Lushtaku tenton me një goditje nga jashtë zonës, por topi shkon jashtë.

85′ Alla pengon Salihin në zonë duke i hequr një rast të artë për gol, por Jorgji nuk akordon sërish penallti.

83′ Kukësit i mohohet një penallti. Pejiç tenton me një goditje të fortë brenda zonës, por Jashanica e ndalon topin me dorë dhe Skënderbeu shpëton nga pësimi i golit të dytë.

82′ Kukësi kryen zëvendësimin e fundit. Largohet Musolli, në fushë Lushtaku.

80′ Musolli ndëshkohet me karton të verdhë.

75′ Skënderbeu kryen zëvendësimin e dytë dhe të tretë. Largohen Vangjeli dhe Gavazaj, në fushë Gripshi dhe Ogunxhimi.

73′ Kukësi kryen zëvendësimin e dytë. Largohet Emini, në fushë Guri.

72′ Kale tenton me një goditje të rrezikshme nga jashtë zonës, por Shehi e devijon topin në goditje këndi.

71′ Emini tenton me një goditje nga hyrja e zonës, por topi shkon jashtë shumë lart mbi traun e portës.

65′ Kukësi kryen zëvendësimin e parë. Largohet Dvornekoviç, në fushë Kale.

65′ Skënderbeu kryen zëvendësimin e parë. Largohet Latifi, në fushë Muzaka.

63′ Pejiç ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Latifit.

62′ Rifillon ndeshja. Korçarët me 9 lojtarë.

salihi

57′ Kaos dhe skandal në Kukës. Latifi pengohet në zonë nga Shameti dhe Jorgji nuk jep penallti, biles nxjerr të verdhë për simulim ndaj mesfushorit të korçarëve. Në këtë moment shpërthejnë protestat e korçarëve të cilët reagojnë ashpër. Jorgji i nxjerr të kuqin Osmanit për protesta. Salihi i gris kartonin e kuq Jorgjit.

56′ Emini tenton me një goditje brenda zonës, por topi përplaset në shtyllë.

55′ Skënderbeu mundohet të reagojë pas pësimit të golit, por i mungon qartësia në ndërtimin e aksioneve.

48′ Pejiç merr përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe tregohet i saktë duke kaluar Kukësin në avantazh.

47′ Emini rrëzohet në zonë pas një kontakti me Jashanicën dhe Jorgji akordon penallti.

46′ Fillon pjesa e dytë. Skënderbeu luan topin e parë.

45+2′ Përfundon pjesa e parë.

45+1′ Musolli tenton me një tjetër goditje nga jashtë zonës, por topi shkon sërish mbi traun e portës.

45′ Kukësi ka një shans mjaft të mirë për të shënuar, por Dvornekoviç nuk e shfrytëzon dot pasimin mjaft të mirë të Kariokës.

44′ Musolli tenton me një goditje të rrezikshme nga jashtë zonës, por topi shkon jashtë mbi traun e portës.

40′ Skënderbeu vazhdon të menaxhojë shumë mirë lojën edhe pse me një lojtar më pak, ndërkohë që Kukësi nuk arrin të dalë në lojën e tij.

36′ Latifi tenton portën me ekzekutimin e goditjes së dënimit, por topi shkon jashtë.

34′ Shameti ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Latifit.

33′ Shans i mirë për Skënderbeun në zonë, por goditja e Gavazajt përballë portës është e gabuar.

30′ Skënderbeu del me lehtë në sulm duke gjetur hapësira të shumta në prapavijën kuksiane, por nuk ka qartësinë e duhur për të goditur portën.

24′ Dvornekoviç kroson nga e djathta dhe topi shkon te Karioka i cili ka hapësirën e duhur për të tentuar portën, por goditja e tij është totalisht e gabuar.

21′ Emini tenton me një goditje të fortë nga jashtë zonës, por topi shkon jashtë mbi traun e portës.

20′ Kalojnë në qetësi këto minuta teksa munojnë rastet e rrezikshme.

14′ Gavazaj futet në zonë nga e djathta dhe kërkon të gjejë Salihin, por Koliçi devijon topin i cili përfundon në këmbët e Latifit. Ky i fundit ka një rast të artë për të shënuar, por godet lehtë dhe Koliçi largon rrezikun.

11′ Pejiç niset në kundërsulm i vetëm dhe pas një dyluftimi me Micin rrëzohet duke fituar faull. Jorgji ndëshkon me karton të kuq Micin si lojtar i fundit.

8′ Kalojnë në qetësi këto minuta teksa ekipet nuk arrijnë të krijojnë dot asnjë rast të rrezikshëm.

3′ Radas ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Musollit.

1′ Fillon ndeshja. Kukësi luan topin e parë.

LIVE | KUKËSI – SKËNDERBEU 2-0
Pejiç 48′ (11-m), 90+3′

Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla, Imami, Dvornekoviç (Kale 65′), Lena, Musolli (Lushtaku 82′), Karioka, Emini (Guri 73′), Pejiç
Trajner: Ernest Gjoka

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli (Gripshi 75′), Radas, Jashanica, Mici, Osmani, Orelesi, Gavazaj (Ogunxhimi 75′), Xhejms, Latifi (Muzaka 65′), Salihi
Trajner: Ilir Daja

Gjyqtar: Enea Jorgji

KV: Shameti 34′, Pejiç 63′, Musolli 80′ / Radas 3′, Latifi 57′

KK: Mici 11′, Osmani 57′

ATMOSFERA PARA FILLIMIT

Tifozët kuksianë e mbushën plot stadiumin dhe entuziazmi i afrimit vetëm 90 minuta me titullin kamion ishte i ndjeshëm.

kukesi tifozet

tifozet kukesi

Bie në sy fakti që tifozët kuksianë u futën në stadium pa bileta dhe pa asnjë kontroll, siç e tregon dhe video e mëposhtme.

Në një moment presidenti i Kukësit, Safet Gjici, u pa të komunikojë me njërin prej policëve të stadiumit, si për t’u qetësuar që ishin marrë të gjitha masat e duhura për mbarëvajtjen e këtij takimi.

gjici polici

Në nder të kapitenit të Kukësit, Rrahman Hallaçi, u shpalos një pankartë që shkruante “Hallaçi, krenaria e kuksianëve”. Ai ka plotësuar numrin e 200 ndeshjeve me fanellën e ekipit të qytetit të tij të lindjes.

kukesi skenderbeu tifozet hallaci

Policia mori masa për të shmangur incidentet mes dy tifozerive duke lënë një hapësirë të madhe boshe mes tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"