Kukësi, shikoni kur shënon dhe pëson më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2021 | 14:00

Kukësi, shikoni kur shënon dhe pëson më shumë

Kukësi ka sulmin e dytë më të mirë të kampionatit, dy gola më pak se Partizani, por njëkohësisht ka edhe një nga mbrojtjet më të dobëta, e katërta pas Skënderbeut, Apolonisë dhe Bylisit. “Panorama Sport” ka bërë një hulumtim të tri fazave të para të sezonit, me intervalet kohore në të cilat verilindorët janë më efikasë dhe njëkohësisht vuajnë më shumë. Bie në sy se kuksianët shpërthejnë në fundin e ndeshjes, por njëkohësisht vuajnë shumë në startin e saj, duke sjellë probleme më pas edhe për vijimësinë e 90 minutave. Bilanci i tyre është negativ sa i përket pjesës së parë, me skuadrën që rikuperon më pas në 45 minutat e dyta.

KASTRIOTI KUKESI

PJESA E PARË – Në intervalin kohor të 30 minutave të para, Kukësi ka një bilanc të barabartë, tetë gola të shënuar, por edhe kaq të pësuar. Por, ajo që shqetëson, ka të bëjë me faktin se shtatë prej këtyre rrjetave të pësuara, verilindorët i kanë pësuar vetëm gjatë 15 minutave të para, duke bërë që praktikisht një pjesë të mirë të ndeshjeve skuadra ta nisë në disavantazh të një goli. Edhe në 15 minutat e fundit të fraksionit të parë të lojës, bilanci është sërish negativ, ku kanë shënuar vetëm në tri raste dhe pësuar në pesë. Në total, në 45 minutat e para të sfidës, Kukësi ka shënuar 11 gola dhe pësuar 13.

PJESA E DYTË – Duket se bilanci rregullohet disi në fraksionin e dytë të lojës dhe skuadra rikuperon sa të mundet. Kështu, pas pushimit, duket se udhëzimet në dhomat e zhveshjes japin disi efekt, sepse në 15 minutat e para kanë shënuar nëntë gola, ndërkohë që kanë pësuar pesë. Por, verilindorët nisin të çedojnë sërish në 15 minutat e dyta të kësaj pjese, duke humbur përqendrimin dhe mos qenë efikas aq sa duhet, ndërkohë që konsiderohet edhe si një nga momentet më thelbësore të ndeshjes. Gjatë intervalit 61’- 75’ kanë shënuar vetëm katër gola, ndërkohë që kanë pësuar shtatë. Sakaq, verilindorët “shpërthejnë” në 15 minutat e fundit të sfidës, duke shënuar 11 gola dhe pësuar shtatë, duke treguar se skuadra mobilizohet në fundin e takimit, por që në shumë raste nuk rezulton efikas, për shkak se ka gabuar gjatë pjesës së tjetër të ndeshjes.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"