Kukësi shfryn, merkatoja mbetet në vendnumëro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2023 | 23:07

Kukësi shfryn, merkatoja mbetet në vendnumëro

Kukësi ka bërë një test brenda shtëpisë ditën e shtunë, teksa ka mundur me rezultatin e thellë 7-0 ekipin e 21-vjeçarëve. Verilindorët preferuan që të provonin veten e tyre me ekipin e moshave, ku mund të thuhet se kanë bindur, edhe pse nuk mund të konsiderohet gjithsesi një test real për të matur forcat para kampionatit. Hallaçi hodhi në fushë kontingjentin më të mirë që ka për momentin në dispozicion, duke llogaritur edhe largimet e shumta dhe mungesën e afrimeve.

Hallaci Kukesi

Me skemën 4-2-3-1 me Barbosën e vetëm në majën e sulmit, duket sikur verilindorët po mundohen të gjejnë ekuilibrat e munguar gjatë këtyre javëve kampionat. Sa i përket sfidës, serinë e golave e hapi kroati Edi Basha në minutën e 15-të, ndërsa pjesën e parë pati kohë edhe për golin e kapitenit Taipi nga pika e bardhë e penalltisë. Në të dytën, tekniku kreu disa zëvendësime, duke i provuar thuajse të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion dhe sërish skuadra e parë luan dhe dominon.

Shënohen edhe pesë gola të tjerë, me Barbosën dy herë, më pas sërish kapiteni Taipi dhe për ta mbyllur me golat e Bytyçit dhe Sulës, të cilët i sigluan shifrat në 7-0. Një test i rëndësishëm një javë para sfidës në kampionat me Bylisin, me verilindorët që do të synojnë patjetër maksimumin, sepse në të kundërt do të vazhdojnë të jenë në zonën e ftohtë të renditjes. Gjasat janë që i njëjti formacion me të cilin u luajt kjo miqësore të jetë edhe në sfidën me Bylisin, pasi edhe alternativat janë të pakta.

MERKATO – Në një kohë kur në Kukës kanë bërë shtatë largime, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për afrimet, ku duket se Kukësi ka ngecur. Lëvizja e vetme është ajo e portierit Betim Halimi, e cila u bë që në muajin nëntor, ndërsa në janar me hapjen zyrtare të merkatos, Kukësi nuk ka bërë asnjë afrim. Në fakt, mungojnë edhe emrat e përfolur, kjo për faktin se në merkaton e janarit mundësitë për të gjetur futbollistë të vlefshëm janë të pakta, sepse janë aktualisht në kontratë me të tjera skuadra.

Emergjencën më të madhe verilindorët e kanë në mbrojtje, edhe pas largimit të Ferreirës dhe nuk kanë mundur të gjejnë një zëvendësues për të, aq sa për momentin në atë pozicion është adaptuar braziliani Ebert. Megjithatë, edhe nëse afrimet bëhen këto ditë, sërish Kukësi në sfidën me Bylisin do të mbështetet te kontingjenti aktual që ka në dispozicion.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"